Beogradi është për Piktorin si ilaçi për të sëmurin mendor

Beogradi është për Piktorin si ilaçi për të sëmurin mendor

Nga Kim Mehmeti - 10/10/2019

Sikur të bëhej fjalë për ndonjë piktor të rëndomtë nga Tirana, askujt nuk do i bënin përshtypje shkuarjet e tij në Serbi dhe, as do kishte ndonjë shqiptar që do ndjehej keq pse ai më shpesh e viziton Beogradin se sa Prishtinën. Sepse thjeshtë, çdo gjë mundë të shpjegohet me prirjet e tij artistike dhe me lidhjet miqësore që ka atje.

Por kur një piktor, qoftë edhe i dështuar, por që është Kryeministër i Shqipërisë, të krijon përshtypjen se më mirë ndjehet në shoqëri me Presidentin e Serbisë se me burrështetasit e Prishtinës, s’ke si mos ndjehesh mjerueshëm dhe si mos e pyesësh vetveten: vallë është e mundur që kryeqeveritari i mëmëdheut tënd të ndjehet kaq i afërt me burrështetasin, i cili deri dje mbante në duar kallashin dhe i shërbente ‘Kasapit të Ballkanit’, që deri dje kanosej haptazi se për çdo serb të vrarë do pushkatonte me qindra mysliman!?

Po pra, një shqiptari të rëndomtë i lejohet kur të dojë të shkojë e të dëfrehet me miqtë e tij në Beograd, apo në cilindo cep të botës, por një piktori Kryeministër të mëmëdheut shqiptar, nuk i lejohet ta legjitimojë politikën antishqiptare serbe, siç nuk i lejohet të ngre dolli me burrështetasit që nuk lënë gurë pa lëvizur për t’i bindur shtetet ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Dhe kur një kryeministër shqiptar e ndihmon promovimin e Serbisë si liderë të kësaj hapësire ballkanike, kur nga dashuria ndaj saj ‘Piktori’ harron se vendi i tij nuk kufizohet me Serbin, por me Kosovën, pra kur Kryeministri i Shqipërisë nuk e kupton sa poshtëruese është ta promovosh ‘Shengenin e Ballkanit’ pa Kosovën në të, atëherë s’ke si ta shmangësh pyetjen logjike: interesat e kujt i mbron ky njeri që aq lehtë acarohet me shqiptarët, por që aq shumë lumturohet sa herë që përqafohet me Presidentin serb?

Dhe kur Kryeministri i Shqipërisë ngutet të shkojë në Beograd menjëherë pasi në Prishtinë t’i ketë humbur zgjedhjet parlamentare vëllazëria e tij e ‘Klanit Pronto’, s’ke si mos dyshosh se ndoshta ka shkuar atje për t’i shpjeguar Presidentit serb nga afër pse nuk ia doli që me ‘molliqajt’ dhe ‘shpendët’ e vet trashaluq, ta shpartallonte Lëvizjen Vetëvendosje!?

Pa dyshim se shumëçka lidhur me dashurinë e ‘Piktorit’ ndaj Serbisë dhe Presidentit serb mbetet e paqartë. Njësoj siç është e paqartë pse opozita nuk ia doli ta çmontojë dekorin e rrejshëm të cirkut të tij mediatik, cirk i cili ia mundëson ‘Piktorit’ të ‘Rilindjes’ ta mbulojë realitetin tragjik ku ndodhet Shqipëria sot dhe të tregohet përpara botës si strateg i rëndësishëm politik rajonal. Cirk që e bënë të padukshme të vërtetën se ai e përdorë pushtetin thuajse vetëm sa për ta harxhuar shtetin!

Tani kur Piktori më është kthyer në Tiranë, mbase edhe nuk ia vlen të thuash çkadoqoftë lidhur me vizitën e tij të fundit në Beograd. Madje me këtë edhe e ndihmon, sepse si çdo gjë tjetër, edh rezultatin e kësaj vizite ai do e matë nëpërmjet numrit të reagimeve mediatike dhe të emisioneve debative për të. Por, nga ana tjetër, nuk ke si e injoron dhe si e trajton atë si një piktorë të rëndomtë, kur e dinë se është Kryeministër i vendit tënd amë dhe se e përfaqëson tërë shqiptarinë.

Dhe s’ke si sillesh mospërfillës ndaj tij as kur e dinë se vizitat e Beogradit dhe paraqitjet mediatike, për ‘Piktorin’ e ‘Rilindjes’ janë si ilaçet qetësues për të sëmurin mendor. Pra as kur e dinë se Kryeministri i mëmëdheut tënd kurrë nuk e ka jetuar të vërtetën për vetveten dhe atë për shtetin që drejton, por gjithmonë ka qenë banor i botës së vet gënjeshtare dhe i cirkut të vet mediatik.

E sa i përket cirkut mediatik të ‘Rilindjes’ së ‘Piktorit’, nuk duhet zhvlerësuar as rolin e spikatur të kryetarit të Bashkisë së Tiranës në të. Por i cili, për dallim nga ‘Piktori’, nuk e lëvdon vetveten duke i përbuzur dhe ofenduar publikisht të tjerët, por duke mos e lëshuar lopatën nga dora. E me të cilën lopatë gjithnjë e më shumë e thellon gropën septike të gënjeshtrave mediatike për vetveten, gropën që herdo-kurdo do derdhet dhe nuk do e qelbë vetëm Tiranën, por edhe tërë Shqipërinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Tropoja11/10/2019 11:01

Kllouni Rama vazhdon shfaqjet e tij te turpshme ne dem te kombit tone konstatimet tuaja zoti Mehmeti jane te sakta largimi i tij eshte tashme emergjence kombetare

Reali11/10/2019 06:04

Po mir more burra si nuk mesuat nga historia qe gjithe jeten kemi masakruar dhe vrare njeri tjetrin ne vend qe te mbeshtesim te pakten nje here ne histori nje politikan apo quajeni si te doni juve, per here te pare dike qe po bashkon Shiqptaret qe kurre nuk kane qene te bashkuar ndonjehere. Me apo pa ndihmen e dikujt nga jashte kufijve tane, me ne fund jemi ne rruge te mbare per te qene nje komb i vetem apo nje numer i konsiderueshem popullsie ne Ballkan. Faleminderit.

Shto koment

Denonco