Ja pse Bernd Borchardt duhej të gëzohej i pari për protestueset

Ja pse Bernd Borchardt duhej të gëzohej i pari për protestueset

Nga Enton Palushi - 01/11/2019

Kur një grup me gra e vajza u shfaqën në një sallë konferencash për të ngritur disa pankarta në shqip e anglisht kundër ambasadorit të OSBE në Tiranë- Bernd Borchardt, ky i fundit dukej realisht i shqetësuar. Nuk ishte nata e famshme përpara ambienteve të Policisë së Tiranës, kur u ngriti gishtin e mesit protestuesve të Unazës së Re, por ai sërish mezi e kontrollonte zemërimin. Tha se do i shpërfillte dhe më pas u kërkoi falje të pranishmeve që protestueset ishin lejuar në sallë.

Megjithëse mund të duket paradoksale, nëse gjërat do shkonin siç duhet me punën që i është ngarkuar në Shqipëri, Borchardt duhej të ishte i pari që do të gëzohej nga protesta. Për tre dekada me radhë, ndërkombëtarët dhe organizata që ai përfaqëson kanë punuar dhe kanë derdhur miliona e miliona lekë që shqiptarët të forcojnë shpirtin e reagimit. Madje- madje edhe ajo konferencë që po organizohej në atë momente i shërbente këtij qëllimi.

Dikush mund të thotë se këto miliona të hedhura nga ndërkombëtarët për të nxitur shpirtin e protestës në Shqipëri kanë shkuar shpesh nëpër xhepa njerëzish pa dhënë rezultat. Ndoshta! Të tjerë mund të thonë se,përse të huajt janë kaq të interesuar për të investuar në këtë fushë, kur paratë e tyre mund t’i kishin hedhur për të ndërtuar rrugë e shkolla. Edhe ky është një konstatim interesant.

Por Perëndimi e di mirë se sa e nevojshme është që të investosh për të krijuar frymën demokratike në një vend. Besojeni ose jo, shumëkush prej nesh e merr si të mirëqenë se vlerat demokratikë janë aty dhe nuk i cenon kush. Megjithatë ato janë të rrezikuara vazhdimisht. Dhe kur mendon se ka vende shumë më të mëdha dhe të zhvilluara se Shqipëria që kanë probleme në këtë drejtim, e kupton se përse janë hedhur paratë për këtë kauzë.

Atëherë, përse duket i shqetësuar ambasadori i OSBE? A nuk duhej të ishte i gëzuar se puna e tij po jep fryte? A nuk është demokracia dhe fryma e protestës ndër parimet bazë të organizatës së tij? A nuk është totalisht e drejtë protesta e banorëve të Unazës së Re? Ka me dhjetëra shkrime e kronika edhe në media të huaja që u japin të drejtë atyre. Apo ai po u kërkon njerëzve që të mos protestojnë kur ndjehen të fyer teksa u nxjerr gishtin e mesit? Në fund të fundit, edhe organizata e tij paguhet me kontribute të shteteve anëtare, përfshi këtu Shqipërinë. Ndaj edhe ajo protestë mund të ngjajë si një përpjekje për të kërkuar llogari edhe për paratë që dalin nga xhepa taksapaguesish shqiptarë.

Por problemi real nuk është te gishti i mesit. As te fakti që mediat e qeverisë i kanë dalë në krah për të gjetur ndonjë vegë ku poshtërohet protesta.

Problemi është se në këtë vend, ku ka kaq pak frymë reagimi, po stigmatizohet çdo lëvizje, dhe ambasadori po bëhet pa dashje pjesë e kësaj përpjekje për të fyer protestat.

Problemi është se ndërkombëtarët që investojnë shumë tek shpirti demokratik, por alarmohen kur e shohin se protesta bëhet e vërtetë dhe e sinqertë.

Problemi është se ditën kur ndodh kjo protestë, kryeministrit Edi Rama i rrëzohet kryebashkiaku i Vorës- Agim Kajmaku nga ligji i dekriminalizimit, duke treguar se krimi është çështja më e nxehtë që rrezikon sigurinë e vendit. Meqë ra fjala, siguria është një nga shtyllat kryesore të punës së OSBE. A nuk ishte edhe vetë e nominuara për ambasadore të SHBA në Shqipëri, që nuk e vuri theksin tek rreziku rus, por te rreziku i krimit?

Problemi është se rasti i Kajmakut na risjell në vëmendje votimet moniste të30 qershorit, që rrëzuan përfundimisht institucionin e votës së lirë në vend. A nuk janë zgjedhjet ndër fushat kryesore të punës së OSBE?

Problemi është se ditën kur ndodh kjo protestë, shqiptarët shohin se si KQZ, institucioni ku është investuar shumë nga OSBE, vazhdon historinë qesharake duke thënë se nuk mund të interpretojë ligjin e dekriminalizimit, por mundi të interpretonte dekretet presidenciale (?).

Problemi është se ditën kur ndodh kjo protestë, përfaqësuesit e pushtetit në veri të vendit mblidhen me kryeministrin Edi Rama për shkak se sherri për ‘shqyerjen e tortës’ së pushtetit me vende pune nuk njeh të ndalur. Sërish meqë ra fjala, a nuk duhej të ishte administrata e fortë një prioritet i punës së ndërkombëtarëve?

Problemi është se Shqipërisë i është mbyllur dera e BE për shkak të keqqeverisjes dhe dyshimeve për tendenca autokratike, ndërsa kryeministri si i pari i vendit nuk mban asnjë përgjegjësi. A nuk e kuptoni që ka një konflikt të hapur mes kancelarive të mëdha europiane dhe organizmave që duhet të raportojnë për Shqipërinë mbi saktësinë me të cilën pasqyrohet realiteti në vendin tonë?

Kjo listë mund të vazhdojë edhe më shumë. Prandaj do ishte e udhës që ambasadori të buzëqeshte dhe të ndjehej i gëzuar se këtë video të protestës së grave mund ta dërgonte në Vjenë për të treguar se puna e tij po jep rezultat pasi njerëzit po protestojnë, qoftë edhe kundër tij. Sepse gjërat e tjera janë thjesht blozë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gramoz01/11/2019 15:16

Boshkar Boshkar, fute gishtin ne byth dhe ik nga Shqiperia!

Shto koment

Denonco