Përdorimi i tërmetit për rindërtimin e imazhit të ‘Liderit’

Përdorimi i tërmetit për rindërtimin e imazhit të ‘Liderit’

Nga Avni Nezaj - 12/12/2019

Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit ishtë një tragjedi e madhe. Me dhjetëra të vdekur e qindra të plagosur me dëme kolosale në ndërtime e në psikologjinë e njerëzve që e përjetuan atë moment të frikshëm.

Por propaganda e shpifur zyrtare dhe e mediave të kapura nga Kryeministri ka privatizuar hallin e njerëzve dhe po e përdor për një arrnim të imazhit të njeriut që shkatërroi integrimin e Shqipërisë e që po izolon vendin duke detyruar shqiptarët të ikin me shpejtësi nga shtëpitë e tyre, jo nga tërmeti, por nga zullimi rilindas.

Propagandës alla-komuniste nuk i shpëton asgjë. Vetëm ai të jetë aty, pranon gjthçka, bën gjithçka, përulet edhe krifet, sorollatet, vetëm të jetë aty.

Nuk i bën përshtypje asgjë, as morali, as e keqja, as akuzat, as varfëria, as ikja e pandalë e shqiptarëve, vetëm të jetë aty ku është, në selinë e qeverisë dhe në qendër të vëmendjes.

E keni venë re, vishet e zhvishet, ngrefoset e kullundriset, herë si vajtojcë e herë si këngëtare, herë si sportist e herë si shofer, herë si tritolvënës e herë si deputet.

Vetëm të jetë aty.

Herë zbadhur e herë me kepucë, herë më atlete e here pa to fare.

Vetëm të jetë aty, prezent e jo se bën ndonjë punë. Vetëm të jetë aty.

Dikush bën ndonjë film, ai duhet te jëtë aty. Dikush bën ndonjë emision të shikueshëm, duhet të jetë aty, dikush ndihmon- duhet të jetë aty, dikë kanë marrë në intervistë tre televizione, ai duhet ta takojë. Vetëm të jetë aty prezent pa bërë asnjë gjë perveç mashtrimeve.

Herë vishet me nallane e herë pa nallane, vetëm të jetë aty.

Duhet të jetë në një farë mënyrë aty. Pasi ta huajt ia kanë vënë vizën. Ai duhet të jetë në mendjen e shqiptarëve në një mënyrë. Duhet të bindë edhe të tijët që nuk e besojnë më se ai është aty.

Nuk takon askënd e nuk e qas askush për të zezat që i ka bërë këtij vendi, po ai është aty. Erdogan i jep shpresë, i jep dritë, i jep kuroja e askush tjetër. Po ka edhe mediat e blera në Tiranë që i rrinë LIVE pas shpinës.

Edhe lakuriq do të dalë, vetëm të jetë aty e njerëzit ta shofin. Ka frikë nga e ardhmja.

Ndërkohë që njerëzit kanë nevojë për ndihmë, solidaritet, ide e projekte, ai shkon e herë i shtrëngon në shpinë e herë në sup, e herë u shtrin dorën t’ia puthin si shpëtimtar, duke e ditur fare mirë se ai është fatkeqësia e tyre. Jo për tërmetin, se ato i sjell natyra, por për stresin që po jetojnë pas tij për hallet  e mëdha që i kanë pllakosur e për situatën në të cilën ndodhen e në të cilën i gjeti tërmeti.

Nuk shkon t’i ndihmojë se asnjë lek qeveria e tij nuk ka nxjerrë për t’i ndihmuar, por shkon vetëm që të jetë aty, në qendër të vëmendjes, duke e ditur se vendi ku mund të jesh vërtet në qendër të vëmendjes është morti, është tragjedia.

Sajon video si një nxënës shkolle vetëm të kujtojnë njerëzit që ai po punon, është aty. Të duket sikur ai ka vetëm problem hallet e tyre, por ai ka problem vetëm hallin e tij dhe të zullumeve që e presin pasi të mos jetë më aty, tek ajo karrigia që i rri herë sipër, herë anash, herë në majë, prej disa vitesh.

Turpi nuk ka problem për të, as sjelljet vulgare, thjesht kjo është një minutë ose një orë më shumë i komentuar në media, i komentuar në rrjet, në skenën politike apo edhe atë publike ku e ka me shumë qejf. Sepse ai është "lider", e liderët kanë një ndjenjë përfaqësimi më të gjerë se një kryetar apo një kryeministër, se një president apo një drejtues dikasteri. Lideri është gjithkund, për gjithçka dhe në gjithfarësoj mënyrash.

Dikush e ka konsideruar si sëmundje, dikush si delir, por kjo është më keq akoma pasi ka kaluar edhe sëmundjen, edhe delirin e tij. I është kthyer në një realitet, çka përbën një rrezik të madh, që kjo mënyrë jetese e sjelljeje t’i imponohet më shumë edhe shqiptarëve, atyre pak që kanë ngelur akoma në këtë vend e mendojnë të ndërtojnë jetën e tyre këtu.

Kanë nisur ta kopjojnë vartësit e tij, i thurin lavde ndërkohë që banoret s’kanë ku të fusin kokën, i thurin këngë e poezi ndërkohë që pleq pa ndihma kanë mbetur nëpër çadra duke luftuar me sëmundjet dhe të ftohtin. Vetëm ai të jetë aty. Sepse po nuk qe aty, do te jetë diku tjetër. Po deri kur do jetë aty e jo diku tjetër, që shqiptarët të marrin frymë lirisht e nëpër dogana të kalojnë turistë e jo shqiptarë, herë si turistë e herë si emigrantë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco