Nuriu dhe Bedriu, modeli ekonomik i Ramës

Nuriu dhe Bedriu, modeli ekonomik i Ramës

Nga Agim Xhafka - 04/10/2019

Dita ditës ekonomia po na e shtrëngon lakun. U nis para gjashtë vitesh kuturu e tani po mbërrijmë te buza e greminës. Me sa duket nuk ka zbythje prej Ramës,por lutemi që do zoti nuk na merr me vete, ikën teposhtë veç ai.

Asnjë model ekonomik nuk ka progresuar qeveria e rilindjes. Vetëm atë të garuzhdes të madhe për miqtë e shokët dhe të boshatisjes së buxhetit drejt kuletave të oligarkëve.

Aq dëm ka sjellë kjo qasje sa jo për anekdodë, por si shembull klasik sillet ndodhia e mëposhtme. Që flet,që zbërthen filozofinë  e zhvatjes dhe që tregon funeralin e konkurrencës, të zemberekut të zhvillimit të vendit.

Kafen e pijnë bashkë Nuriu dhe Bedriu. Edhe kredinë e morën në një kohë para tre vitesh. Nga 6 mijë euro sejcili. Bedriu hapi një dyqan fruta-perime. Punonte 20 orë, bashkë me gruan. E grinë taksat, gjobat dhe vjet e mbylli fare.

Mbeti rrugëve, banka e merr në telefon çdo javë. Po trembet se mos i marrin shtëpinë.

Nuriu kredinë 6 mijë euro e harxhoi për rryshfet. Ia dha drejtorit të arsimit e një mëngjes nisi punë bashkë me gruan në një shkollë në periferi. Çdo muaj marrin rrogë një milion të vjetra. Ushqehen, vishen dhe paguajnë këstin në bankë. Sigurimet ia paguan shteti. Bëjnë dhe dy muaj pushime të paguara çdo verë.

Çdo mëngjes në kafe rrinë bashkë, Nuriu dhe Bedriu. E pas çdo dy minutash Nuriu e ngacmon Bedriun:

- Po c’t’u desh dyqani, o byrazer! Ç’t’u desh!

Ama kafen Bedriu e ka falas. Ia paguan Nuriu, Nuriu rryshfetçiu. Ai që u mbështet te qeveriu...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco