Ky shtet llesh e li është burimi i vetëm i panikut

Ky shtet llesh e li është burimi i vetëm i panikut

Nga Ergys Mërtiri - 03/12/2019

Ndërsa kthehesha në darkë nga Shëngjini dhe Bupqi, ku dërguam disa rroba fëmijësh për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti, mësova se paskësha qenë i kallëzuar penalisht në Prokurori për shpifje dhe përhapje paniku.

Në fakt, krimi që kisha bërë, ishte se kisha fotografuar një makine policie teksa po shkarkonte qese ndihmash në Ministrinë e Brendshme, foto të cilat, faqja Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i publikoi, duke i kërkuar shpjegime ministrisë për këtë.

Nuk e di sa e vërtetë është se ka vërtet një procedim penal për dikë tek Aleanca. Personalisht nuk më ka komunikuar askush diçka zyrtare, por dje ka pasur një akt të shëmtuar me aktivisten Adriana Kalaja, të cilën kanë dashur ta shoqërojnë në polici, pa asnjë mandat, madje duke përfshirë edhe njerëz pa uniformë. Ligjërisht, ky quhet rrëmbim personi. Për këtë Policia e Shtetit duhet të mbajë përgjegjësi.

Në gjykimin tim, publikimi i pamjeve që ngjallin dyshim, duke i kërkuar institucioneve përkatëse shpjegime, është një akt i demonstrimit të përgjegjësisë qytetare. Në gjykimin ushtarak të Sandër Lleshajt, kjo quhet shpifje, vjedhje, ndërsa aktivistët që e bëjnë këtë - të cilët janë në fakt njerëz të nderuar dhe respektuar publikisht (artistë, publicistë, aktivistë, të njohur) – ‘konsiderohen hajdutë, pisa, e perversë pa nder’.

Nuk po merrem me gjuhën dhe histerinë e ministrit, i cili gjeti rastin të na shfaqë fytyrën e vërtetë, përtej maskës së intelektualit të qetë e buzagaz, që mban në parlament duke ruajtur qetësinë edhe kur kundërshtarët politikë e masakrojnë me akuza, nuk merrem as me barcaleta policësh si kjo e denoncimit të Aleances në Prokurori, por po ndalem me keqardhje vetëm tek mënyra sesi është degjeneruar ky shtet.

Një shtet si ky, komplet llesh e li, është burimi i vetëm i panikut publik. I dështuar plotësisht për të menaxhuar një krize, i kapur gafil, ku ekipet e emergjencës nuk kishin as kokore e doreza pune,- e lëre me pajisje teknologjike normale, si kudo në bote, - ku të mbijetuarit lihen rrugëve pa një strehë, pa një shtroje, pa bukë... ky shtet gjen kohë të shpenzojë kaq urrejtje ndaj disa aktivistëve, të cilët vullnetarisht po rropaten prej ditësh, për të ndihmuar në çdo fshat e çdo shtëpi.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka qenë këto ditë vatra e solidaritetit qytetar, duke dërguar në terren dhjetëra ton ndihma në ditë, me kamionë, furgonë, makina... shtëpi më shtëpi. Dhjetëra qytetarë na janë bashkuar duke punuar gjatë gjithë ditës si vullnetarë, për grumbullimin e kontributeve, menaxhimin, shpërndarjen, paketimin etj. Aleanca ka hyrë aty ku ky shtet ka dështuar të hyjë, ose nuk e ka çarë kokën të hyjë. E megjithatë, në vend ta falenderojë, kjo qeveri gjen kurajë ta sulmojë atë!

Është cinike, sepse, ndërsa qeveria fton njerëzit 24 orë në ditë për solidaritet, një breshëri mllefi lëshohet kundër njerëzve që kanë shfaqur solidaritetin më të madh në këtë vend. Mesa duket këta konsiderojnë solidaritet vetëm atë me qeverinë.

Në fakt, përgjigjen për akuzat e ministrit e kanë dhënë këto ditë vetë qytetarët e Tiranës. Me mijëra njerëz kanë vizituar këto ditë sheshin e teatrit duke dhuruar ndihmat e tyre, ndërkohë që çadra e Bashkisë aty pranë, qëndronte bosh. Qytetarët treguan se besojnë tek ne dhe jo te ata, ndaj dhe akuzat e papërgjegjshme të ministrit rëndojnë me të gjithë peshën e tyre mbi vetë atë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Lad03/12/2019 13:33

Ju futi ne kurth shteti Fushajve? Aq mire jua beri!!! Policet kane ngrene buke me leket e veta ne Thumane e gjetkë, dhe do guxonte kush te fuste oriz ne ministri . Ka akoma kohe per rreflektim nese kerkohet falje publikisht. Qe te shpetohet Kauza

Skrapari03/12/2019 13:31

Katunari Llesh, leshi nuk mund te behet kurre qytetar. Ai mbetet nje provincial ordiner. Ka shume muhabete me njerezit, bashke me koleget ridhjeras, me Edvin kelliren, por sa te kaloje emergjenca

Shto koment

Denonco