30-vjetori i rënies së Murit të Berlinit dhe një kushtrim për çdo shqiptar!

30-vjetori i rënies së Murit të Berlinit dhe një kushtrim për çdo shqiptar!

Nga Sali Berisha - 09/11/2019

Sot kombi mik gjerman, kombet e shtypura nga diktaturat komuniste në Europë dhe njerëzit liridashës në mbarë botën, kremtojnë 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit si ngjarjen më të madhe në historinë e lirisë së Europës dhe botës pas Luftës së Dytë Botërore.

Si sot 30 vjet më parë, më 9 nëntor të vitit 1989, dhjetëra mijëra qytetarë të Gjermanisë Lindore u hodhën me guxim të paparë mbi murin e Berlinit.

Ata me heroizëm të pashoq shembën murin më të gjatë në histori, që shtrihej nga Kanali i Korfuzit në Detin e Beringut dhe që ndante Berlinin, Gjermaninë dhe Europën në dy gjysma, dy botë, në botën e lirë dhe atë të barbarisë së diktaturave komuniste.

Rrëzimi i Murit të Berlinit, 30 vjet më parë, u shoqërua me rënie njëra pas tjetrës, të diktaturave komuniste në Europë.

Ne shqiptarët dhe kombet e tjera të shtypur, i mbetemi përjetë mirënjohës gjermanëve guximtarë, që e shembën atë.

Një mirënjohje e veçante i takon Presidentit Ronald Regan, i cili dy vite para rrëzimit të murit, në një vizitë në Berlin do t’i drejtohej Mihail Gorbaçovit nga Porta e Brandenburgut me thirrjen që pushtoi zemrat e qindra milionë qytetarëve të shtypur në anën e errët të murit të Berlinit:

“Zoti Gorbaçov, rrëzoje këtë mur” dhe me një vizion gjenial do të shpallte para gjermanëve dhe mbarë botës se “liria e gjermanëve është çështje e lirisë botërore”.

Sot është një ditë që ne shqiptarët dhe ish-kombet e shtypura nga diktaturat komuniste, iu shprehim mirënjohje përjetë, Papës Gjon Pali i II, Presidentit të SHBA Xhorxh Bush, kancelarit Helmut Kohl, Presidentit të ish-Bashkimit, Sovjetik Mihail Gorbaçov, që me vizionin, guximin e tyre bënë të mundur rrëzimin paqesor të Murit të Berlinit dhe së bashku me të, rrëzimin e perandorisë së të keqes, perandorisë komuniste dhe bashkimin e Gjermanisë.

Në Shqipëri, muri i "Berlinit", diktatura hoxhiste, u rrëzua vetëm një vit më vonë, në dhjetor të vitit 1990, nga lëvizja e rinisë studentore, intelektualëve dhe qytetarëve të Tiranës, lëvizja paqesore më e fuqishme në historinë e vendit, që në pak ditë gjunjëzoi diktaturën komuniste më të egër të Europës dhe hapi dyert e mbyllura të lirisë dhe pluralizmit për shqiptarët.

Shqiptarët, në rrugën e lirisë, kaluan në vitin 2008 nga vendi i tretë më i varfër i planetit, që ishin në vitin 1992, me vetëm 204 dollarë për frymë - në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta;

nga vendi më i izoluar i planetit - në anëtar të Këshillit të Europës dhe NATO-s; sot ata lëvizin pa viza në Europë; k ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtar në BE, të cilin e bllokoi për dy vite me radhë Edvin Kristaq Rama;

nga vendi i lirive dhe të drejtave të ndaluara me Kushtetutë - në vendin e besimeve të lira fetare, lirive dhe të drejtave të garantuara me  Kushtetutë ...

Megjithë këto, demokracia shqiptare këto 6 vitet e fundit ka njohur regres të madh. Sot ajo është më në rrezik se kurrë në ekzistencën e saj.

Edvin Kristaq Mafia me bastardët e tjerë të bllokmenëve hoxhistë, mafien e drogës dhe bandat kriminale, ka instaluar në Shqipëri, narkoshtetin e vetëm në Europë; ka shndërruar vendin në qendër operacionale të organizatave kriminale të rajonit, Europës, Amerikës së Veriut dhe asaj të Jugut, Lindjes së Mesme dhe Azisë; ka vjedhur dhe shpërdoruar me narkozyrtarët e tij mbi 3,5 miliardë euro.

Ky bastard i skulptorit Xhelat Kristaq Rama, i cili firmosi me Ramiz Alinë varjen publike të poetit disident Havzi Nela vetëm një vit para rënies së Murit të Berlinit, Edvin Kristaq Rama, si një monstër e vërtetë kombëtare, u shkatërroi shqiptarëve ëndrrën e tyre më të bukur, projektin e të ardhmes së tyre më të ndritur, integrimin e vendit në Europë.

Prandaj dhe sot kjo ditë më shumë se kurrë është një kushtrim, thirrje për çdo shqiptar: të ngrihemi dhe shpëtojmë vendin një minutë e më parë nga Edvin Kristaq Mafia, ky kob i zi që i bëri gjëmën Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco