Pse nuk duhet të kompleksohemi nga politika pas tërmetit

Pse nuk duhet të kompleksohemi nga politika pas tërmetit

Nga Enton Palushi - 06/12/2019

Sa herë ndodhin tragjedi të rënda në vend, disa nga shprehjet që dëgjon të qarkullojnë më së shumti janë se ‘nuk është momenti për të bërë politikë’ apo se ‘duhet të ngrihemi mbi politikën’. Mirëpo, sado që të pretendojmë se nuk po bëjmë politikë, nuk ekziston diçka e tillë si të mosbërit politikë.

Madje Salman Rushdie argumenton se është idiotësi të pretendosh të ngrihesh mbi politikën sepse politika është kudo rreth nesh, anash, lart, poshtë. Politikë bëhet edhe kur nuk del në publik, edhe kur zhdukesh larg mediave, por edhe kur del e flet për gjëra që nuk kanë lidhje me politikën. Madje edhe kur merr vendim për të qëndruar jashtë politikës, thjesht u jep mundësi të tjerëve që t’i japin formë politikës siç duan ata.

Kështu ka ndodhur edhe pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, kur njerëzit po bëjnë të njëjtën thirrje në median sociale. Në parim është e kuptueshme se përse njerëzit kërkojnë që të mos bëhet politikë, pasi për shumë njerëz, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet më të zhvilluara në botë, politika simbolizon gjithmonë e më shumë të keqen.

Megjithatë për të bërë dallimin se përse nuk duhet të kompleksohemi nga politika, shihni se sa shpejt mediat e huaja, gjermane, italiane, greke apo zvicerane, nisën të bëjnë politikë duke raportuar se tërmeti tragjik i 26 nëntorit do kishte shkaktuar më pak dëme dhe viktima sikur të mos ishte për korrupsionin kriminal në ndërtim dhe mungesën e shtetit. Me pak fjalë, brenda kësaj historie ka fajtorë dhe prej saj duhet të dalin të ndëshkuar.

Edhe kryeministri Edi Rama nuk po lë moment pa përdorur pas tërmetit që të bëjë politikë, madje duke bërë thirrje për një takim mes tij dhe kreut të opozitës.

Pikërisht sepse kjo ftesë është vendosur në sfondin e urrejtjes ndaj politikës dhe nevojës për të gjetur fajtorët për katastrofën e 26 nëntorit, ajo ngjan si një kurth. Një gjë është e sigurt, fotoja mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës nuk do shihet si paqtim, por si një bashkim për të dalë përpara syve të njerëzve si bashkëfajtorët e politikës së keqe të këtyre viteve.

Pikërisht kjo ekuivalencë false nuk i duhet në këtë moment vendit dhe as politikës. Aq më tepër opozitës, e cila jo vetëm është diferencuar dhe po diferencohet, por edhe e ka denoncuar që në fillim katastrofën e pritshme. A nuk ishte kjo opozitë e cila që në ditët e para ka denoncuar katrahurën që po bëhet me ndërtimet në Tiranë, Durrës dhe kudo që është përçuar modeli korruptivo-kriminal i Edi Ramës?

A nuk është kjo opozitë që ka denoncuar se arka e shtetit po punon vetëm për një grusht personash dhe koncesionet e tyre marramendëse, ndërkohë që tani në ditë të zezë nuk ka fonde për mijëra e mijëra qytetarë të rrënuar? A nuk është opozita, e cila ka denoncuar keqqeverisjen, paaftësinë në administratë dhe korrupsionin galopant që e kanë çuar shtetin në pikën ku nuk ka asnjë qen për operacionet e kërkim-shpëtimit? A nuk është kjo opozitë që ka denoncuar se kjo qeveri ka më shumë fjalë e shfaqje, ndërsa i lejoi njerëzit që të qëndrojnë në banesa të rrezikshme pas tërmetit të parë të shtatorit duke i çuar drejt vdekjes?

***

“Zoti mund të na e kishte kursyer këtë”. Kështu e titullon Radio-Televizioni i Zvicrës një kronikë për tërmetin, referuar moralit të rënë përtokë pas ngjarjes tragjike. Besimi ndër shqiptarë se Zoti po vazhdon të dërgojë mallkime mbi ta po bëhet gjithmonë e më i madh tashmë në mes të dogmave që i shpërndan edhe vetë kryeministri.

Mirëpo sado iracionale të bëhet mendja njerëzore pas katastrofave, askush, asnjë historian, ekonomist apo sociolog nuk mund të gjejë një provë të vetme se disa popuj apo vende janë të bekuar dhe të tjera janë të mallkuar.

Asnjë shkencëtar apo studiues nuk do ju ofrojë një provë të vetme që të tregojë se shqiptarët janë ndryshe nga gjermanët, italianët, suedezët apo amerikanët.

Por të gjithë mund të thonë diçka: ka politika të mira dhe politika të këqija. Ka qeverisje të mirë dhe qeverisje të keqe. Pas katastrofave kaq të rënda, kur besimi është akoma duke u lëkundur fort si një lavjerrës, njerëzit kanë nevojë për të bërë dallimin mes të mirës dhe të keqes. Prandaj opozita nuk ka pse kompleksohet nga të bërit politikë dhe duhet të tregojë se është në anën e së mirës.

Ndërkohë çdo qytetar i këtij vendi duhet ta kuptojë se sado të madhe të ketë mërzinë, zemërimin apo dyshimin, sërish ka vetëm një rrugë për të bërë mirë gjërat në vend. Ajo rrugë kalon përmes asaj që e urrejnë më së shumti. Përmes politikës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco