Energjia, shkërmoqja e kryereformës së qeverisë

Energjia, shkërmoqja e kryereformës së qeverisë

Nga Klodian Tomorri - 20/11/2019

Diskutimet e projektbuxhetit 2020 në komisionet parlamentare të Kuvendit kanë nxjerr në pah qartazi për publikun situatën e vështirë të ekonomisë dhe financave të shtetit gjatë këtij viti. Por ka një sektor tjetër, ku edhe pse debati nuk është kaq publik, këmbanat e alarmit janë po aq të forta. Ai është energjia.

Prej vitesh e cilësuar si një nga arritjet më të mëdha të qeverisë, tashmë reforma energjetike po shkërmoqet. Vendi ka nisur të bëjë hapa pas dhe sektori është duke u zhytur sërish në krizë financiare. Alarmin e jep Sekretariati i Energjisë në Vjenë.

Në raportin e fundit, Sekretariati e klasifikoi Shqipërinë si vendin e vetëm në rajon, që vitin e kaluar shënoi regres në reformat e sektorit energjetik. Gjetjet e raportit janë shqetësuese. Raporti, ndoshta më i rëndi që Sekretariati ka hartuar ndonjëherë mbi Shqipërinë, vëren se Ministria e Energjisë zvarrit liberalizimin e tregut duke ruajtur monopolet, diskriminon investitorët privatë që duan të investojnë në burimet e reja, nuk respekton kontratat shtetërore dhe minon projektet me mbështetje të huaj.

Këto kritika të forta janë të dokumentuara edhe me raste konkrete. Së pari, vonesat pa fund në krijimin e bursës së energjisë dhe mungesa e vullnetit për ndarjen funksionale të OSHEE mbajnë tregun të mbyllur dhe rrisin kostot që paguajnë qytetarët për energjinë.

Së dyti, diskriminimi i investitorëve privat pengon ndërtimin e burimeve të reja të energjisë, të cilat rrisin prodhimin vendas dhe ulin kostot për qytetarët. Në fund të vitit të kaluar, qeveria zhvilloi ankandin për impiantin diellor të Akernisë me kapacitet 100 mega vat. Fitues i garës u shpall një konsorcium i kryesuar nga India Power Generation. Sipas formulës, gjysma e energjisë së prodhuar do të blihej nga shtetit me çmimin 58 euro për mega, ndërsa gjysma tjetër do të shitej në treg të lirë.

Por edhe pse kontrata e zhvillimit është nënshkruar, Ministria e Energjisë zvarrit firmosjen e kontratës për blerjen e energjisë me kompaninë fituese duke bllokuar ndërtimin e centralit. Sipas Sekretariatit, kjo zvarritje është shqetësuese dhe minon diversifikimin e burimeve energjetike të vendit.

Impianti i Akërnisë nuk është investimi i vetëm që zvarritet. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me termocentralin e Vlorës, fati i të cilit mbetet mister edhe pse ankandi është shpallur që në fillim të vitit.

Të gjithë këto janë masa apo reforma pa asnjë kosto për buxhetin dhe nuk kërkojnë para, por vetëm vullnet. Por me sa duket vullneti i qeverisë ekziston vetëm kur në lojë ka para dhe tendera për të shpërndarë, jo kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve.

Zbehja e reformës energjetike është me pasoja të rënda për ekonominë, qytetarët dhe financat e shtetit. Këtë vit Shqipëria bleu mbi 100 milionë euro energji nga jashtë, teksa prodhimi vendas gati 100 për qind hidrik mbetet në varësinë e reshjeve. Por ndërsa qytetarët dhe buxheti paguajnë miliarda për të blerë energji nga importi, investimet që rrisin prodhimin vendas pengohen nga burokracitë apo mungesa e vullnetit.

Ndryshimet e fillimvitit në qeveri duhet të kishin dhënë impulse të reja për të thelluar reformat e domosdoshme në sektorët kyç të ekonomisë, veçanërisht energjinë. Por ajo që rezultoi ishte një tjetër. 2019-a ishte viti i regresit të shumëfishtë, i cili ktheu me kokëposhtë edhe kryereformën e qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco