Një iluzionist mbi gërmadha, duke shtrënguar ‘zogun’ që i solli tërmeti!

Një iluzionist mbi gërmadha, duke shtrënguar ‘zogun’ që i solli tërmeti!

Nga Poli Hoxha - 11/12/2019

Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë!

Fiks kështu po ndodh, të paktën tani për tani, me Edi Ramën si politikan, kryeministër, shef i Rilindjes, kryetar i bashkisë së Tiranës e de fakto, edhe asaj të Durrësit për shumë mandate.

Shprehjen e mësipërme, e cila është bërë globale nga një frazë në librin e filozofit Fredih Niçe, ‘Perëndimi i idhujve’, Edi Rama  e ka përdorur dendur gjatë këtyre ditëve të zymta. Dhe ai vërtet pas 7 vitesh ‘tërmet’ ekonomik e demografik që i bëri këtij vendi vepron si një njeri që i është dhënë shansi, që ta nis nga e para dhe të shfaqet edhe më i fortë.

Ka marrë të njëjtën xhaketë të dalë boje të propagandës së tij populiste që përdor nëpër fushata elektorale, e ka kthyer mbrapsht dhe shëtit gërmadhë mbi gërmadhë, si perëndia e Rindërtimit dhe e Shpresës.

Pasi kanë kaluar 2 javë nga tërmeti i madh i 26 nëntorit, mund të shohim qartë se tulatja e shqiptarëve, e zërave kritikë dhe veçanërisht ajo e opozitës është shtuar, kurse Edi Rama dhe klonimet e tij po rilindin së dyti mbi gërmadhat, të cilat më së shumti i kanë krijuar vetë me korrupsionin e dalë jashtë kontrollit.

Po u bien daulleve të shpirtit solidar e bujar të shqiptarëve, duke kompleksuar këdo që ka ca pyetje të thjeshta;

Pse shteti ishte inekzistent për një ngjarje si kjo; ku ishin emergjencat civile; nga kanë firuar paratë për ditë të zeza si këto; Cilët janë ata që kanë firmosur dhe kontrolluar pallatet e shtëpitë që u rrënuan fare kollaj; kush dhe pse e mbuloi krisjen e tërmetit të parë të 21 shtatorit;  çfarë po ndodh me dokumentacionin dhe dosjet në bashkinë e Durrësit, Tiranës, Kavajës, Shijakut, Kurbinit, Krujës; cilat janë firmat që kanë furnizuar ndërtuesit me beton dhe hekur skarco dhe çfarë lidhje kanë me pushtetin lokal dhe atë qendror...

Por jo; nuk duhet të pyesim për këto e të tjera (madje as për qentë inekzistencë të kërkimit që kushtojnë miliona në vit, në letra), sepse ‘përdhosim’ kujtimin e 51 të vdekurve dhe dhimbjen e të gjallëve.

‘Nëse nuk ndihmon dot, të paktën hesht’. Ky është çekani që na rri mbi kokë, edhe nga ata që kanë ‘dy pare mend’.

Ky imponim i heshtjes në këmbim të mitit të solidaritetit dhe bamirësisë ‘së rrallë’ të shqiptarëve, duke ndjerë keqardhje njëkohësisht, edhe për viktimat edhe për pushtetarët e biznesmenët e tyre makutë, tregon në fakt shpirtin prej skllavi që mbizotëron mes nesh.

Nuk ka kërkesë llogarie e as revoltë, sepse duhet të qajmë, pastaj të bashkohemi e të ecim përpara. Në fakt përpara po ecën vetëm axhenda e atyre që i dhanë një dorë të mirë ‘pabesisë’ së natyrës, siç e kamuflon Rama këtë që ndodhi. Po ecën përpara ‘zogu në dorë’ që solli ky tërmet, për të shtyrë në kohë të pacaktuar projektin kriminal të grabitjes së Shqipërisë. Tani jo nën okelion e Rilindjes, por të Rindërtimit!

Ky solidaritet pa revoltë e pa kërkesë llogarie, të kujton skllevërit që punojnë në një minierë e të cilëve ju bie tuneli mbi kokë e ju vdesin bashkë-gërmuesit. Pas tragjedisë, në vend që të revoltohen e të kapin për fytin padronin që i kishte lënë në mëshirë të fatit me kolona të kalbura që mbajnë malin, qajnë shokët dhe ndihmojnë që të pastrohen gërmadhat. Që biznesi të rinisë nga e para; si dikur!

Vetëm në një kolektivitet skllevërish, ndjenja e keqardhjes, bamirësia, lëmosha, ‘solidariteti’ prevalojnë mbi drejtësinë dhe kërkesën e llogarisë që ndryshon të ardhmen.

Kjo çudi po ndodh fatkeqësisht, në Shqipërinë post-tërmet. Viktimat dhe shkaktarët që e bënë edhe më të madhe gjëmën, janë bërë solidarë.  

Zakonisht kur bie një tërmet i madh minjtë janë të parët që ja mbathin për tu fshehur në gjirize, edhe më të thella. Kurse këtu po ndodh e kundërta; ata po na shfaqen si heronj dhe na kanë mbirë në ekran.

Duhej kjo katastrofë e ndihmuar më së shumti nga makutëria e atyre që kanë në dorë edhe betonin skarco, edhe hekurin e munguar nëpër kolonat e pallateve, edhe kontrollin, edhe firmën, edhe prokurorinë edhe Televizionin, edhe shkopin edhe arrën, që të shihnim sërish si protagonistë Vangjush Dakon e damkosur përjetë nga SHBA, Arben Ahmetajn e PPP-ve, Erion Veliajn e shkollave të rikonstruktuara me propagandë që maskon korrupsioni, etj, etj.

Në pritje të ndihmës nga Muhameti, Krishti, Abaz Aliu, Buda, Erdogani, Konferenca Islamike, BE, etj, jemi të detyruar të shohim një shfaqje sa makabre aq qesharake të iluzionistit Edi Rama.

Tashmë skena është mbi gërmadha. Nuk mund të mendosh, të pyesësh, të kërkosh llogari, të revoltohesh e as të vjellësh; vetëm të solidarizohesh. Kryeiluzionisti luan, 24 në 24 orë, në disa skena paralel dhe nuk mund të përqendrohesh dot as gjëkundi tjetër. Edhe po tentove, të kryqëzon ‘solidariteti mbarëkombëtarë’.

 Nga tryeza me bamirësit, te ai që i ka humbur gruaja. Nga qeni ‘analist’, te vogëlushi veshllapush; nga gishti i mesit lart, te lotët për të dashurën e birit; nga Bruno Vespa te Komiteti i Rindërtimit. Një tavolinë e rrumbullakët kjo, ku rinë engjëj e djaj së bashku!

Nuk e kuptoni  e as e shihni ngazëllimin e tij, për këtë ‘zog’ që i erdhi në dorë?!

Një ‘zog’ që e bën babanë e heroin e rindërtimit dhe i jep njëkohësisht edhe amnistinë e mega-grabitjes, që i ka bërë këtij vendi në 7 vite?!

Nuk ju bën përshtypje që parlamenti merret me heqjen e kompetencave formale të presidentit, por ‘ka harruar’ se brenda Dhjetorit duhej mbyllur Reforma Zgjedhore, se kushtet e Bundestagut gjerman nuk kujtohem më nga të gjithë?!

Si do largohet kjo e keqe që i ka mbirë vendit kur ajo ka aftësinë që të lulëzojë, edhe mbi gërmadhat e korrupsionit dhe makutërisë?!

Kur po duket qartë që edhe për ca vite nuk do të kemi as zgjedhje të sakta demokratike, as ndëshkim të zullumeve 7 vjeçare, por vetëm ‘Rindërtim’?!

Prandaj ka të drejtë Edi Rama që përdor kaq shpesh (për veten) shprehjen e Niçe; Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë. Madje në këtë rast po të dojë, mund edhe të shtojë;

Ky tërmet më erdhi si një ‘zog në dorë’ jo vetëm për amnistinë që kërkoja, por edhe për jetëgjatësinë në pushtet!

   

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Tiku12/12/2019 12:42

Sakte `Ajo`. Vetem nese e degjove fjalen e djeshme te Bashes kishte shume reflektime ne linjen e asaj qe ka shkruar Poli Hoxha dhe ketyre qe ke shkruar ti1

Ajo12/12/2019 12:02

Krist e ke gabim!
Nuk jam as e shitur per nje vend pune dhe as ne sherbim te Rames. Ne fakt une kam nje urrejtje te thelle ndaj komunizmit dhe nje mosbesim total tek politikat e majta ne pergjithesi. Per me teper nuk jetoj fare ne Shqiperi dhe fatkeqesisisht nuk besoj se do kthehem ndonjehere te jetoj ne vendin tim, pervec se nje vizitore here pas here. Por e dua vendin tim dhe jam shume e interesuar per gjithshka ndodh atje. Une kam qene mbeshtetese e PD- se edhe kur ajo gabonte dhe perseri do t’ja jap asaj voten nese ne zgjedhjet e ardhshme do behet votim elektronik nese do te na jepet mundesia e votimit edhe ne emigranteve.
Indinjata ime nuk ka te beje me faktin se une fajesoj opoziten per qeverisjen e tmerrshme te Rames, por per rolin teper te dyshimte qe po luan opozita qe prej shtatorit dhe sot. Pas nje opozitarizem te shkelqyer qe pati ne periudhen janar- 8 qershor, menjehere pas kercenimit te Palmerit per ti konsideruar si organizata terroriste nese vazhdonin me tej protestat tejet te ligjshme dhe te domosdoshme per fatet e demokracise dhe kushtuetshmerise se rrezikuar , PD dhe aleatet e saj u zhduken nga skena aktive politike!
Ndersa sot, pas atij termeti te tmerrshem qe mori jetet e 51 njerezve dhe shtepite e mijera te tjereve, opozita eshte shushatur pothuaj fare! Detyra e saj nuk eshte te behet furnizuese me ide dhe plan shpetimi per nje qeveri jo vetem te paafte dhe hajdute, por edhe vrasese! Po, po vrasese! Ato 51 viktima mund dhe duhet te ishin evituar nese te pakten pas termetit te 21 shtatorit do ishin mare disa masa per te parandaluar pasojat e tmerrshme te goditjes se radhes nga termeti qe po shkundte Shqiperine prej 1 qershorit. Por nuk eshte thjesht vetem faji i PD, por ne si popull kemi nje difekt te madh: sa me shume na shtypin, vrasin dhe poshterojne, aq me shume i duam diktatoret dhe hajdutet, sidomos ata qe jane bijte e eterve komuniste qe e konsiderojne Shqiperine ciflik te tyre. Shihni fytyrat e “ ngazellyera” te popullit te ngelur ne qiell te hapur kur kane mes tyre kryeministrin e cartur si nga mendja ashtu edhe nga pamja e veshja, teksa ai tallet dhe ben teater dhe nderkohe cimenton te ardhen e tij ne krye te vendit te pakten edhe per nje mandat tjeter.
Opozita duhej ta ngrinte popullin me kembe! Opozita duhej ta detyronte kete klloun te cmendur, por teper dinak dhe te rrezikshem te largohej nga politika nje ore e me pere! Nese nuk e beri sot ne kete situate katastrofike, s’ka per ta bere kurre!

krasasi tp11/12/2019 22:07

Kryeministri ,është politikani më jetëgjat.Nga minister kulture- kryetar bashkie/Tirane dhe kaq vjet kryeminister.E kam theksuar njëherë se, Ai i di fundin çdo 'kazani' nga media-biznesi-politika e deri te disa nderkombetare.
" Që të përmbysin ty,
duhet te permbysin,
tër këtë tokë të lashtë,
të përmbysin kështjellat, malet ,kengët,
të ngrenë nga balta e të rivrasin të rënët".Poeti që nuk po me kujtohet ,e kish fjalën për Partinë e Punës së Shqipërisë.Ja kaq e dashur dhe kaq e pathyshme eshte sot Rilindja.Sa për opozitën ,unë mendoj se është në "krye të detyrës".Para dy ditësh përfundoi me sukses ,aksioni e mbrojtjes së babalerisë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.A ka përveç gjuhes se papershtatshme te Z.Rama
gjate takimeve 'gju më gju' me hallexhinjte edhe aspekte te tjera qe opozita duhet t'ua krrej fundin?.Ne nuk jemi ne dasem dhe kemi frike se mos e prishim, per nje kokerr limoni.Nese diku ka abuzim, diku favorizim mbi baza partiake ,diku avashllek, opozita le ti ngrer ne katror, kjo nuk s'jell dem, perkundrazi.Investigo,dhe perplasja ne fytyre pushtetit."Mediat e kazanit" qenkan frenuar ne investigime, se nuk jua lejoka "solidariteti mbarekombetar". Faji kerkohet te qytetaret.Kur thone qytetaret qe keta jane bashkë."Një okë e pesë dhe një,okë pa pesë" e thote ndryshe, një nënë në lagjen tonë ,në rrugen:Kristaq Capo Tiranë.Shpresa se Reforma ne Drejtesi do sjell ndryshim te estabilishmentit te vjeter politik ,mbahet gjalle perderisa kete proces po e mbikqyrin dhe po e cojne para Amerikanet dhe BE.Ndryshe te rrimë urtë të gjithë, se na mer me sy te keq komandanti .e të bëjmë vënd, e të futemi.Te flasim "ashtu në përgjithësi",siç flete opozita dhe "sintentezistet"e 'kazanit.

Krist11/12/2019 17:57

Po shihet qarte qe |Syri,pranoka (ose i sajoka,vetem komente te kesaj natyre-fajin per gjithcka,e paska opozita ,qe nuk ka asgje ne dore (bile as votat qe vete Ajo,me shoket dhe shoqet e saja,ja ka dhene-shitur me para,me vende pune apo me....qe I din vete Ajo).Pra edhe ndertimin e shkaterrimeve prej termetit natyror,ndihmuar ne maksimum,nga ai korruptiv I bashkive me ndertuesit e karakatinave,qe paguajne per lejet qe nuk duheshin dhene,na e paska Opozita (por mos kujtoni Opoziten e Syrit)

Ajo11/12/2019 15:46

Faji eshte totalishtbi opozites! Turp! Deri me sot revoltohesha kur persona publike te shitur tek Rama apo simpatizante te se ashtuquajtur e majte, por ne fakt bij dhe niper komunistesh nostalgjike, sulmonin opoziten, a thua se ajo ishte pergjegjese per zullumet e Rames dhe Rilindjes se msllkuar pergjate 6 viteve e gjysem. Sot them, por per arsye krejt te ndryshme nga ajo kategori qe permenda, se faji eshte plotesisht i opozites! I lumte Edi Rames qe ben cfare ti doje qejfi me kete popull skllav dhe kete “ eunuk” opozite!

Shto koment

Denonco