Shqipëria e marrë peng dhe Maqedonia e Veriut përballë BE

Shqipëria e marrë peng dhe Maqedonia e Veriut përballë BE

Nga Bujar Nishani - 12/12/2019

Në median shqiptare ka qarkulluar një informacion mbi një projekt të ri, i disa vendeve të BE, për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Mbetet për të parë më konkretisht se çfarë përban ky projekt dhe ajo platformë. Një gjë është e sigurt dhe nuk ka as ndryshim e as dyshim. Ballkani ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë natyrore dhe politike e Evropës. Integrimi i tij në BE është një proçes jetik dhe i pakthyeshëm si dhe dera e perëndimit është një derë e hapur për ne.

Ajo që është esenciale në këtë proces dhe në vetë rrugëtimin integrues është transformimi, përafrimi, qënia gati për kontribute, janë standartet vetë. Pikërisht në debatin mbi standartet dhe real-proçesin duket e fokusuar situata dhe diskursi aktual i cili ka qëndërzuar madje edhe dallimet e veçimin e procesit jo vetëm për rajonin në tërësi por edhe vendimin gjykues midis situatës në Shqipëri dhe asaj në Maqedoninë e Veriut.

Dallimi midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është i konstatueshëm lehtë. Për fatin e keq tonin, penalizues për ne. Kjo aspak për shkak apo përgjegjësi të qytetarëve tanë, që megjithatë në fund vuajnë pasojat. Por nëse nuk i themi, nëse nuk i denoncojmë, nëse nuk i ndryshojmë, këto pasoja vijojnë pafundësisht jo vetëm mbi ne, por do t’ja trashëgojmë edhe gjeneratës së fëmijve tanë.

Përtej konsensusit të madh për çështjen e emrit me Greqinë, në Maqedoninë e Veriut u realizuan zgjedhje të lira, jashtë ndikimit të krimit të organizuar e oligarkëve të korruptuar, duke lejuar rrotacionin normal te pushtetit sipas vullnetit real të qytetarëve.

Në Shqipëri ky proçes themeltar i demokracisë është i bllokuar dhe mbahet peng nga një rregjim i bërë njësh me krimin e organizuar dhe oligarkë të korruptuar.

Në Maqedoninë e Veriut, u goditën fort krimi i organizuar dhe oligarkët e korruptuar që ishin zhytur në krime elektorale dhe korrupsion masiv.

Në Shqipëri nuk ka asnjë shenjë të vullnetit qeveritar për këtë.

Tragjedia e fundit nga tërmeti jo vetëm ju tregoi shqiptarëve produktin e mafies së betonit me liçenca qeveritare por dhe pafuqinë e shtetit për ndëshkim të papërgjegjshmërisë së pushtetit.

Në Maqedoninë e Veriut u prangosën pa ngurrim edhe aktorë që u servirën si shpëtimtarët e drejtësisë, në Shqipëri mbetet për t'u parë a do të përgjigjet shpejt para ligjit autori i një prej skandaleve më të mëdha të proçesit të reformës në drejtësi, në minimin e kushtetutës për Gjykatën Kushtetuese.

Në Maqedoninë e Veriut u hapën hetime të gjëra mbi përgjimet e aferave korruptive të politikanëve të lartë, kryeministër, ministra, shefa të shërbimeve sekrete etj.

Në Shqipëri, nga OSBE rrodhi një material ku përmëndej se Kryeministri i vendit kishte transferuar në SHBA 200 milion dollarë.

Hakmarrja për këtë raport mesa duket i kushtoi largimin e parakohshëm nga detyra të ish Ambasadorit të OSBE në Tiranë në atë kohë, megjithëse ishte një prej diplomatëve par excelence më të respektuar në të gjithë rajonin tonë.

Kjo çështje është prova e parë e vërtetë për Prokurorin e ri të Përgjithshëm të Republikës.

A do t'i shkruajë e kërkojë Prokurori ynë i Përgjithshëm, personalisht Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA për një marrëveshje ndërinstitucionale për hetimin e kësaj çështje ?

Pra ja ku shohim dallime thelbësore në përpjekje, performancë, sjellje shtetërore, kulturë demokratike midis dy fqinjësh por dallueshëm ndaras në modele qeverisëse.

Nga ky dallim modelesh, qasjesh e vullnetesh, bindesh plotësisht se çdo platformë, projekt, proçes integrimi do të varet së pari e mbi të gjitha tek modeli politik, shoqëror e kulturor që ofron vendi.

Thelbi i suksesit të integrimit evropian në Shqipëri mbetet ndalimi i autokracisë së rregjimit monopartiak, lufta kundër krimit të organizuar dhe dekriminalizimi i institucioneve qeverisëse që nga Parlamenti, administrata publike, bashkitë e deri tel policia e agjensitë e tjera ligjzbatuese.

Thelbi mbetet tek lufta kundër korrupsionit dhe largimi i duarve të oligarkëve të korruptuar mbi paratë dhe pronat publike.

Thelbi është rikthimi i shtetbërjes normale mbi reforma reale në Shqipëri.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco