Vrasja e dytë e reformës ‘amerikane’ në drejtësi

Vrasja e dytë e reformës ‘amerikane’ në drejtësi

Nga Andi Bushati - 11/11/2019

Pas emërimit të Arta Markut si kryeprokurore e përkohshme (që po qëndron në detyrë prej dy vjetësh), sot Rilindja ka kryer aktin e dytë të madh të shkatërrimit të Reformës në Drejtësi, zgjedhjen në mënyrë të paligjshme të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në vijim të atij që prej ditësh është përshkruar si një konflikt proceduarash mes Kuvendit të Shqipërisë dhe presidencës, fshihet në fakt një lojë e qartë ekulibrash politike.

Shumica parlamentare kërkonte të shpinte atje dy emrat e saj, të dala nga lista e hartuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili vepron nën influencën e ndjeshme të një drejtuesi si Ardian Dvorani dhe kryeprokurores së përkohshme, Marku.

Pavarësisht nga piruetat që janë bërë në KED, ku njëra nga kandidatet (tashmë e shpallur fituese nga kuvendi) nuk plotësonte parametrat as për gjyqtare e shkallës së parë, aty gjithësesi u hartua një listë.

Por në këtë listë gjendej edhe një ‘armike e partisë’, juristja Marsida Xhaferllari.

Pikërisht në emër të saj u zhvillua beteja.

Kjo zonjë, që bashkëjeton me sa duket me ish deputetin Enkeled Alibeaj, që ka punuar si kryeinspektore e këshillit të Lartë të drejtësisë nën presidencën Nishani dhe Meta, i plotësonte të gjitha parametrat për tu trajtuar si e padëshiruar.

Jo vetëm Dvorani dhe Marku ia ulën asaj pikët në maksimum, jo vetëm që vettingu e hetoi për dy vite dhe në fund nuk mori vendim për të, por u shkua dhe më tej, u prish gjithë arkitektura e procedurës së përzgjedhjes së një gjykatësi kushtetues, vetëm e vetëm për të shkuar tek emrat që i duheshin Rilindjes.

Ashtu siç kuptohet lehtësisht nga qëndrimet e mbajtura nga socialistët në kuvend, ky puç institucional u organizua vetëm që të përjashtohej Meta nga mundësia hipotetike e përzgjedhjes së Xhaferrllarit.

Në këtë procedurë fillimisht u shkel kushtetuta. Sepse neni 179 (2) i saj e përcakton qartë se zgjedhja e anëtarëve duhet bërë me radhë për të ruajtur parimin e ekuilibrit të pushteteve.

Sipas këtij rendi të përcaktuar në mënyrë taksative, as Ilir Meta nuk mund të përzgjidhte dy kandidatë në të njëjtën kohë, dhe as parlamenti dy të tjerë ashtu sikurse bëri sot.

Organizata e Rilindjes zgjodhi të veprojë pikërisht kështu, pra edhe për ti hequr kreut të shtetit të drejtën e dekretimit të një anëtari të ri edhe për ti dhënë vetes një kompetencë që nuk i takon.

Por, për të mbërritur deri këtu skema e manipulimit qe më e gjatë. Ajo ishte e rakorduar plotësisht me kryetarin e ‘pavarur’ të KED, Ardian Dvorani, i cili i mbajti listat e hartuara nga institucioni i tij, të fshehura në sirtar, pikërisht për të krijuar këtë anomali që i mohonte presidentit të drejtën për të zgjedhur lirisht.

Nga gjithë kjo histori banale kapjesh të shtetit rrjedhin disa përfundime të thjeshta.

Në fakt e keqja më e vogël është dërgimi i njerëzve të rilindjes në majat më të larta të drejtësisë.

Pasojat afatgjata janë shumë më të rënda.

Ato kanë të bëjnë me përdhosjen në mënyrë selektive të Kushtetutës apo procedurave në varësi të emrave të veçantë.

Ato kanë të bëjnë me shndërrimin në karagjozllëk të një procesi kaq të rëndësishëm, i cili degradon në një lojë kukamshefti fshehjesh të postës në sirtarë.

Ato dëshmojnë një mospërfillje cinike ndaj presionit ndërkombëtar, për ta ngritur shpejt kushtetuesen, sepse po e mbajnë atë peng përmes sherreve artificiale me Metën.

Ato tregojnë se Rilindasit jo vetëm nuk i besojnë procesit të cilin e kanë votuar vetë, por nuk ia dalin dot atij mbanë pa e manipuluar.

Natyrisht, për të siguruar pandëshkueshmërinë për krimet më makabre që kanë bërë, ata nuk kanë rrugë tjetër veçse ta kapin krejtësisht drejtësinë.

Dhe këtu po bëjnë krimin më të madh.

Jo se po përpiqen të shpëtojnë veten, por sepse me njerëzit që po emërojnë dhe procedurat që po shkallmojnë, po rilindin mostrën e një drejtësie politike.

Të një mashtrimi, që, ndonëse e duartrokasim si reformë amerikane, nesër do ta përdorin po njësoj edhe ata që do të vijnë pas tyre në pushtet. /Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptari11/11/2019 22:10

Po kush thote se opozita e sotme do te vij neser ne pushtet???? Si do te vije? Kur do te vije? Do ta sjelli ne pushtet Facebook-u? Opozita e bashkuar, qe po pakesohet, do te vijne ne pushtet me deklarata shtypi? Vetem duke thene Rama po shkel kushtetuten duke ngritur ne menyre antikushtetuese Gjykaten Kushtetuese e cila do te gjykoje vete menyren se si u krijua!
Diktatura po vjen koha dalngadale. Opozita dhe gazetaret kritike te qeverise, kritiket e mazhorances parlamentare dhe pozites dhe kritiket e bashkive te rilindjes do te shpallen armiq te qeverise dhe "pushtetit popullor". Pak nga pak do te nderrohet edhe i gjithe KLSH qe po behet problem per pushtetin me zbulimet dhe kapjet e tij. Avokati i Popullit nuk funksionon, nuk ekziston, ata jane thjeshte rrogetare qe rrine kot pa pune dhe paguhen mire nga taksat tona. Tani qe edhe Gjykata Kushtetuese u kap nga Rama, cdo shprese se Shqiperia do te behet ashtu sic e enderruam, vdiq perfundimisht.
Rama ndryshe nga Enver Hoxha, as nuk i arreston, as nuk i burgos dhe as nuk vret kundershtaret e vet politik, por i injoron, i tall, i perqesh, u heq cdo fuqi dhe i le pa breke! Te tjeret i le pa pune, pa shtepi, pa buke, ne menyre qe te largohen dhe te arratisen nga syte kembet nga Shqiperia. Te ikin sa me pare nga Shqiperia! Vote kundr jane ata! Pune e madhe se e kritikon BE, kujt i plasi! Ku pjerdh ai per BE apo se cfare thote BE? Ai per vete eshte rehat, tamam SULLTAN! Edhe baba Erdogani do t'ia kete zili!
Ata qe nuk e kane qejf Ramen, le t'ia mbathin, pse rrijne akoma ketu? Apo do qe t'i gjeje sic i gjeti ata qe shpresonin shpetimin tek nderhyrja e Perendimit ne kohen e Enverit dhe nuk iken qysh ne 1944, kur vete Evropa te na veri murin dhe vizat!
Kur thuhet qe shpresa vdes e fundit, ja ky ishte FUNDI! Kjo ishte vdekja e SHPRESES!

Skrapari11/11/2019 20:38

Vetem friken se neser opozita ne pushtet do ti shfytezoje te zgjedhurit e ridhjerjes ne kushtetuese mos e ki z. Bushati. Opozita e sotme neser vertet do ndertoje drejtesine qe na mungon. Kete ta siguroj 100 per qind.

Shto koment

Denonco