Çfarë do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese?!

Çfarë do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese?!

Nga SYRI.net - 02/10/2019

Së fundmi, që pas daljes së draftit të opinionit të Komisionit të Venecias, në media sërish ka filluar të diskutohet çështja e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës në lidhje me dekretin e tij nr. 11199, datë 10.6.2019, për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve.

Sipas disa zërave brenda mazhorancës, pas dhënies së një opinioni përfundimtar nga ana e Komisionit të Venecias, Kuvendi me shumë gjasa do të çojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Presidentit.

Paraprakisht, Gjykata Kushtetuese është shprehur njëherë në lidhje dekretet e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve, në vendimin e saj nr. 150, datë 16.6.2017.

Sipas këtij vendimi, dekretet e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve janë akte administrative individuale dhe këto dekrete nuk hyjnë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por në juridiksionin e Gjykatave Administrative,apo sipas rastit, të Kolegjit Zgjedhor.

Në shqyrtim të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese natyrshëm shtrohen për diskutim disa pyetje retorike:

- Si do ti marrë Gjykata Kushtetuese në shqyrtim dekretet e Presidentit në lidhje me zgjedhjet për sa kohë sipas vetë asaj këto dekrete nuk hyjnë në juridiksionin e saj, por të Gjykatave Administrative/Kolegjit Zgjedhor dhe për sa kohë Kolegji Zgjedhor është shprehur tashmë në lidhje me dekretin e Presidentit?

- Për sa kohë Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar dekretin e presidentit si një akt administrativ individual, a do të zbatoheshin në lidhje me të, parashikimet e bëra në Kodin e Procedurave Administrative, sidomos përsa i përket kompetencës së organit që ka nxjerrë aktin për të shfuqizuar atë?’.

Potencialisht, për të mos paragjykuar, Gjykata Kushtetuese mund të vendosë edhe në favor të dekreteve të Presidentit në lidhje me zgjedhjet. Por, a nuk do të ishte absurd dhe tej çdo parimi të shtetit të së drejtës fakti që për të njëjtin dekret të kishim dy vendime të kundërt me njëri tjetrin, njëri prej të cilëve i dhënë nga një organ (Gjykata Kushtetuese) i cili e konsideron veten si jo kompetent lidhur me shqyrtimin e këtyre lloj dekretesh?!

Po ti qëndrojmë arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese që dekretet e Presidentit janë akte administrative individuale atëherë automatikisht do të binim dakord që lidhur me to zbatohen edhe parashikimet e bëra në Kodin e Procedurave Administrative për këto lloj aktesh.

Kështu, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1, të nenit 116, të Kodit të Procedurave Administrative ‘një akt administrativ i ligjshëm mund të shfuqizohet, vetëm nëse shfuqizimi është i domosdoshëm për të parandaluar apo eliminuar një dëmtim serioz të jetës dhe shëndetit të njerëzve apo sigurisë publike dhe kjo nuk mund të bëhet në mënyra tjera që cenojnë më pak të drejtat apo interesat e ligjshëm të fituar të palës’.

Natyrshëm shtrohet pyetja: Meqënëse dekretet e Presidentit janë akte administrative individuale, përse Presidenti nuk mund të zbatojë përcaktimet e bëra në pikën 1, të nenit 116 të Kodit të Procedurave Administrative, për të shfuqizuar aktet e tij?

Sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1, të nenit 113 të Kodit të Procedurave Administrative ‘një akt administrativ mund të anulohet apo shfuqizohet, kryesisht nga organi publik që ka kompetencë të nxjerrë aktin, nga organi i tij epror apo nga një organ tjetër i parashikuar shprehimisht me ligj’.

Për ta përforcuar akoma dhe më shumë qëndrimin sa më sipër, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 94 të Kushtetutës ‘Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të’.Po Kodi i Procedurave Administrative është një ligj i nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën?!

Sipas nenit 93 të Kushtetutës Presidenti i zbaton kompetencat e tij vetëm përmes dekreteve. Për rrjedhojë, Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese mund të konstatojnë dhe vendosin për shkelje të rëndë të Kushtetutës nga ana e Presidentit vetëm duke u bazuar në dekrete të nxjerra nga ana e tij. Por për dekretet që lidhen me caktimin e datës së zgjedhjeve Gjykata Kushtetuese mendon që ato janë në juridiksionin e gjykatave administrative/Kolegjit Zgjedhor.

Sa më sipër, pyetja finale për Gjykatën Kushtetuese është:

Duke qenë se dekretet e Presidentit lidhur me zgjedhjet janë konsideruar nga vetë ajo si akte administrative individuale; duke qenë se në lidhje me këto akte zbatohen natyrshëm përcaktimet e bëra në Kodin e Procedurave Administrative; duke qenë se sipas këtyre përcaktimeve Presidenti ka për kompetencë që të shfuqizojë aktet e tij të ligjshme dhe duke qenë se Gjykata Kushtetuese e ka kanalizuar tashmë shqyrtimin e këtyre dekreteve në juridiksionin e Gjykatave Administrative/Kolegjit Zgjedhor, atëherë vetë Gjykata Kushtetuese çfarë do të shqyrtojë?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

t02/10/2019 18:41

Gj.K. do vendosi qe " zgjedhjet"(votimet) e 30 qershorit ishin te paligjshem dhe duhen perseritur

Shto koment

Denonco