Përpjekjes kriminale kundër informimit i duhet përgjigje frontale

Përpjekjes kriminale kundër informimit i duhet përgjigje frontale

Nga Lulzim Basha - 16/12/2019

(Fjala e plotë e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në tryezën për Lirinë e Medias). 

Faleminderit që i jeni përgjigjur ftesës sime dhe të opozitës së bashkuar dy ditë para se Kuvendi i cunguar i Shqipërisë  të ndërmarrë një akt të paprecedentë jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë hapësirën europiane.

Ndërsa presim akoma disa kolegë që po afrohen për shkak të trafikut, me vonesë, më lejoni ta nis me një, ne i themi anekdotë, por në fakt ka ndodhur në të vërtetë, ndonëse çështja nuk është aspak për të qeshur. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një gazetar e quajti Winston Churchill budalla. Dhe u arrestua. Të nesërmen, në Parlament opozita ishte bërë gati që ta piqte kryeministrin. Çfarë u bë? Britania u kthye në një shtet policor? Winston Churchill mori fjalën dhe tha “Të qartësojmë diçka, personi nuk u arrestua, sepse ofendoi Kryeministrin e Britanisë së Madhe, por sepse nxori një sekret shtetëror.”

Nuk e di nëse është e vërtetë apo anekdotë, por kjo me të cilin po ballafaqohemi nuk është anekdotë. Është vazhdimi i pandërprerë kundër medias, kundër gazetarëve, kundër lirisë së shprehjes. Dua t’ju them që në fillim që këtë ftesë nuk e kemi thirrur vetëm për të treguar solidaritetin me ju, as nuk jemi këtu në pozita paternalizmi për t’ju marrë nën krahët e opozitës, sepse ju nuk  keni nevojë. Keni bërë luftë të jashtëzakonshme. Ne kemi detyrën, nderin dhe privilegjin të jemi në krahun tuaj në këtë betejë, sepse pa lirinë e medias, pa lirinë e shprehjes nuk ka liri politike.

Dua ta them fare qartë që në fillim, që këtu jemi si partnerë, jo partnerë ne në interesin tonë dhe ju në interesin tuaj, por partnerë në një interes: partnerë në interesin e informimit të qytetarëve. Kjo është ajo që na intereson ne. Kjo është detyra juaj, informimi i qytetarëve.

Mosinformimi i tyre dhe keqinformimi i tyre është një nga objektivat kryesorë strategjikë të gjithë sjelljes së kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri, të gjithë masave të propozuara, të arrestimeve arbitrare dhe shoqërimeve, presioneve financiare, penale e të gjithanshme, ndaj çdo individi që kërcënon këtë objektiv strategjik të këtij kryeministri, të kësaj qeverie, të ngushtojë çdo ditë hapësirat e informimit të qytetarëve.

Kjo për ne është e papranueshme, për PD, për secilin prej aleatëve tanë, për opozitën e bashkuar kjo është një vijë e kuqe, siç do të ishte në çdo vend sadopak demokratik.

Nuk dua të marr me radhë shembujt që ilustrojnë përshkallëzimin e kësaj lufte të shpallur kundër medias, kundër gazetarisë, kundër lirisë së shprehjes, sepse këtu në këtë tavolinë kemi mjaftueshëm prej kolegëve tuaj që janë mishërim i këtij degjenerimi të paimagjinueshëm të lirisë së medias në 30 vite dhe të presionit të jashtëzakonshëm, që po bëhet për të kulmuar në propozimin që do të shkojë në Kuvend ditën e mërkurë, propozimin për të instaluar edhe me ligj censurën.

Dua t’ju them tre gjëra:

Së pari, të vetëdijshëm edhe për mangësitë tona dhe për problemet tona, edhe sot si opozitë, edhe dje si qeverisje dua t’ju them se synimi ynë, objektivi ynë është t’i japim vendit jo vetëm një kuadër ligjor por edhe të gjitha instrumentet për të mbyllur një herë e përgjithmonë derën e hambarit të shëmtuar të tranzicionit përsa i përket lirisë së medias, për ta zhvendosur median dhe lirinë e shprehjes  përfundimisht në hapësirën europiane sa i përket lirisë, standardeve, normave, praktikave të vetë rregullimit dhe të autonomisë, sa i përket legjislacionit të medias, rolit të gazetarëve dhe të shoqatave të gazetarisë.

Së dyti, padiskutim që, nëse çmenduria çohet deri në fund, ditën e premte nga parlamenti i cunguar dhe ilegjitim opozita jo vetëm që nuk do ta njohë, por do të bëjë çdo gjë që sa më shpejt, sapo të ketë mundësinë dhe përgjegjësinë e qeverisjes ta zhbëjë këtë legjislacion. Ndërkohë që do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në bashkërendim me ju, me shoqatat që ju përfaqësoni, brenda dhe jashtë vendit për të pezulluar, zmbrapsur dhe anulluar çdo masë të tillë arbitrare.

Së treti, dua t’ju them se këtë partneritet, për hir të mirë informimit të qytetarëve, pa të cilën nuk mund të ketë demokraci funksionale, nuk mund të ketë një shoqëri të lirë, duam ta përkthejmë në një bashkëpunim konkret, i cili, jo nesër, as pasnesër, por sot, në kuptimin metaforik të fjalës, t’i japë çdo gazetari, çdo punonjësi të medias, çdo qytetari shqiptar konturet dhe përmbajtjen e një korpusi legjislativ dhe rregullator që do të varrosë njëherë e përgjithmonë mundësitë e një qeverie nesër për ta trajtuar pushtetin e katërt - siç jemi mësuar rëndom këto 6 vite, por edhe gjatë tranzicionit apo siç e trajton pushtetin e tretë, apo pushtetin e dytë - si një shtojcë të qeverisë, apo përndryshe, si një bezdi që i duhet mbyllur goja me kërcënime, me para apo me çdo formë tjetër.

Kjo që po ndodh është dramatike, por jam dakord me analizën e një prej kolegëve tuaj se është vetëm një akt tjetër në një dramë të madhe që ka nisur të shpaloset dhe që  ka për qëllim asgjësimin e të gjithë shtyllave kryesore të një shoqërie të lirë e demokratike, lirisë politike, lirisë së zgjedhjes, shtetit të së drejtës, duke e zëvendësuar me shtetin e fermanit, respektit për kushtetutën dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, drejtësinë e pavarur dhe median e lirë.

Po e përfundoj me faktin që nuk besoj se ka ironi më të madhe në historinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, që shteti i përzgjedhur, në kulmin e një krize politike, për të marrë kryesimin e kësaj organizate, e nis kryesimin e kësaj organizate me një paralajmërim për një sjellje rrugaçërore, kriminale, në raport me një nga kolonat kryesore që kjo organizatë ekziston - lirinë e medias.

Me këtë nuk dua të them asgjë më shumë e asgjë më pak sesa mirënjohjen për të gjithë ata përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, që kanë ngritur zërin dhe i janë përgjigjur shqetësimit legjitim nga ju dhe nga shoqatat e organizatat tuaja. Kam dhe një thirrje për të gjithë faktorët politikë, jopolitikë, shoqërore dhe ndërgjegjes qytetare për t’u bashkuar në këtë betejë, në këtë kauzë, që, natyrisht, është e gazetarëve, është e medias, padyshim është e politikës, por, mbi të gjitha, është e qytetarëve.

E mbyll duke thënë edhe një herë se këtu nuk na bashkon thjesht dhe vetëm simpatia, dëshira për të mbrojtur gazetarët, për të mbrojtur luftëtarët e fjalës së lirë. Na bashkon diçka shumë më fondamentale, interesi publik.

Përpjekja për të shkatërruar një nga instrumentet kryesorë të demokracisë, që është mirë informimi i qytetarëve, është thjesht kriminale dhe duhet të ketë  një përgjigje totale, frontale dhe proporcionale.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptari16/12/2019 21:02

Bravo Basha!! Ja keshtu i behet opozite Rames!!!! E bete Ramen copa, e bete!!!
Vetem me dekllarata "bombastike", vetem me fjalime dhe hartime te bukura gjimnazistesh, vetem me gam-game mediatiko-elektronike dhe konferenca shtypi, Rama do te rrije ne pushtet edhe 30 vjet te tjera, deri sa Zoti t'ia marre fuqine e trupit dhe mendte e kafkes!!!
Ju rrini aty neper foltore dhe banaqe televizive duke vene kujen, dhe mos beni asnje veprim!!!
Ai vazhdon punen e tij dhe ju vazhdoni beni hartime te bukura!!! Populli po mjerohet cdo dite!!
Vazhdoni dhe prisni qe Rama te beje grabitjet e radhes politiko-ekonomike!!!
Sot Rama po udheheq OSBE dhe nuk e rruan fare as per SHBA dhe as per BE, e jo me nga OPOZITA virtuale!!!!
Vetem kryengritja popullore dhe mosbindja civile mbarekombetare si ne vitet 1990-1991 e rrezon Ramen nga pushteti! Cdo rruge tjeter eshte demagogji dhe shtyrje kohe!

Nebil16/12/2019 20:55

Ju nisa para pak oreësh pikpamjet e mia mbi te drejtat ne nje shoqeri te lire por edhe ju si Edvin Kristaq Rama e censuruat.

Nebil16/12/2019 18:19

Zoti Basha,
Janë dy të drejta themelore:
1. E drejta e Jetës, pra asnjë nuk ka të drejtë të kërcënojë jetën e individit.
2. E drejta e Pronës Private Legjitime dhe të Trshëgueshme.
Mbi këto dy të Drejta Themelore ngrihet institucioni i Lirisë së të Shprehurit dhe Fjalës së Lirë, i të Drejtës së të Zgjedhurit dhe Zgjedhjes dhe pluralizmit politik etj etj...
Opozita aktuale plus Pozita bolshevike janë autorë të riinstalimit të nje diktature rrugaçësh dhe narkotrafikantësh ordinerë.
Bëni si të doni por jeni në kolaps, Zoti goditi Sodomën por nuk ka goditur Gomhorën!

krasasi tp16/12/2019 14:56

Gazetaret ne gjithe keto vite kane qene te pa goje.Ata futen ne zyre me mendjen e tyre dhe punojne dhe dalin nga zyra apo tereni me mendjen e shefit te medias.Ku ka kontrata afat gjata me gazetaret,per pagat ,sigurimet shoqerore dhe per politikat editoriale te percaktuara per nje periudhe qe i tejkalon ndryshimet apo ciklet qeverisese.Pra 'shpirti' i gazetarit eshte zene ne cark nga interesat e pronarit te medias.Reklama-tendera-leje ndertimi.Krijoni po jua mbajti nje grup "gazetaresh te shtetit" qe paguen me para publike dhe mbrojne interesat publike.Kete punen e anekdotes nuk po e kuptoj.Sipas meje shteti mbron sekretet ,gazetari ja krren.Me perjashtim te sekreteve qe lidhen me sigurine kombetare.Dokrrat e "mediave te kazanit"qe disinformojne opinionin publik dhe i krehin bishtin qeverive te radhes nuk i hyjne ne pune publikut.

Shto koment

Denonco