Lajmi i fundit

LIVE/ Rinis mbledhja e Këshillit Bashkiak në Himarë

Të ndahemi nga sistemi i mbyllur për të shpëtuar nga tranzicioni 30-vjeçar

Të ndahemi nga sistemi i mbyllur për të shpëtuar nga tranzicioni 30-vjeçar

Nga Roland Bejko - 23/10/2019

Shikoj që është hapur një debat për sistemin zgjedhor në PD pa ua kërkuar kush. Në fakt shumë mirë. Le ta quajmë si dëshmia më e mirë e nevojës që kanë njerëzit aty për të bërë politikë.

Sipas meje kushdo që është kundër një sistemi me lista të hapura, (pavarësisht se çfarë sistemi është ai, proporcional kombëtar, proporcional rajonal i hapur, apo mazhoritar disaformësh) duhet të dalë nga politika se nuk qenka punë për të ajo.

Betejat janë shpikur për trimat, të aftët të zotët, për ata që se kanë problem të shkojnë "të vriten" për kauzën dhe idealin e tyre.
Betejat nuk mund ti bëjnë strucët, apo hijet që fshihen pas siglës së partisë e që vjelin frutet e punës së të tjerëve vetëm pse i zë maja e penës së Kryetarit në një çast të caktuar.

Betejat politike nuk mund ti bëjnë dot ata që e kanë të shkruar në ballë se rinë në politikë se janë të zotët të shkruajnë bukur e me gërma të lagështa pështyme " Mirmëngjes Kryetari im i dashur! Si të kam shefi im i madh ! " , e kësi manierash të shpifura.
Në mendimin tim, më e pakta që mund të them është se këta njerëz janë keqkuptime psikologjike të vetvetes më shumë sesa keqkuptime të moskuptimit të avantazheve që i jep demokracisë dhe dimensionit të lirisë përballja nominale, e drejtpërdrejtë me zgjedhësin dhe me kundërshtarin.

Unë e kam dëgjuar disa herë siç e keni dëgjuar edhe ju Kryetarin e PDSH që ka deklaruar publikisht se është për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe korrigjimin e marrëveshjes së 2008-ës. Kandidatët do zgjidhen nga primaret në parti. Tani jam duke pritur veprimin e tij në kohën e duhur.

Raporti midis fjalës së dhënë publikisht (dhe më e fundit në takimin me studentët te Korpusi Qëndror i Universitetit) dhe veprimit të bërë, është shumë i rëndësishëm për kedibilitetin e një udhëheqësi. Sado risk të mbartë.

Në kohën e duhur do bëhem pjesë e debatit me më shumë argumenta,(nëse do duhet) se pse jam kundër sistemit të mbyllur që nuk i jep asnjë vlerë të shtuar demokracisë, as partisë vet votat maksimale. Por tani dua të ndalem vetëm në aspektin e shbërjes së njeriut, normës, moralit, etikës, personalitetit dhe karakterit si idenditet, apo idenditetit si karakter pasi si rezultat votash dihet që sistemi me lista të hapura kombëtar a rajonal qoftë, mer maksimumin e tyre sepse punojnë dhe angazhohen të gjithë kandidatët secili për veten e shumatorja në fund, për partinë.

Pra, nëse diskutojmë se si është katandisur njeriu i sotëm politik nën peshën e rëndë të këtij sistemi zgjedhor, mjafton t'u them se më është neveritur angazhimi politik kur në një sallë takimesh me shumë njerëz kam qenë dëshmitar i transformimit të "një personaliteti politik" që me lajkat e pafundme të tij për "Shefin" na i bëri gri atë ditë me diell. Në fund, e justifikova. Dhe të tjerët më pas ndanë të njëjtin mendim me mua për atë shpërfytyrim. Dashuria për vendin në listë ishte për fat të keq më e madhe se respekti për dinjitetin personal dhe mungesë respekti për dëgjuesit në sallë. Respekti për "Shefin" kur e kalon masën banalizohet dhe në atë çast ai nuk i duhet më as shefit as ty dhe as dreqit se mbaron së qëni "respekt".
Po nejse. Do isha në paqe me veten dhe ndoshta edhe me sistemin sikur atë ditë të mos isha aty, në atë sallë ku nisur nga rasti në fjalë më kapën kacabujtë e alarmit të ndryshimit të këtij sistemi të mbyllur dëmet e të cilit po na deformojnë dhe shbëjnë mbi të gjitha, njeriun politik.

U munduam në vitet -90-të shpëtonim nga Njeriu i Ri i komunizmit, por ngecëm për 30 vjet te një monstër tjetër, te përzjerrja midis Njeriut të Ri të komunizmit si armik i Lirisë dhe i Perëndisë me Njeriun Hibrid, njeriun e lakmisë së paskrupullt që për para dhe pushtet nuk ecën mbi dy këmbë, por zvaritet neveritshëm te këpucët e shefit të rradhës.

Njeriu Hibrid është monstra që e do lirinë, por e do vetëm për vete.
E do Tregun, por të fitojë vetëm ai.
E do Politikën, por vetëm për ambicjet e tij.
E do Shtetin, por ta menaxhojë të gjithë ai.
E do paranë, e do pushtetin i do pronat e do dhe BE-në, por për vete.
E do Partinë, e do dhe Kryetarin, por vetëm për tu vënë në listat fituese.
Edhe Niçe (Nietzsche) ka thënë se vullneti për pushtet është vullnet mbi gjitha vullnetet. Por jo deri këtu dreqi e mori.

Pra i do të gjitha, por vetëm për vete dhe duke punuar masa për të. Këto janë elitat fallco, artificiale, dembele që e presin gjithçka nga "shërbëtorët" e tyre, militantët.

Një arsye më shumë kjo për ti dhënë fund këtij sistemi të mbyllur zgjedhor që shkatëron meritën, garën, ambicien e drejtë, personalitetin njerëzor, profesionistin, njeriun e vërtetë politik me integritet dhe kredibilitet, personalisht nga Lulzim Basha.
Me këtë rast Ai do mbahet mend si njeriu që e shkëputi Shqipërinë nga tranzicioni i gjatë dhe humnerë, pikërisht duke filluar këtu; duke vrarë së pari gjithë mekanizmat që e mbajnë me oksigjen këtë monstër të re, armikun e lirive, Njeriun Hibrid të tranzicionit, që është sot një shartim midis Njeriut të Ri komunist me vetitë e Njeriut Teknologjik të kësaj gjenerate që na kanë prodhuar sot këtë përbindësh që në fakt, me gungën e tij në qafën e përulur po vret Demokracinë, Tregun.
Monstra e Frankeshtajnit është një hiç para monstrës që formoi tranzicioni shqiptar. Dhe ky nuk është një problem vetëm për të djathtën shqiptare, por për të gjitha partitë. Është problem për demokracinë. Është problem për egzistencën e Republikës dhe vlerave të saj.
Prandaj ti japim fund sistemit që e mban gjallë !

Le të shpresojmë dhe besojmë se do të ndodhë kjo e mirë e nevojshme historike po të doni, për shkak të Lulzim Bashës.

Ps: Njeriu Hibrid është një farë monstre me elementët e Njeriut të Ri Lejfenist i shartuar me Njeriun e sotshëm Teknologjik që zotëron teknologjinë e re të komunikimit dhe informacionit; internetin, smartphonët, kompjuterat, rrjetet sociale, hapësirën e debatit dhe komunikimit, etj.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

kokepalari24/10/2019 07:34

zoti Roland!
A ke menduar ndonjehere qe te besh zgjedhje prej verteti ne PD
e Gjirokastres ? dmth qe çdo anetar i PD te shkruaje pese emra qe ai
mendon se duhet te drejtojne.pastaj nje komision transparent ti numeroje ne vend
dhe kete vendim nuk ka te drejte askush ta modifikoje.
Ndoshta nuk fiton zotrote po dikush tjeter !!
Dhe e dyta ; a i ke kerkuar falje antaresise per hajdutlleqet e GENC RULIT tek juve?
Vetem pastaj te lind e drejta morale te kerkosh nje mandat qeverises zoteri !

Shto koment

Denonco