Triptik tërmetesh

Triptik tërmetesh

Nga Enver Bytyçi - 03/12/2019

1. Një tërmet shkatërrues ka lënë mijëra shqiptarë pa strehë e në ankth. Në këtë zallamahi dikush e cilëson kryeministrin afgano-pakistanez me çitjane si “baba”! “Ti je baba” – i thotë kryeministrit dhe ky i fundit tallet me ata që vuajnë tragjedinë. Dikush tha në TV se batutat e kryeministrit krijojnë shpresën. Kemi pritur prej 7 vitesh që mashtrimet e kryeministrit tonë t’i bëjnë shqiptarët me shpresë për të ardhmen. Por...

2. Tërmeti i dytë është arka bosh e qeverisë, ndërkohë që arka plot e oligarkëve pret të tejmbushjet nga ndihmat dhe fondet e huaja për tërmetin. Kjo do të thotë se hotelet do të jenë bujtina të përkohshme të atyre që shpresojnë për një shtëpi. Do të përfitojnë ndërtimin e shtëpive nja 10 për qind e të dëmtuarve, të cilët do të kenë fatin e atyre familjeve që takuan Dua Lipën. Të tjerët, edhe pse qeveria planifikon të shkurtojë pagat e mësuesve dhe mjekëve, pas një viti do t’i shohim në çadra! Ato që thotë sot kryeministri  do të rezultojnë njësoj si premtimet e qershorit 2013! O burra! Puthjani dorën mashtrimit të radhës!

3. Tërmeti i radhës është ikja! Ikja nga Shqipëria! Iku Agron Tufa prej tërmetit që shkakton qeverisja e vendit, jo nga lëkundjet e 26 nëntorit. Ikën qindra mijë gjatë këtyre viteve. Tani shqiptarët po bëhen gati të përsërisin pamjet tragjike të vitit 1991. Kujt i duhet ky tërmet?! Askujt tjetër veç një klike që ushtron pushtetin e vjedhur me arrogancë e dhunë! Tërmeti me emrin Agron Tufa është më i madhi, më i frikshmi, më i rrezikshmi për kombin shqiptar! Pllaka tektonike që e shkakton këtë tërmet e ka emrin Rilindje!

Vazhdoni e thoni se “po sheh zi”, por detyra ime është të paralajmëroj katastrofat që shpërbëjnë kombin shqiptar! Këto që shkrova nuk janë shpikje, as shpifje! Këtu do jemi! 

Edhe ato që shkruaja për paktin e Ramës me Vuçiç në vitin 2014 -2015 asokohe quheshin “trillime”, por që tashmë janë një realitet i hidhur!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

albana04/12/2019 09:04

realitet i hidhur, vertet

Shto koment

Denonco