Procesi i paqes në Ballkan, viktimë e ndasive midis Evropës e SHBA

Procesi i paqes në Ballkan, viktimë e ndasive midis Evropës e SHBA

Nga Clare Nuttall - 28/09/2019

Diferencat midis aleatëve të vjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, në vitet që nga zgjedhja e Donald Trump si President i SHBA kanë frenuar përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe normalizimin e marrëdhënieve brenda ish-Jugosllavisë.

Që nga zgjedhja e Trump më 2016, SHBA nuk është parë më si lideri i botës së lirë dhe mbajtës i vlerave liberale e demokratike, dhe Brukseli e Washingtoni kanë pasur diferenca në çështjet e politikës së jashtme – një shembull i rëndësishëm është trajtimi i Iranit.

Impakti i divergjencave edhe për konflikte më të vegjël nëpër botë u nënvizua nga senatori demokrat Chris Murphy, teksa raportonte pas vizitës në Evropën Juglindore që përfshiu edhe Serbinë e Kosovën, si dhe Ukrainën (vizitë që e përfshiu në skandalin më të ri “Ukraine-gate”). 

Në një shkrim pas udhëtimit që kreu bashkë me Senatorin Republikan Ron Johnson, Murphy, anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tregon për takimin me politikanë të lartë kosovarë: “Që në fillim, liderët e Kosovës na u ankuan se çarja midis SHBA dhe Evropës po ndikonte në sigurinë e tyre... Liderët na thanë se këto kohë SHBA dhe Evropa vijnë në Prishtinë dhe japin këshilla të ndryshme se si ta shkrijnë akullin. Ata nuk dinë kë të dëgjojnë. Tjetër rezultat i politikës së jashtme katastrofike të Trumpit”.

Murphy argumenton se vende si Serbia dhe Kosova — SHBA dikur ishte kampione e pavarësisë së Kosovës – janë injoruar që nga starti i presidencës së Trump. “Takimi me Vuçiç është i rëndësishëm, pasi administrata Trump u kushton pak vëmendje konflikteve që ende ziejnë në Ballkan. Vizitat tona në vende si Beogradi e Prishtina janë delegacionet e nivelit më të lartë që këto vende kanë gjasa të presin gjatë presidencës së Trump”, deklaron Murphy.

Megjithatë, për të qenë korrektë, në gusht Departamenti i Shtetit emëroi zëvendës ndihmëssekretarin Matthew Palmer si përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor, me detyrën e integrimit në institucionet perëndimore të rajonit të përçarë. Një nga veprimet e para të Palmer ishte thirrja Kosovës e Serbisë të rinisnin bisedimet pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit në Kosovë.

Zgjedhjet dhe kriza të tjera të brendshme politike janë pika shpërthimi të tensioneve që shfaqen periodikisht midis Serbisë e Kosovë, kështu që në javët në vijim është e pritshme nxehja e retorikës.

Zakonisht kanë qenë SHBA dhe BE, në bashkëpunim, që i kanë kthyer dy palët në tryezën e bisedimeve. Anëtarësia në BE është objektivi kryesor politik për të gjitha vendet e rajonit, por edhe marrëdhëniet e mira me Washington shihen si shumë të rëndësishme. Kjo çoi në progres të tillë si marrëveshje e Brukselit më 2013 midis Serbisë e Kosovës dhe Marrëveshja e Prespës sipas të cilës vendi formalisht i njohur si Maqedonia u ripagëzua Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund konfliktit prej dekadash me Greqinë që kishte bllokuar progresin drejt anëtarësisë në BE dhe NATO.

Pa presion ndërkombëtar të koordinuar, ka më pak shtysë për të punuar për rregullimin e marrëdhënieve. Vitin e kaluar, situata gjithmonë e nderë midis Serbisë e Kosovës u përkeqësua. Prishtina vendosi tarifën 100% mbi importet nga Serbia e Bosnjë Hercegovina (që ashtu si Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur), duke sjellë rënien e eksporteve të të dy vendeve dhe shqetësimin e Beogradit për mirëqenien e pakicës serbe në Kosovën veriore. “Të dy ne besojmë se Vuçiç është i gatshëm të arrijë një marrëveshje me Kosovën për njohjen e pavarësisë, por për momentin është i zemëruar si grenzë për tarifën 100%”, thotë Murphy pas vizitës në Beograd.

Ndërkaq Serbia, e ndihmuar nga Rusia, e ka intensifikuar fushatën për të bindur shtetet që kanë njohur Kosovën si vend i pavarur ta anulojnë njohjen, si dhe ta mbajë Kosovën jashtë organizatave ndërkombëtare si OKB dhe Interpol. Si rezultat, një marrëveshje midis dy vendeve – e vetmja rrugë për të shkuar drejt anëtarësisë në BE – duket më larg e kurrë.

Përveç Serbisë e Kosovës, situata ka degjeneruar edhe në Bosnjë, ku thuajse një vit pas zgjedhjeve të tetorit 2018 nuk ka ende një qeveri në nivel vendi. Anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, provokator i përhershëm, tha më 24 shtator se ende nuk ka hequr dorë nga planet për ngritjen e një force policie rezerviste për armatosjen e Republika Srpska, njësia serbe e Bosnjës të cilën Dodik do të donte ta ndante nga pjesa tjetër e vendit.

Dështimi në zgjidhjen e këtyre situatave nuk është vetëm për shkak të mungesës së vëmendjes nga SHBA. Ndërsa vitet e fundit ka pasur përpjekje për rigjallërimin e procesit të zgjerimit, iniciuar nga Komisioni Evropian, politikanët evropianë janë shpërqendruar nga pyetjet që ngrihen për të ardhmen e Unionit, për shkak të krizës së imigrantëve dhe Brexit. Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, liderët e BE ndahen nëse Shqipëria i ka përmbushur mjaftueshëm kushte të tilla reforma në drejtësi dhe lufta kundër trafikut të drogës për t’i lejuar hapjen e negociatave, dhe pesë vende anëtare të BE nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – me Presidentin e Çekisë Milos Zeman që kohët e fundit tha se do t’i pëlqente që Praga të tërhiqte njohjen e shtetit më të ri të Evropës.

Grindja në rritje midis BE dhe SHBA që kur Trump erdhi në pushtet nuk ka pasur ndikim vetëm në Ballkanin Perëndimor. Siç ka shkruar së fundmi Yigal Chazan nga konsulenca e inteligjencës në biznes Alaco në një koment të botuar në bne IntelliNews, ka një ndarje në rritje edhe për sa u përket sanksioneve kundër Rusisë e Iranit. “Çarja (midis SHBA dhe BE) mund të minojë koordinimin e dy prej programeve më të mëdha të sansksioneve në botë, një proces i inkurajuar nga presidenca e Obamës. Një bashkëpunim i tillë konsiderohet kritik për presionin mbi regjime autoritare nga Karakas në Pnom Pen për ndryshim kursi”, shkruante Chazan. 

Dhe gjeopolitika e urren vakuumin. Për Ballkanin Perëndimor kjo krijon një boshllëk që tërheq fuqitë botërore – specifikisht Rusia e Kina — për të ndërhyrë e rritur influencën në një kohë që aleanca euro-atlantike është dobësuar dramatikisht.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco