Rama, një diktator më shumë me mbështetje amerikane

Rama, një diktator më shumë me mbështetje amerikane

Nga Andi Bushati - 15/11/2019

Në seancën absurde të një parlamenti, të mbledhur në funksion të një kioske noterie poshtë përroit të Lanës, Edi Rama nuk dha asnjë justifikim që të përligjte qëndrimin e shumicës, në konfliktin e fundit për Gjykatën Kushtetuese.

Ai nuk denjoi të flasë as për data, afate, KED, Ardian Dvoranin, Arta Vorpsin dhe shkeljet e ligjit themeltar të shtetit.

Ai u mjaftua vetëm me argumentin se në këtë kapje të re të drejtësisë, ai kishte mbështetjen e Europës dhe Amerikës. ‘A mund të manipulohen SHBA dhe BE duke u vënë në dispozicionin tonë’, pyeti ai parlamentarët që e duartrokisnin?

Pra, argumenti i vetëm që i ka mbetur një kryeministri që po zhytet përditë e më shumë në krim, është: ‘Mua më mbështesin ndërkombëtarët’.

Për të na bindur se e vërteta është ndryshe nga sa e shohin të gjithë, ai e ka përdorur shpesh këtë alibi.

Kur Shqipëria ishte tej përtej e mbushur me kanabis, aq sa ia behën në këtë vend- që e konsideruan si hambarin e hashashit të kontintentit-, të gjitha mediat më të mëdha të globit, Edi Rama përsëriste të njëjtin refren. Ai i drejtohej atë kohë ish depuetetes Jozefina Topalli me shprehjen: ‘A do na e lejonin aleatët tanë këtë nese ajo që pretendon është e vërtetë?’.

Madje parodia shkoi edhe më tej, në kulmin e denoncimeve kundër trafikut të drogës dhe kur shpërtheu skandali i lidhjes Tahiri- Habilaj, ambasadori Donald Lu, doli të deklaronte se historia e luftës ndaj narkotrafikut është një histori suksesi.

Po e njëjta fabul u kopjua edhe kur në shkelje të Kushtetutës, shumica vendosi të zgjedhë kamikazen anonime, Arta Marku, si Prokurore të Përgjithshme të Përkohëshme. Euralius dhe OPDAT, përgatitën një letër ku justifikonin katapultimin e saj për një kohë të shkurtër, pa të drejta lëvizjeje apo ndëshkimi për vartësit dhe me pretendimin e pavarësisë. Rama sërish përdori justifikimin: ‘A do na lejonin të huajt’?.

Se si rezultoi eksperienca e Arta Markut, se sa kohë ndenji ajo në detyrë, se sa lëmsh e bëri institucionin, se si i shkatërroi dosjet e vjedhjes së votave, tashmë dihet. Nuk është e vështrirë të kuptohet gjithashtu se sa i kushtoi besueshmërisë së reformës së saponisur në drejtësi ky eksperiment me leje diplomatike.

Por, ironia e gjithë kësaj historie ishte në momentin kur ajo doli përpara KLP për të kërkuar një mandat të plotë. Pasi shfaqi performancën që i gajasi të gjithë shqiptarët që e panë live, ajo guxoi të thotë të njëjtën shprehje si Rama: ‘Unë kam mbështetjen e ndërkombëtarëve’.

Pra, krimet me lejen e të mëdhenjve i kanë shërbyer kryeministrit vetëm sa për të hedhur përkohësisht lumin, vetëm sa për ta kaluar momentin, por në fund, realiteti ka diskredituar bashkë me artikuluesin e tyre edhe besueshmërinë e mbështetësve që i kanë lejuar në heshtje këto mashtrime.

E njëjta gjë u përsërit edhe në tentativën për të organizuar me çdo çmim zgjedhje moniste në 30 qershor. Kryeministri shkoi në çdo cep të vendit për të kërcënuar me moshyrjen në SHBA dhe BE të atyre që do të tentonin ta prishnin këtë farsë. Asnjë diplomat nuk e kundërshtoi, pavarësisht se të gjithë e dinin se kjo nuk mund të realizohej pa pasur më parë një vendim gjykate, një verdikt të formës së prerë nga drejtësia.

Madje Palmer shkoi deri aty sa për ato votime, që u pa më pas se si i etiketoi ODHIR, të artikulonte formulën: ‘bëni njëherë zgjedhjet, pastaj shqyrtoni legjitimitetin e tyre’.

Ky film u shfaq edhe këtë të premte në parlament, kur për të përligjur manipulimin e mazhorancës me një nga institucionet e reja të Reformës në Drejtësi (KED) për t’i hequr presidentit të drejtat e tij kushtetuese, si alibi u përdorën deklaratat përshëndetëse të selive diplomatike amerikane dhe europiane.

Pra, tashmë, nuk ka më asnjë dyshim, se në të gjitha marrëzitë e tij, Edi Rama ka pasur mbështetjen e pakushtëzuar të ndërkombëtarëve.

Të pohosh këtë, do të thotë t’u thuash shqiptarëve të vërtetën. Është e kotë të vazhdosh t’i besosh një mashtrimi alternativ, ashtu siç bën opozita jonë e kapur dhe pa ide, se atij po i ngushtohet rrethi apo se këtij regjimi ia kanë hequr vizën.

Më e ndershme sesa të ushqesh publikun me fabula të paqena, do të qe të përpiqeshe të kuptoje se nga vjen mbështetja për këtë regjim dhe cilat janë pasojat e saj.

Njëra nga arsyet mund të kërkohet tek vetë mosbesueshmëria e opozitës, tek mendësia e instaluar, se në këtë humbëtirë të gjithë janë njësoj, e cila e ysht çdo diplomat cinik të mendojë: e pse duhet të angazhohemi apo për ta bërë më keq?

Një tjetër alternativë mund të jetë kokëfortësia për të çuar përpara, me çdo mjet, qoftë edhe me ndihmën e një pushteti të korruptuar, eksperimentin e reformës në drejtësi që po degradon dita- ditës. Pasi kanë harxhuar para, propagandë, energji, në Uashington dhe në Bruksel mund të duan thjeshtë të shohin të hedhur suvanë e një godine me themele të shkërmoquara, vetëm për të raportuar se puna u krye, vetëm për të bërë dy- tre shembuj, pavarësisht se drejtësi për shqiptarët nuk do të ketë kurrë. Dhe për ta përfunduar këtë maskaradë, ata e dinë se nuk mund ta bëjnë, as pa mbështetjen e ekzekutivit dhe as pa kartonat e atyre që e votojnë në kuvend.

Ithtarët e teorive konspirative mund ta shpjegojnë këtë mbështetje të palogjikshme, qoftë me paranojat për rolin e Sorosit, qoftë me ato të lobistëve fuqishëm që janë të njëjtë me ata të Vuçiçit.

Të tjerë akoma mund të ngrenë hipoteza dhe supozime të ndryshme për këtë situatë absurde.

Por, për të gjithë është e qartë se duke u sjellë në këtë mënyrë, aleatët tanë po i zhgënjejnë ata që besuan tek reforma në drejtësi dhe ata që ëndërruan se do të bëhet më mirë, njësoj siç lanë në baltë kurdët e Sirisë, që luftuan përkrah tyre kundër DAESH-it. Ata mund të vazhdojnë ta mbështesin pa kushte regjimin e Ramës, njësoj siç kanë mbështetur Dinh Diemin në Vietnamin e Jugut apo Pinoçetin në Klili.

Historia nuk i përjashton as të mëdhenjtë nga teoria e gabimit.

Por, në pikën ku kemi mbërritur, nëse vazhdojnë ta lënë Edi Ramën të justifikojë çdo krim në emër të tyre, ata jo vetëm nuk e ndihmojnë dot më atë, por e zhveshin edhe veten nga roli i arbitrit moral që kanë luajtur për tre dekada, duke mbathur çizmet e të fuqishmit, që imponohet me anë të dhunës, por jo të besueshmërisë. /Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

ai16/11/2019 13:54

O Lomi !
Pikërisht kësaj dëshirës tënde për të zhvlerësuar opozitën e perëndimin i përgjigjet shkrimi i nipit të Hysni Kapos.
Pa dashur të zgjatem, analizën më të saktë e me plot "dritë" këtij shkrimi të Bushatit, ja ka bërë komentuese The Light. Ndërkaq, ju bëj thirrje shqiptarëve që të heqin dorë nga përgjithësimi : "kështu zha Amerika apo kështu tha BE".
Ndonëse kursesi në nivelin e Shqipërisë, edhe në SHBA e në BE ka përplasje të forta politike, midis së majtës e të djathtës.
Të mos harojmë gjithashtu edhe se demokracia në perëndim nuk funksionon si në Shqipëri, pasi në qeveri të djathta, ka edhe funksionarë të lartë që i kanë lidhjet me partitë e majta e anasjelltas. Edhe mbrenda dy partive më të mëdha të SHBA, si në Senat ashtu edhe në Kongres, funksionon mendimi ndryshe edhe në vartësi të lobimeve nacionale sa i takon politikës së jashtëme.
Për të qenë më konkret, ka senatorë apo kongresmenë republikanë apo demokratë që janë mbështetur nga lobi sllav apo edhe serb, e ata mund të dalin me mendim ndryshe për politikën në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë se këto mendime , përfaqësojnë në tërësi mendimin e politikës së shtetit amerikan.
Bushatit i ka ngelur ora në kohën e gjyshit të tij, që gjitha të këqijat i vinin Shqipërisë nga imperializmi amerikan e të djathtët kapitalistë

Shofer Petro16/11/2019 09:04

Harrove ta shtosh ne titull o toc: “Me mbeshtetjen e Imperialisteve amerikane”. Theksoje se kjo na ka mbetur tani. Ta bejme SHBA gogol si ne kohen e Dulles

The light15/11/2019 20:44

Nje artikull i rendomte pa kurfare analize. Po ti lexosh te gjithe artikujt e ketij pseudo analisti do te vereni te njejtin stil dhe te njejtat argumente. Ajo qe vihet re dhe qe te tjeret duhet patjeter te shikojne me kujdes eshte helmin propagandistic qe citohet ne cdo shkrim permes futjes te 1 apo 2 paragrafeve kunder opozites packa qe artikulli nuk ka lidhje me opoziten ose me sakte nuk ka si fokus opoziten. Jane keta pseudo gazetare apo analiste qe ne dukje perpiqen sikur atakojne mazhorancen por ne te vertete jane mbeshtetes te thekur te propagandes te kesaj qeverie monstruoze dhe kriminale duke perhapur mosbesimin qe ne kete vend nuk ka opsione te tjera sepse opozita eshte e dobet dhe nuk ke ke te zgjedhesh. Ne vend qe te inkurajojne qe nese nje qeveri nuk I permbahet programit te saj te premtuar per te mirat e popullit atehere te ngrihet e te kerkoj shume here rrezimin e qeverive sepse keshtu do tu jape te kuptojne se asnjeri apo parti nuk mund ta gezojne 4-vjecarin nese nuk permbush premtimet. Mizat dhjesin me teper se grenzat.

Astrit Murrizi15/11/2019 18:25

O lomy po mir e provojme edhe lulin 'po nuk beri hurin shpejt dhe atij 'por ti kuptohesh qe ushqehesh cdo sekond nga propoganda e Ramiut prandaj nxjerr vrer per lulin te kuptohet lehte halli.

Daj Jaku15/11/2019 18:17

Shumë i arrirë ky shkrim, ndoshta pak justifikues për ndërhyrjen e Sorosit. Sa për pragmatizmin e amerikanëve... nuk e çan tyryfylen njeri për një shtet sa gjysma e lagjes Bronks. E Drama është diktator i dhunshëm, e vetmja mënyrë për shporrjen e tij është modeli i Romanisë me Çausheskun. Nuk ikën ai me pallavrat nëpër facebuqe.

Deshmitar15/11/2019 17:41

Super e brilant artikull, i ka rene ne koke problemit

Shtetrrumpalle 15/11/2019 16:22

Deklaratat dhe mbeshtetje e ca ambasadoreve, Te cilet vijne nga botkuptime te ndryshme nga realiteti shqiptar, nuk mund te zevendesojne kurrsesi kushtetuten e shqiperise, vend sovran, dhe jo i varur pas mbeshtetjeve per KMKCK

Loran 15/11/2019 16:09

Super artikull me i miri mdoshta qe esht shkruar no nje her

Lomy15/11/2019 15:39

Problemi eshte se amerikanet jane pragmatiste dhe se s’kane alternative tjeter - luli nen kontrollin e saliut nuk vlen per ta

Shto koment

Denonco