Tërmeti, ajri, Pisa...

Tërmeti, ajri, Pisa...

Nga Astrit Veliqi - 10/12/2019

Alarmi tashmë ka rënë, madje disa herë, por zilja e tij si duket nuk po dëgjohet. Si gjithnjë, shteti i ka futur 'veshët në lesh'.

Për rastin e tërmetit në Shqipëri, ashtu edhe për ndotjen e ajrit në Kosovë, por edhe mos ta harrojmë testin e PISA-s alarmi jo vetëm që është ndezur por ka trazuar çdo qytetar që merr frymë e flet shqip.

Përderisa tërmeti i cili në Shqipëri ka qenë katastrofik ku ka shkaktuar 52 viktima dhe mijëra të plagosur, dhe shumë ndërtesa të rrënuara, ndotja e tmerrshme e ajrit dhe PISA tek ne në Kosovë ende presin zilen e alarmit të kuq, ku nga ndotja e madhe e ajrit po rrezikohet vetë jeta jonë, derisa nga PISA ende nuk jemi relaksuar nga debakli që kemi përjetuar si shtet sa i përket dijes në arsim.

Paralelja e tërhequr në një segment horizontal nuk është edhe pa ndonjë qëllim, por ajo që i bashkon tragjedinë e tërmetit dhe ndotjen e PISA-n janë në një vijë lineare e cila mund të lexohet në rresht brenda një rrethi vicioz shkak-pasojë.

Edhe pse tërmeti në Shqipëri u paralajmërua deri në një masë si një 'hipotezë shkencëtarësh', mëgjithatë nuk u mendua seriozisht për pasojat.

Klasa politike në pushtet e Rilindjes nuk i mori në konsideratë shkakun por as pasojat katastrofale që ndodhën pas dridhjes së madhe të tokës, ku la shumë viktima, por ra tërmeti atje duke çjerrur maskën e pushtetit dhe klaneve kriminale të ndërtimeve si në Durrës, Tiranë por edhe në shumë vende tjera në Shqipëri.

Pikërisht ajo çka ka ndodhur deri tash është si pasojë e mos-seriozitetit shkak-pasojë dhe anasjelltas.

E kjo po ndodh edhe tek ne në Prishtinë, ku paralajmërimet për ajrin e ndotur tashmë kanë marrë dhenë por si çdo herë alarmi po bie në veshë të shurdhër dhe strategjia për daljen nga ky kaos ambiental nuk po shihet aspak në horizont.

E pothuaj situatë të njejtë po përjetojmë edhe me testin e PISA-s, ku sikurse vjet edhe sivjet, pothuaj dija e nxënësve tanë ka mbetur në vendnumëro. 

E për këtë punë pothuaj nuk e çan askush kokën, madje as ata që udhëheqin me dikasterin e MASHT-it, që për çudi edhe pse janë derdhur miliona në emër të kurseve e trajnimeve për mësimdhënës, gjithçka që ka prodhuar është dështimi që si eksperiment qeveritar ka mbetur veç në letër.

Kjo treshe e fenomeneve për nga natyra është e ndryshme, por si gjithnjë shkaktari është i njëjti.

Njeriu me dorën e tij dhe mendjen e tij, po luan me fatin dhe jetën tonë.

Pse ne mund të pësojmë, nuk mërzitet askush...? Jo vetëm nga 'tërmeti'... por edhe nga ajri toksik ku tash e sa ditë Prishtina por përjeton një masakër ambientale me gazin toksik i cili ta zë frymën dhe pa përdorimin e maskës as edhe nuk mund të lëvizësh në mënyrë normale.

Kosova dhe sidomos Prishtina, edhe pse jetojmë në shekullin XXI për ndotjen e ajrit po krahasohet me Indinë, Pakistanin apo edhe me Bangladeshin...?

Kjo është e dhimbshme, por përveç institucioneve që duhet ta kryejnë detyrën e tyre ligjore, edhe qytetari duhet ta respektojë jetën e tjetrit, duke shpëtuar edhe vetën nëse nuk përdorë thëngjill apo edhe produkte tjera për ngrohje.

Jemi vend, i cili po aspiron të hyjë në BE dhe tash e sa kohë po tentojmë të dalim nga izolimi dhe ta fitojmë liberalizimin e vizave, prandaj edhe standardet evropiane sa i përket ndotjes që në start i shkelim.

Kosova shtet i dështuar...Dështimi nuk ka tjetër emër! Dështim dhe ngecje në integrim, të izoluar në geto, dështim nga ajri i ndotur dhe dështim edhe në edukim dhe dije me testin e PISA-s.

Paralajmërimet për pasojat në të ardhmen duhet të merren më seriozisht ngase, dikur do të jetë vonë, dhe rasti i tërmetit në Shqipëri është afresku më tragjik, që si shembull nuk do t'i falej as shtetit të Kosovës. 

SYRI.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco