Më mirë një oficer, apo një inxhinier, apo të dy bashkë

Më mirë një oficer, apo një inxhinier, apo të dy bashkë

Nga Çlirim Gjata - 04/12/2019

Para vitit `90 kur ekzistonin ndërmarrjet shtetrore socialiste, nuk lejoheshin reklamat, por kishte anekdota për to. Një e tillë ishte edhe NISH-Goma, Durrës, e cila prodhonte mes të tjerash edhe çizme për punëtorët e ndërtimit. Për cilësinë e këtyre lloj çizmeve, në vend të reklamës, thuhej: Kur në Tiranë po ndërtohej 15-katëshi, një punëtor ra nga kati i 15-të. Vetë vdiq, por çizmet asgjë. Ishin NISH-Goma, Durrës.

Kjo m’u kujtua kur pashë ministrin Lleshaj (oficer në profesion) në dialog me një ing.ndërtimi i urbanistikës pranë Bashkisë Lezhë. Dialogu ishte në kufijtë e absurdit, pasi bëhej fjalë për një pallat 12-katësh, për të cilin dyshohej për rrezik shembjeje. Dialogu në vija të përgjithshme ishte i tillë që, urbanisti, inxhinier ndërtimi dhe nëpunës i administratës lokale njëkohësisht, pra një person që mban përgjegjësi direkte për ngjarjet ndërtimore në qytet, po sqaronte se ky pallat kishte dëmtime në kollonat mbajtëse në x kat.

Ndërsa Ministri oficer dhe oficer ushtarak jo shaka, pavarësisht se nuk ka bërë kurrë një luftë (nuk e di për meritë të tij a jo), i bërtiste nëpunësit përgjegjës: pusho, mos përhap panik; pallati është në rregull sepse nuk është thyer asnjë xham.

Pra teatri absurd është ky: ing.ndërtimit dhe urbanisti thonin që pallati mund të shembet se ka dëmtime në kollona; Ministri thoshte se, pallati nuk ka rrezik shëmbjeje se nuk është thyer asnjë xham. D.m.th. njësi matëse për rrezikun nuk janë kollonat e dëmtuara, por xhamat e pathyer.

Njëlloj si në anekdotën e çizmeve të NISH-Goma, Durrës. Punëtori vdiq, por çizmet asgjë; pallati u shemb, por xhamat nuk u thyen. Unë nuk e di se kur bie tërmet mund ta ketë njeri mendjen te xhamat.

Por kjo s`ka ndonjë vlerë. Ky debat, që mori dhenë, hap shumë tema diskutimi.

E para, ç`punë ka ministri oficer të vendosë se cili pallat rrezikohet e cili jo? Pse ndërhyn në gjëra që nuk i ka as zanat e as në funksion të punës së tij. Është njëlloj sikur urbanisti në fjalë në rast lufte t’i ulërijë tankistit: pse ashtu drejtohet tanku more karafil...?

E dyta, gangrenë në administratën tonë është nënshtrimi i nëpunësit para eprorit, pavarësisht pasojave. Sapo Ministri filloi t’i bërtiste, ing.ndërtimit e mbylli sqepin dhe nuk u ndie. Ç’i duhej atij të kundërshtonte Ministrin; me mirë të bjerë pallati. Shefi ka gjithmone të drejtë, sidomos kur nuk është thyer asnjë xham. Po kështu edhe Kryetari i Bashkisë. Nuk ka patur përplasje me Ministrin deklaroi. Punë e madhe pallati 12-katësh në tokë. Me Ministrin s`ka përplasje, ikni tashi. Po mor po, por kush mban përgjegjësi atje në Lezhë??

E treta, meqenëse Ministri oficer ka të drejtë për xhamat dhe ing.ndërtimit-shef urban nuk ka të drejtë për kollonat, le ta zgjidhim më thjeshtë. Në këto ditë tërmeti, përse nuk e bëjmë oficerin Shef Urbanistike dhe ing.ndërtimit Ministër të Brendshëm. Kështu gjithçka do të shkonte në vend dhe të gjithë do të ishin të kënaqur. Me përjashtim të xhamave kuptohet. Me çfarë po shohim në këtë kijamet, ku qeveria po i bërtet qenve te rrugës, bojaxhinjve të shkallëve dhe inxhinierëve të ndërtimit, le të ndodhë edhe kjo.

Për ta mbyllur m’u kujtua një ngjarje në Itali, këto kohë. Një karabinier kishte ndaluar një makinë për shkelje. Shoferi qëlloi prokuror. Por karabinieri, nuk po pyeste fare për postin e shoferit. Jam karabinier dhe pikë, këmbëngulte. Prokurori i nxehur ia kthen: e shoh, se po të kishe më shumë mend do të ishe bërë avokat, nuk do ngelje karabinier. Akoma vazhdon gjyqi në Itali për fyerje.

Që ta mbyllim me pallatin, uroj të mos ketë fatin e Ministrave të Brendshëm në gjithë historinë e së majtës shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Leshi04/12/2019 21:05

Ti Halim qe sdi kendim do te veme minister per arsim ,me qe ra llafi ti thot ndonjeri ministrit te leri mustaqe dhe mjeker si krye. K se Bracja e ka fiks ,do bere thirje dhe atij bidonit te kosoves Gentit qe te leri dhe ay.

Shto koment

Denonco