Basha i pashmangshëm

Basha i pashmangshëm

Nga Gentian Gaba - 28/10/2019

Është e vërtetë, prej ditës në të cilën Bundestagu ka votuar 9 kushtet, Lulzim Basha ka ndryshuar strategji. Një hap i domosdoshëm, sepse qëndrimi i parlamentit gjerman krijoi një moment të ri politik.

Certifikimi i krizës së brendshme shqiptare, kur këtu mazhoranca rrekej ta mohonte atë, në një dokument zyrtar të vendit më të fuqishëm të BE-së, i mbathi një këmishë force kryeministrit Rama.

Dokumenti gjerman, i miratuar në 26 shtator me 350 vota, mund të quhet pa droje një shpërblim ndaj aksionit të opozitës, e cila e futi zgjidhjen e krizës në agjendën ndërkombëtare, dhe përcaktoi gjithashtu një rrugë të qartë për të arritur epilogun e saj.

Një rrugë që lejon ndryshimin e strategjisë, pa hequr dorë nga objektivi kryesor.

Sepse, pas miratimit të 9 kushteve, Rama nuk mund të shihet dhe as mund të shitet si politikani perëndimor që gëzon mbështetje ndërkombëtare, por si kryeministri i një mazhorance të cilës i është dorëzuar diagnoza e një shteti të rënë.

Por jo vetëm kaq.

Nëntë kushtet e ndihmojnë Bashën të dëshmojë në sytë e gjithë botës se Rama nuk respekton marrëveshjet. Sikurse kuptohet lehtësisht nga përgjegjësia politike me të cilën vishet kryeministri nga Bundestagu, kur kërkohet ndëshkimi i dosjes 339. Dosje që përkon me zgjedhjet e vitit 2017, kur ‘teknikisht’ nuk do të duhej të kishte krim zgjedhor, dhe në të cilën përfshihet ish-kryebashkiaku i Durrësit, kampioni i Rilindjes në këtë qark, i shpalluri non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Pazëlli bëhet edhe më i qartë kur merret në shqyrtim një nga kushtet kryesore, Reforma Zgjedhore. Për miratimin e saj kërkohet një dialog i hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike. Një kusht që e vendos opozitën në pozicion epërsie, sidomos kur komisioni i Reformës Zgjedhore ka për bashkëkryetar një nga personat e përfshirë në dosjen 184. Edhe ky një krim zgjedhor në listën e zezë të Bundestagut ashtu sikurse është edhe një dëshmi e autorësisë kryeministrore të krizës në të cilën ndodhet vendi.

Këtë faj të dyfishtë të Ramës, Basha e ka kthyer në avantazh. Jo vetëm duke diktuar agjendën e Reformës Zgjedhore nëpërmjet platformës me 5 pika, por duke e përdorur këtë rast si një mjet për të kërkuar ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë. Diçka që do të minimizonte lojën e pisët të një mazhorance që kontrollon mediat dhe institucionet.

E teksa ambasadori Bernd Borchardt shpreh se OSBE-ja nuk mund të luaj rolin e kërkuar nga Partia Demokratike dhe opozita, dhe ai që prezantohet si dikush që nuk shkon në tualet pa pyetur më parë BE-në dhe SHBA-në, deklaroi se ‘përkthyes në gjuhën e huaj për t’u marrë vesh me shqiptarët, unë për veten time nuk kam për të pranuar asnjëherë’, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, mbajti një qëndrim krejt ndryshe.

Greminger u shpreh se Organizata që drejton prej 2017 është e gatshme të ofrojë tre gjera në kuadër të Reformës Zgjedhore: Të sjellë ekspertizë teknike për standardet zgjedhore; të kujtojë angazhimet që duhet të përmbushë Shqipëria në kuadër të Reformës Zgjedhore; si dhe të ndërmjetësojë dialogun mes palëve politike.

Një qëndrim që shpaguan hapjen e Bashës, por që njëkohësisht ligështon pozicionet e vartësit të tij në Shqipëri, Borchardt, dhe kryeministrit Rama. Për të cilin nuk dihet nëse do të gjejë kurajën për t’i thënë jo, zyrtarit ndërkombëtar që përfaqëson organizatën më të rëndësishme në fushën e zgjedhjeve.

Sigurisht në ndihmë të Ramës kanë ardhur detraktorët e Bashës, të cilët ndryshimin e strategjisë po përpiqen ta cilësojnë tërheqje, apo një heqje dorë nga kërkesat kundrejt Ramës, e lloj-lloj kotësish. Një përpjekje e fundit për të ngjizur rrëmujën dhe tymnajën në kampin opozitar, të vetëdijshëm se vetëm një Bashë i dobët apo refraktar, mund të jetë shpëtimi i një Rame beribat prej 9 kushteve, që de facto e kthejnë në likuidatorin e sipërmarrjes të tij gjashtëvjeçarë si kryeministër.

Por, për ta thënë me fjalët e Dante Alighieri, Basha, tashmë i pashmangshëm, ka përballë një ‘stuhi të vdekur’. Prandaj vijon me një strategji e re, por me objektivat e vjetra. Koha i dha të drejtë, sepse 9 kushtet e Bundestagut janë qartësisht më të mira se kushti ‘Rama ik’. Kush ka mprehtësinë e duhur, ka kuptuar se realizimi i kushteve gjermane përkon me realizmin e kushtit të opozitës. Diferenca e vetme qëndron te fakti se realizimi i kushteve gjermane, nuk është vetëm në interes të opozitës por edhe të shumicës së shqiptarëve. Kjo nuk është pak, përkundrazi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco