Përpjekja për të ‘verbuar’ ‘syrin’ si sindrom frike dhe dekadence demokratike!!

Përpjekja për të ‘verbuar’ ‘syrin’ si sindrom frike dhe dekadence demokratike!!

Nga Agron Gjekmarkaj - 04/10/2019

E hershme është përpjekja për ta përdorur verbërinë si shpëtim!

Fëmijë gëzoheshim kur Odiseu (shqiptari Bekim Fehmiu) verbonte Ciklopin në syrin e vetëm dhe falë errësirës në kokën e katallanit, shpëtoi veten dhe shokët! Por rolet kanë ndërruar!

Kryeministri nuk është Odiseu që kërkon shpëtimin e shoqërisë, por personi i cili me forcën skuadriste të dhunës shtetërore do të verbojë një portal opozitar me emrin SYRI.net!!

Ai vetë është ciklopi i vetë verbuar që kërkon më çdo kusht nën ekstazën e pushtetit absolut të mbysë kundërshtitë, opozitarizmin, kritikën dhe fjalën e lirë nëpërmjet falangave të tij që ngjajnë më shume me paramilitarë sesa me zyrtarë!

Në momentin që një Kryeministër sundues e absolutist ngrihet në lartësinë negative të frikës reagon kësisoj! Kjo është senilitet mendor e shpirtëror! Zvetnim politik po e po!

Dekadence e gjithë asaj që ka mbetur nga demokracia shqiptare patjetër! Historia mbetet gjithmonë mësuese e jetës!

Kur një lider politik ngrihet kundër mediave ai parandjen fundin dhe reagon me mendësi diktatoriale! Europa ka plot shembuj të vjetër dhe të rinj! Sulmi shtetëror ndaj SYRI.net dëshmon se kemi një shtet piramidal, ku urdhëri përdhunon ligjin, ku telefoni ja bën shkresës!

Sot vetëm në Turqinë e Erdoganit ndodhin të tilla drama ndaj fjalës së lirë!

Themi vetëm në Turqi duke patur parasysh një vend që formalisht konsiderohet demokraci dhe aspiron integrimin në BE!

Në Shqipëri janë djegur edhe redaksi gazetash në kushtet e një gati konflikt politik e civil, janë vënë gjoba mbi media të mëdha (të cilat për fat nuk janë ekzekutuar), por vendi ynë ka nevojë të dalë nga e kaluara!

Gjithsesi kur të tilla fenomene kanë ndodhur, betejën e kanë fituar mediat dhe fjala e lirë! Qeveria ka humbur! Kësaj dialektike nuk do i shpëtojë as Edi Rama! Nuk mund të persekutohen mediat kundërshtare e në të njëjtën kohe të kërkosh hapjen e negociatave!

Kjo nuk rri as në qiell e as në tokë, në Europë jo e jo!! Me vullnet kamikaz në një Shqipëri informale letra bakalli gjen plot për ti punuar rreng tjetrit, po kjo nuk ngjit në shoqëri!

Ajo e kupton që kemi të bëjmë me selektim politik!! Shqiptaret duhet ti bëjnë me dije Edi Rames, që nuk kanë frikë nga kërcënimet dhe burgu i tij! Nëse ndien këtë ai vetë tërhiqet, nëse sheh se frika i jep rezultat shtyhet në revansh!

Ciklopi është i destinuar të mos shohë, teksa Uliksi udhëton drejt botës dhe njohjes! Më shume dritë kërkonte Gëte, sy për të parë brenda vetes dhe përreth!

Edi Rama i plagosur në shqisën e tij të vetme sundimin, do të përpiqet të verbojë edhe SYRI.net ( uroj që jo), por këtë se bën dot me një shoqëri të tërë!

Solidaritet me SYRI-n, me të cilin jo gjithmonë jam dakord, i bindur që një ‘sy’ më shumë ofron më tepër dritë ndërsa një më pak vetëm errësirë e frikë!

Le të zgjedhim të gjithë sëbashku çfarë duam!

E shkruar nga Agron Gjekmarkaj enkas për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

patrioti04/10/2019 13:28

Hapeni mor djem jashte shtetit me servera te huaj. Ju rruan bythen Rama po qe jashte qendra.

Shto koment

Denonco