Qeveria, e vetmja arsye për panik

Qeveria, e vetmja arsye për panik

Nga Ergys Mërtiri - 15/12/2019

Që prej tërmetit të 26 nëntorit, kemi një situatë aburde, të përthyer në disa drejtime. Pikë së pari, në vend që qeveria të japë llogari për përgjegjësitë e saj, ajo hidhet në sulm duke akuzuar mediat për gjithça që ato raportojnë.

Nga ana tjetër, ndërsa mediat po e ndihmojnë me mish e me shpirt, duke ia fshehur përgjegjësitë e duke ia kuruar imazhin deri aty ku nuk mban, përsëri ato janë objekti i sulmit të përditshëm të kryeministrit! Në një kohë që kontrollon çdo burim mediatik duke monopolizuar fjalën e lirë, ai shfaqet si armik i mediave dhe si shpëtimtar i popullit prej tyre!

Më në fund qeveria e gjeti një armik të popullit ku të shkarkojë frustracionin e popullit. Mediat janë sipas saj, kazani, tërmeti, llumi, i këtij vendi, megjithëse në realitet Kryeministri është 24 orë në televizor, duke bërë propagandë dylekëshe me të cilin kërkon ti shpëtojë përgjegjësive.

Gjatë gjithë ditës, televizionet transmetojnë vetëm një njeri, duke aktruar në mënyrën më qesharake si bamirës zemërmadh i pikëlluar për dramën e njerëzve, si hero që po përleshet egërsisht me fatkeqësinë, duke bërë një punë titanike për të minimizuar pasojat e për të kthyer normalitetin, madje edhe si showman që argëton turmat me humor e batuta.

Qeveria nuk jep llogari për cilësinë e ndërtimeve që sollën këtë situatë, nuk jep llogari për degradimin e plotë të emergjencave civile ku rezultoi se nuk kishim as mjetet më elementare të ndërhyerjes si doreza e kokore, qen nuhatës apo aparatura identifikimi për trupat në rrënoja.

Po kështu qeveria nuk jep llogari as për menaxhimin skandaloz të krizës humanitare, duke i lënë mijëra njerëz nëpër fshatra pa asnjë lloj përkrahjeje – as çadra, as dyshekë e mbulesa, as veshmbathje e madje as ushqime. Qeveria nuk jep llogari as për viktimat e shkaktuara drejtpërdrejt prej saj, për shkak se nuk mori masa për pallatet e dëmtuara në shtator, nga tërmeti i parë. Përkundrazi, qeveria ka kurajë të kërkojë llogari e madje me një gjuhë agresive ndaj mediave, duke kërcënuar fjalën e lirë, duke mbyllur portale e madje edhe duke arrestuar aktivistë. Për këtë i duhet një alibi: Mediat po përhapin panik.

E për të shmangur panikun, u dashka cënuar liria e fjalës! Në fakt, kushdo e kupton se ky është vetëm pretekst. Nuk është paniku, por pikërisht liria e fjalës ajo që shqetëson kryeministrin.

I vetmi panik, të cilit i druhet qeveria, ëshët mundësia që disa të vërteta të thuhen lirisht. Në mënyrën më të turpshme, Rama po shfrytëzon fatkeqësinë e vendit për të realizuar ligjin kundër portaleve, të dëshiruar me kohë, të cilin nuk ka mundur dot ta miratojë pas reagimit të ndërkombëtarëve. Kjo kryqëzatë kundër medias, është thjesht një përgatitje e Edi Ramës, për të kryer goditjen e rradhës në funksion të zaptimit të pushteteve të pavarura në duart e tij.

Qëllimi është të shtjerë në dorë edhe atë hapësirë periferike mediash të dorës së dytë e të tretë, që kanë mbetur jashtë kontrollit, pasi po provohet që të vërtetat bërtasin aq fort kundër tij, sa dëgjohen në edhe nga mjete informimi fare të pafuqishme. Në fakt, i vetmi burim paniku në vend është qeveria. Kur ne shohim që shteti nuk ka as kokore e dorashka për ekipet e emergjencës, kur shohim sesi njerëzit lihen pa ushqim e pa çadra në qiell të hapur, kur ne shohim sesi qeveria reagon në mënyrë harbute ndaj të vërtetave, natyrisht që kuptojmë se shteti nuk ekziston, në mos është armik i qytetarëve. Por nuk është kaq. Çështja është se shteti po vazhdon të sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe nuk duket të ketë reflektuar aspak pas tragjedisë.

Asnjë hap serioz nuk duket në funksion të rritjes së përgjegjësisë në funksion të sigurisë. Asnjë hap nuk është marrë për të hetuar fajtorët. Asnjë hetim nuk u hap as për lejimin e banimit në pallatet e rrëzuara në Thumanë, megjithëse ato u dëmtuan në tërmetin e parë. Ndërkohë, pas dorëheqjes së Kryetares së Bashkisë së Durrësit, rezulton forcimi i pozitave të Vangjush Dakos, në këtë bashki. Përkundrazi, lufta ndaj të vërtetës në emër të panikut tregon më shumë se shteti ka frikë nga e vërteta gjë që nuk premton siguri për të ardhmen.

Ministri Lleshi reagoi në mënyrë të dhunshme dhe histerike kur një inxhinier i foli për rrezikun e një ndërtese, ndërsa garancitë e ofruara nga ministri nuk ofroheshin nëpërmjet asnjë dokumenti zyrtar. Në emër të pengimit të panikut, Lleshi, ashtu si shefi i tij kryeministër, po iu mbyll tashmë gojën ekspertëve. Qeveria po tregon në çdo rast se nuk është e besueshme.

Jo më kot, mijëra qytetarë i dërguan kontributet e tyre tek Teatri dhe jo tek tenda e Bashkisë. Mosbesimi tek shteti është burimi më i madh panikut në këtë vend dhe kjo qeveri ka provuar fuqimisht se përbën kërcënimin më të madh për sigurinë dhe jetën qytetarëve, më shumë se çdo tërmet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

ai15/12/2019 21:13

Do të desha që në mediat shqiptare, disa pena të forta të kishin trajtuar një nga marrëzitë më të mëdha të Ramës, në show-et e përditëshme që ka bërë gjatë traumës së tërmetit.
Jam skandalizuar veçanërisht me show që bëri në familjen e një djali që u hodh nga ballkoni në momentin e tërmetit.
Djali nga tmeri bëri një veprim shumë të rrezikshëm që për fat nuk pati pasoja fatale.
Por a duhej ti bënte propogandë kësaj ngjarje një kryeministër e bile ta quajë kampion duke i premtuar se nesër do të vijë unë e të përcjell për në shkollë ?
Duke parë kryeministrin që po e bën hero këtë djalë, në rastin e ndonjë tërmeti tjetër, fëmijtë mund të "frymëzohen" që për të bërë heroin të hidhen nga ballkoni.
Përse duhej transmetuar në televizion një skenë e tillë idiote por edhe makabre ?
Më keq akoma në vënd që mediat ta demaskonin si një ndër veprimet më të marrëzishme të Ramës, pashë në një gazetë servile të tij të komentohej kjo ngjarje si një shfaqje e dhimbsurisë së kryeministrit.

Askushi15/12/2019 20:49

E keqja e vertete eshte gangestri Rama, horri Rama.

Shto koment

Denonco