Në vend të një hetimi, për Edi Ramën!

Në vend të një hetimi, për Edi Ramën!

Nga Poli Hoxha - 04/10/2019

Përpara pak ditësh në SHBA u mbyll një gjykim i gjatë që kishte nisur që në vitin 2016 për dy nënshtetas amerikanë, të cilët kishin shkelur ligjet vendase për donacionet gjatë fushatës presidenciale të Barak Obamës të vitit 2012. Shqiptaro-amerikani, Bilal Shehu, u dënua në vitin 2017 me kusht, kurse së fundmi greko-amerikani, Uilliam Argeros, me 4 muaj burg.

Në këtë skemë mashtruese e të jashtëligjshme, jo vetëm për drejtësinë amerikane siç doli gjatë procesit në SHBA, ishin implikuar direkt tre presona dhe një i katërt, emri i të cilit doli këto ditë si mik i Edi Ramës. Tashmë janë dënuar dy, por ngelet ende i pandëshkuar më kryesori; ‘I huaji’ tjetër, ideatori dhe përfituesi i aferës, edhe pse tashmë është identifikuar.

Në seancën e fundit të procesit, avokati i personit (Ulliam Argeros) që kishte transferuar në llogarinë e Bilal Shehut 70 mijë dollar (10 mijë `i shtoi` vetë për emrin e bashkëshortes) për të prerë biletat në eventin e San Fraciskos ku do të merrte pjesë Obama, sipas `Zërit të Amerikës`, ka deklaruar se klienti i tij kishte vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama dhe se kandidati ishte Edi Rama, kryeministri aktual i Shqipërisë.

Kjo dëshmi e regjistrua në një gjykatë të SHBA-së ku flitet nën betim, plotëson edhe hallkën e zinxhirit. Rama mes rrugëve ende të pazbardhura krejtësisht, nëpërmjet mikut të tij Fatos Muça i cili jeton në SHBA por që nuk është ende nënshtetas, ka derdhur paratë në llogarinë e greko-amerikanit Argeros. Pastaj ky i ka kaluar ato në llogarinë e taksixhiut Bilal Shehu, i cili ka blerë ftesën në emrin e tij dhe të bashkëshortes, për të marrë pjesë në eventin e mbledhjes së donacioneve për fushatën e Obamës. Bashkëshortja u zëvendësua me Edi Ramë dhe fotografia edhe pse u krye, u publikua vetëm 9 muaj më vonë dhe arsyen do ta themi më poshtë.

Tani pasi nisi një procedim nga prokuroria shqiptare, çështja është a do të hetohet Edi Rama deri në fund për të vulosur e drejtësinë, në gjithë këtë histori?!

Material ka boll, mjafton që ti bëjnë pyetjet e duhura kur ta thërrasin (nëse) dhe të mos ‘harrojnë’ të tërheqin nga SHBA, dosjen e plotë të hetimit dhe dëshmive të dy të dënuarve.

Nga na tjetër avokati dhe politikani i njohur, shqiptaro-amerikani Peter Lukas, deklaroi 2 ditë më parë se ka informacione nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA se, ‘do të ketë edhe një hetim amerikan, për Edi Ramën’.

Duhet theksuar se përveçse një jurist i kalibrit të lartë, Lukas është edhe një eksponent i njohur dhe me lidhje brenda radhëve të republikanëve, që janë në pushtet.

Dhe në fakt nisja e një hetimi në SHBA është logjike pasi dy të dënuarit, Shehu dhe Argeros, kanë pranuar se janë implikuar në këtë aferë të jashtëligjshme si ndihmës të një të ‘huaji të tretë’, i cili rezulton që të jetë vetë Edi Rama.

Tani çështja që ende nuk dihet a është e kopsitur drejtësia amerikane, apo vijon në punë e sipër është ajo, se kush guxoi të infiltrojë para të huaja dhe me burim të paidentifikuar në një fushatë elektorale presidenciale, vepër penale kjo shumë e rëndë për atë shtet.

Këtu prokuroria shqiptare duhej të kishte nisur ‘hetimet kryesisht’, që në momentin që ‘Zëri i Amerikës’ bardhi dëshminë e të dënuarit Argeros, i cili nëpërmjet avokatit ka pranuar se ka vepruar në shërbimi të Edi Ramës për të realizuar një fotografi me ish-presidentin Obama.

Mësohet se tashmë e ka bërë, pas një presioni nga ndërkombëtarët por institucioni që drejtohet nga Arta Marku i cili ka zvarritur dosje për ushtarët e kryeministrit ka pak gjasa që të bëjë një punë të thelluar siç ja kërkon Partia Demokratike zyrtarisht, duke i cituar edhe 3 veprat penale sipas ligjeve shqiptare, që ka konsumuar Edi Rama në këtë rast.

Ndërkohë ky i fundit vazhdon që ta mohojë implikimin e tij, edhe pse alibitë që ngrinte në vitin 2016 kur plasi skandali dhe nisi hetimi në SHBA i janë shkërmoqur.

Të enjten mbrëma në studion e Sokol Ballës, Edi Rama, këtë herë i shfaqur shumë i trembur deklaroi se, ‘nuk kam marrë pjesë në asnjë eveniment ku kam bërë një foto dhe një takim me presidentin Obama. Nuk kam asnjë lidhje me asnjë lloj pagese. Zero’.

Kjo është një ‘kamerdare’ ku Rama po përpiqet të shpëtojë nga mbytja: `nuk kam marrë pjesë në asnjë eveniment me ish-presidentin Obama`!

Dhe në fakt këtë herë, ai nuk po gënjen. Edi Rama arriti të futet si ‘bashkëshorte’ e Bilal Shehut deri në hollin e aktivitetit në San Francisko ku ishte i pranishëm edhe presidenti i SHBA, por nuk u lejua që të depërtojë në sallën ku zhvillohej takimi i tij me donatorët.

Kjo zbulohet në dy prej pyetjeve retorike që gjykata amerikane i ka drejtuar Bilal Shehut të zbardhura nga `Zëri i Amerikës` në vitin 2016 dhe të cilave ju ka kthyer vetëm një përgjigje: Po është e vërtetë.

Pyetja 13 ishte: Në fillim të tetorit 2012, a shkuat ju me avion në San Francisco, ku shoqëruat Shtetasin e Huaj 2 në vendin ku do të mbahej Aktiviteti për Mbledhje Fondesh?

Sipas pohimit përpara jurisë të avokatit të greko-amerikanit, Angeros, rezulton se ‘I huaji 2’ është Edi Rama. Bilal Shehu ka deklaruar nën betim se: Po e kam shoqëruar ‘shtetasin e Huaj 2’.

Gjithçka shpjegohet në pyetjen retorike nr. 14; A iu mohua Shtetasit të Huaj 2 hyrja në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, por iu lejua të bënte fotografi me Presidentin e Shteteve të Bashkuara?

Dhe përgjigjja e tij është një ‘Po’ pa mëdyshje. Pra Rama nuk gënjen kur thotë se nuk ka marrë pjesë kurrë në një aktivitet ku ka qenë i pranishëm presidenti Obama, sepse ai ka siguruar foton 80 mijë dollarëshe në një holl apo tunel të godinës ku zhvillohej aktiviteti. Ndaj ai nuk di të thotë dhe ‘ka harruar’ të kujtojë se në cilin qytet të SHBA, vit, datë, orë dhe ambient, ka dalë në fotografi me vetë presidentin e SHBA. Kjo gjë, përveç dëshmive nën betim të protagonistëve në gjyqin në SHBA, vërtetohet fare lehtë nga krahasimi i veshjes së presidentit Obama atë ditë (Më 8 Tetor 2012,San Francisko) me atë në foton e publikuar nga Rama. Gjithashtu është e lehtë që të bëhet edhe krahasimi i sfondit të fotografisë në fjalë me ambientin në aktivitetin-dekor në Bay Area të San Franciskos.

Image

Ka shumë pyetje që një prokuror i përgjegjshëm këtu në Shqipëri duhet ti bëjë Edi Ramës nëse vërtet do ta thërrasë, sepse publikisht dihet që ai është bërë një mohues e mashtrues që nuk i skuqet asnjë prej poreve të lëkurës, e nuk i lëviz asnjë fije e mjekrës që ka rritur.

E vërteta është se të gjithë kryetarët e partive të mëdha dhe kryeministrat shqiptarë kanë lobuar e kanë paguar, për një fotografi me presidentët e SHBA.

Por në këtë rast shqiptarët duhet të kuptojnë, se në kohën që Rama ishte në opozitë shkoi në SHBA si skuth. Si skuth e mafioz pagoi 80 mijë dollarë, që duhen zbardhur se nga vijnë; si skuth pranoi të bëhej `gruaja` e një taksixhiu shqiptar nga Nju Xhersi; si skuth rrëmbeu foton në hollin e Bay Area në San Francisko dhe mbi të gjitha; si superskuth e mbajti të fshehtë 9 muaj për ta publikuar `me bujë` vetëm gjatë fushatës elektorale të vitit 2013, nga e cila doli kryeministri që sot ju ka ngelur në derë, për të zezën e tyre!

    © SYRI.net

    Lexo edhe

    Komentet

    Shto koment

    Denonco