Pushtimi final i Shqipërisë, nga shqiptarët!

Pushtimi final i Shqipërisë, nga shqiptarët!

Nga Poli Hoxha - 14/10/2019

Në prag të verdiktit të 15 tetorit për fatin e negociatave të Shqipërisë me BE-në, shumëkush mendon se Edi Rama është në ankth dhe i mërzitur për një ‘Jo’ apo një ‘Po’ me kushtet e Gjermanisë, siç edhe u pa nga drafti i KE-së.

Në fakt ai e di se çfarë po ndodh e i intereson që të ndodhë, sepse mendjen e ka diku tjetër. Te finalizimi i ‘Goditjes finale’ në parlament nëpërmjet ligjit për ‘Korporatën e Investimeve Shqiptare’, i cili pritet të kalojë brenda këtij muaji.

‘Goditja Finale’ është një term që po përdoret, shpesh e më shpesh, në drekat e darkat e Ramës me një grusht ‘biznesmenësh strategjik’ të cilët nuk bëhen as sa gishtat e njërës dorë. Thonë se atij i pëlqen që të deklarojë si me shaka në këto takime konfidente të grupit, se ‘vepra më e madhe dhe që do të mbahet mend në historinë e vendit është një Shqipëri, në të cilën pas tij nuk do të ketë më asnjë gjë për tu grabitur’!

Me shaka, cinizëm, apo qoftë edhe seriozisht, ai së bashku me ‘grupin’ janë drejt finalizimit të kësaj vepre madhore. Bëhet fjalë për kapjen përfundimtare përpara largimit të Rilindjes nga pushtetit të çdo ‘cope tokë’ me vlerë, shtetërore apo private, në bregdetin shqiptarë nga Ksamili deri në Velipojë. Në këtë situatë Edi Ramës nuk i intereson fare vendimi i shteteve anëtare të BE-së, për të cilat tashmë e ka të ngritur alibinë e tij, edhe pse tashmë e dalë boje. Ai e di që kushtet e vendosura janë të parealizueshme, nga qeveria që drejton. Nuk ka gjasa që të bëjë ndonjë hap në luftën kundër korrupsionit,  krimit të organizuar dhe veçanërisht drejt lëshimit e dënimit të ‘gjiknurisë e dakorisë’ për çështjen e grabitjes së zgjedhjeve, sepse tashmë këto janë brenda qenësisë së pushtetit të tij. Pra Rama edhe aq kohë sa do të qëndrojë në pushtet, nuk mund të plotësojë kushtin e vetëvrasjes!

Por në këtë rrënim e sipër, deri në shembjen përfundimtare të skemës së instaluar 6 vite më parë (që nuk është çudi të mund të mos ndodh, më herët se në zgjedhjet e vitit 2021), Rama ka kohën e duhur që të mbyllë ciklin e pushtimit të Shqipërisë. E ndajnë vetëm pak javë, deri sa parlamenti kukull të ngrejë kartonët e duhur dhe pastaj le të merret opozita e kush të ketë ngenë e analistit politik, me kushtet e Gjermanisë, ‘Shengenin ballkanik’, apo gishtin e mesit të ambasadorit Bochard.

Me realizimin e këtij projekti, Rama, e di shumë mirë se Shqipëria futet në ‘kalendar greke’ për çështjen e integrimit në BE. Është paralajmëruar në Berlin e Uashington dhe madje është kërcënuar hapur e seriozisht, edhe nga një vend si Greqia që kurrë nuk na ka penguar në këtë proces. Por atij nuk i intereson, se çfarë do të ndodh pas ikjes së tij. Kushdo që të vijë në pushtet le të ‘çajë barkun’ me integrimin e ‘përralla’ të tilla. Rëndësi ka se kush do të jetë, pronari real i Shqipërisë.

Makutëria e tij deri në sportivitet ligësie, për të rrjepur qytetarët dhe shtetin deri në asht siç është prona, madje ka tronditur edhe shtetarët e huaj kur kanë mësuar për këtë plan në finalizim e sipër.

Ashtu siç ka ndodhur rëndom në këto 6 vite, përmbajtjen e bisedave shtetërore të kryeministrit Rama e mësojmë nga mediat e huaja. Kanë kaluar gati dy javë nga takimi i tij me kryeministrin e Greqisë, Micotaqis, në Nju Jork në kuadër të Asamblesë së OKB-së, por se çfarë biseduan u zbardh së fundmi nga një intervistë e ministrit të Jashtëm grek në televizionin publik të vendit fqinj. Sipas Denidas, Micotaqis, mes të tjerave ka shtruar si temë kryesore në takim çështjen e pronave në bregdetin shqiptarë, ku preken edhe minoritarët grek. Si dëshmitar në këtë bisedë, ministri ka rrëfyer se shefi i tij i habitur e ka pyetur Edi Ramën; Vërtet po përpiqesh që të shpronësosh qytetarët e tu, sepse dëshiron që të marrësh pronat në bregdet?!

Pra ndodhi edhe kjo; Një kryeministër grek shfaqet i habitur e i tronditur se si mundet që një krye-shtetar, planifikon që të grabisë pronat e qytetarëve dhe të vendit të tij. Është i habitur një lider ballkanik, sepse gjatë historisë së trazuar të këtij rajoni kemi parë e dëgjuar, derivate të politikës e madje edhe të forcave në pushtet (si grekët e serbët më tipikët),  që të pretendojnë e të duan toka në Shqipëri e Maqedoni, në Kosovë e Kroaci. Vendet demokratike këtë tendencë kur shfaqet si retorikë shtetërore apo me plane të fshehta, e quajnë shovinizëm. Kurse ekstremistët nacionalist brenda këtyre shteteve, e quajnë patriotizëm!

Çështja është, se çfarë emri mund ti vëmë një individ që në fakt është caktuar e zgjedhur në krye të vendit, për të shërbyer e mbrojtur nënshtetasit e tij. Atij që është kryeministër, por në fakt qëndron në krye të një grushti njerëzish të pangopur të cilët nuk po njohin limite në makutëri, duke realizuar një plan pushtimi të pronave të qytetarëve dhe atyre të përbashkëta?!

Përderisa nuk ka precedentë, madje as në Rusinë e Putin, emri që mbetet është ai i vetë autorit; Edi Rama.

Është e vërtetë që zoti Micotaqis mbron në radhë të parë minoritarët e racës së tij (real e në letra) që jetojnë në vendin tonë. Por ‘Goditja Finale’ e Edi Ramës me pronat më të çmuara të Shqipërisë, shtetërore e private, nga Ksamili në Velipojë është një rrezik kombëtar. Një goditje në fatale në shtyllën kurrizore të individit e të Kushtetutës e cila mbron në mënyrë të panegociueshme atë që vetë e quan të shenjtë, pronën fizike. Dhe e gjitha kjo, po bëhet me ligj, duke u lënë një faturë në dhjetëra miliard euro brezave të ardhëm në Gjykatën e Strasburgut. Sepse pa dyshim, atje do të përfundojë çdo copë tokë e grabitur.

Por për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë në gjithë këtë ‘histori pronash’ që ka alarmuar jo vetëm Greqinë por edhe BE-në, Gjermaninë dhe vendet e tjera?!

Bëhet fjalë për të famshmen, ‘Korporata e Investimeve Shqiptare’, e cila është ideuar prej kohësh nga Rama dhe po bëhet gati që të ‘ligjërohet’ këto kohë në parlament.

Pavarësisht nga disa ndryshime estetike që Kuvendi i bëri projektligjit për ngritjen e saj, sërish ky mutacion i padëgjuar e parë në ndonjë shtet ligjor e me demokraci funksionale do të ketë të drejtë ‘me ligj’,  që të shpërndarjes pronat publike për ‘investitorët’- klientë të Ramës, si dhe me anë të VKM-ve mund të marrë prona private, për t’ia dhënë këtyre bizneseve nën maskimin e ‘investimeve strategjike’.

Pra kalimin e të gjithë pronave në duart e një njeriu, që quhet Edi Rama. Se ku di ti rishpërndajë ai ndërkohë që të gjithë presim të bjerë vetë ose nga kushtet e Gjermanisë, tashmë dihet!

Ky ligj për KISH është vazhdimësia e një plani të mirë menduar e të nisur më herët me ligjin për investimet strategjike (që ua vjedh pronën pronarëve, për t’ua falur ‘investitorëve të mëdhenj’), Ligji për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës të vitit 2015 dhe ligjet që kanë të bëjnë me biznese të përveçëm që janë votuar këto 2 vitet e fundit masivisht në parlament. Të gjitha të hedhura poshtë nga BE, Strasburgu dhe së fundmi nga Komisioni i Venecias.

Pikërisht kjo është e vërteta e asaj që po gatuan Edi Rama me, ‘Goditjen finale’, ose më saktë e vërteta e pushtimit final të Shqipërisë.

Këtë hera as nga turq, serbë e grekë, por nga ca shqiptarë që nuk ndalen përpara asgjëje për të ushqyer makutërinë e tyre pa limit, e cila sot është kthyer në antikombëtare dhe antishqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

leka16/10/2019 16:02

O Krist; Me hapur nuk ka c'te thote Z. Poli/ c'duhen emrat e tjere kur te gjitha keto i ben doçi edvin? te tjeret jane arra ne doren e tije dhe mund ti THYEJ kur te doje? eMRAT E TYRE NUK KANE RENDESI TANI PER TANI!

i deleguari15/10/2019 13:47

Edvin Kristaq Mafija,eshte ,ne qefin e vet, ne hallin e vet,ne vjedhjet e veta, ne kurvat e veta, ne skandalet e veta e gjithcka te veten dhe te shkerdhatave te rilindjes,pavaresisht se cdo pasoje bie mbi fukarejte ! Ai po ben cfare i do trapi dhe asgje nuk ndodh ne Shqiperine evropjaniste ! PO OPOZITA CFARE BEN,CFARE ESHTE,CFARE PRET. Detyra e saj e shperfaqur me shume se nje here, na qenka te frenoje popullin (per tu dukur demokratikisht ne rregull) per tu ngritur e hakmarre karshi nje monstre si Edvin Rama ! Atehere ,cfare zotesie duhet per te kuptuar se i pari i opozites OLANDEZI LUL duhet shkarkuar urgjent,per ta ngarkuar si shef i te shkarkuarve prej vete atij,me dizenjatoren Jozefine zevendese te te harruarve ne PD!
Kjo do jete fitorja e pare ndaj Edi Rames! Largoni LULZIM BASHEN!!! NUK VLEN per ate pune qe u duhet shqipetareve!!! Imagjinoni,pas 6-7 vjetesh skandale te njepasnjeshme,te rilindjes ,quan sukses se "na paskan filluar te ndergjegjesohen edhe nderkombetaret" Ky eshte skandal shume me i madh se ato qe ben Rama,sepse shef Olandezi , me apo pa qellim,nuk ka bere me esencjalen detyre te opozites ,informimin dhe diskretitimin e kesaj qeverisjeje te urryer! .Shqipetrare_LARGONI OLANDEZIN !!! LARGONI OLANDEZIN! LARGONI OLANDEZIN!

krasasi tp15/10/2019 13:47

Bravo Poli, më në fund kuptove domosdoshmërinë e futjes së qeverisjeve dhe shtetit, në shinat e Kushtetutës.Institucionalizmit,Integrimeve etj.

t14/10/2019 21:55

Vetem protestat e dhunshme ne ekstrem e hedhin pertoke rame&rilindje,por me lulin nekrye te opozites kjo nuk ka per te ndodh.Ai do e lere ramen te beje qejf deri ne mars ku eshte dakortesuar me ndermjetesin soros qe te beje zgjedhjet e parakoheshme

Krist14/10/2019 21:24

More Poli,po na e zbardh shume mire,synimin e Rames,dhe atyre oligarkeve,qe na u bekerkan sa gishtat e dores,por emerat e tyre,pse nuk na i thua.Mos ke frike me teper prej ketyre ,simbas teje deri pese,persona,me shume se te permendesh vetem emerin e kryeministrit?Po nuk eshte as nje ceshtje,ne hetim,qe te na thuash se nuk mund te japesh te dhena,se problemi eshte nen hetim?Folni more shqiptare me ze te larte,kur vete kryeministri nuk don tja dije as per ligj,e as per kushtetute!

N14/10/2019 15:51

Domethene te bejme proteste te dhunshme se tjeter gje nuk ngelet. Keta te huajte e perdoren durimin tone per interesat e veta.

Shto koment

Denonco