Fushata ‘varini në litar’ dhe borxhi, që Alfred Peza duhet të paguajë te Rama!

Fushata ‘varini në litar’ dhe borxhi, që Alfred Peza duhet të paguajë te Rama!

Nga SYRI.net - 26/09/2019

A besoni te shkopi magjik që të shndërron brenda një sekonde, në atë që nuk je?!

Nëse jo, nga që jeni mjaftueshëm të rritur dhe me mënd në kokë, duhet ta ndryshoni urgjentisht bindjen tuaj sepse kemi një rast tipik, kur ai ekziston dhe funksionon më së miri.

Objekti që shndërrohet është Alfred Peza me gjithë katandinë e tij, kurse magjistari me shkop në dorë si gjithmonë është vetë Edi Rama. Fillimisht, Peza, shkopin e përdori vetë dhe për veten. Nga njeri i medias rrogëtar, u shndërrua në pasunar. Pastaj e dorëzoi veten nën fuqinë e shkopit të Ramës dhe u bë edhe milioner “me letra”, e madje edhe aksionier në një prej bankave më të mëdha të vendit.

Shprehja e famshme, ‘vetëm për mënyrën se si e bëra milionin e parë në dollarë, mos më pyesni’, “fatkeqësisht” nuk funksionoi fillimisht për gazetarin Alfred Peza. Magjia e shkopit u zhbë një ditë të bukur dhe atë e kapën dhe e pyetën “për milionin e parë” , pikërisht në momentin kur Edi Rama mësoi se i ishte mbushur mëndja, që të futej në biznesin bankar e të bëhej edhe ai aksionier, njësoj si familja e shefit të madh.

 Ky ishte një karshillik i padëgjuar, ndaj Peza i shkretë u godit e u degjenerua, nëpër prokurori fillimisht, e madje edhe në mediat që kontrollon shefi.

Por me kalimin e kohës, ashtu si ndodh me shumë magji të tjera të Rilindjes, edhe për këtë ‘rilindas’ të maskuar si njeri i medias u harrua ‘milioni i parë’. Por me një kusht: të bënte me zell detyrën e re që nuk kishte të bënte më me shndërrimin e vendlindjes së tij Peqinit në një qytet si, Roma, por me atë të një zhurmuesi e siluruesi mediatik.

Prandaj sot, kur sheh Pezën që del nëpër studio dhe flet si ‘gazetar i pavarur’ të mbushet mendja, se ai ‘preshi në dorë’ që ju kap në formën e 1 milion dollarëve është bërë nga puna si gazetar kronike (fillimisht te Nikoll Lesi) e pastaj si kryeredaktor e drejtues emisionesh politikë.

Pra pasi, Edi Rama, nuk e lejoi që të bëhej bankier dhe e leqendisi nëpër zyrat e prokurorisë së Arta Markut, e hoqi nga lista e deputetllëkut pasi kishte frikë, se ashtu siç tentoi ta rivalizonte si bankier po bënte të njëjtën gjë si ‘rilindas urban’, duke planifikuar që të shndërronte ekipin e futbollit të Peqinit dhe stadiumin e tij, njësoj si atë të Lacios!

Por sot në këto ditë të zeza për shefin e madh, nuk mjafton vetëm abonimi nëpër studiot e emisioneve politike. Amnistia duhet justifikuar veçanërisht tani. Prandaj gazetaro-sekretari, e pronari i portalit ‘AlfredPeza lajme’ ose shkurt ‘Alpe neës’, së bashku me Blushin e ‘Topit’ kanë nisur një ofensivë të paprecedentë kundër një media tjetër, duke tejkaluar edhe vetë shefin e madh.

Kanë arritur deri aty sa të bombardojnë opinionin publik me lajme, shënime e emisione në një televizion kombëtarë, nëpërmjet të cilave kërkojnë mbylljen e Syrit dhe burgosjen e drejtuesve të tij. Kritikojnë policinë e prokurorinë, se përse nuk e mbyllin e burgosin, të vetmen dritare të madhe informimi që i nxjerr të palarat Ramës dhe ‘Rilindjes’, edhe pse ‘provat’ e mbledhura me zell atë natë, tregojnë të kundërtën e atij “plani djallëzor” e të organizuar, për të futur Shqipërinë dhe gjithë rajonin në kaos!

‘Topi’ e ‘Shqip-i’ i prodhon, kurse Peza i amplifikon me tituj, edhe më të rëndë, duke i sposorizuar fortë. Por natyrisht jo me paratë e ‘1 milionëshit të parë’, sepse ato janë sistemuar kushedi se ku.

Alfred Peza, ‘habitet’ se si arriti ‘SYRI.net’ të hidhte një lajm (për të cilin i është kërkuar ndjesë lexuesve dhe gjithë shqiptarëve) ‘paniku’, por harron se si u habitën të gjithë shqiptarët kur doli, se ‘me kursime’ kishte bërë aq shumë para sa u gdhi një ditë aksionier në një bankë të madhe. Nuk habitet, madje u del në mbrojtje të flaktë, grabitjeve qindra milion euro, që po bëhen me PPP e tender pa garë që i fitojnë biznesmenët e oborrit të shefit të madh.

Po çfarë borxhi jete i ka Peza, Ramës, që ka marrë përsipër të nxisë deri në kufijtë e të pamundurës prokurorinë e policinë, që të mbyll e burgos një media si ‘Syri.net’, e cila i del kryeministrit edhe në ëndërr?

Dita kur Rama e futi përfundimisht në borxh, ishte 14 shtatori i vitit 2018 kur gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm Alfred Pezën ndaj akuzës së ngritur nga prokuroria për, “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Por si u amnistua Peza, me gjithë 1 milionëshin e tij të parë në dollar?!

Pas vendimit të gjykatës, e njëjta prokurori (edhe pse dorëzoi në gjykatë një dosje copë-copë) që ishte shfaqur e bindur në fajësinë e Pezës, duke kërkuar madje edhe dënimin me burg të ish-deputetit, papritur ‘harroi’ që bëjë ankimimin në Gjykatën e Apelit.

Pasi u dogjën afatet, Alfred Peza, me shkopin magjik të Ramës e Arta Markut u shndërrua direkt në një njeri ‘pa probleme me drejtësinë penale’ dhe kështu mund të bënte sërish, edhe gazetarin e pronarin e portalit, edhe atë të sekretarit në PS.

Hetimi për Alfred Pezën filloi në vitin 2017, kohë kur ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Prokuroria mori shkas për nisjen e hetimit ndaj tij, pasi në media u publikuan të dhëna, sipas të cilave, bashkëshortja e deputetit Peza bleu 1 përqind të aksioneve të një banke të nivelit të dytë, në vlerën e mbi 1 milion dollarëve.

Hetimet ndaj Pezës nisën fillimisht nga prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit të skandalit në media në vitin 2017, ndërkohë që ai ishte deputet. Peza u akuzua plot zell nga prokuroria, për tre vepra penale: “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” dhe “Fshehje dhe mosdeklarim i pasurisë”. Pas kësaj edhe gjykata vendosi fillimisht, sekuestrimin e pasurisë së deputetit Peza dhe bashkëshortes së tij. Me këtë rast Rama e lëshoi, duke mos e kandiduar për zgjedhjet e vitit 2017. Dukej sikur Pezës i iku jo vetëm pasuria, por edhe partia.

Por në korrik të vitit 2018, kur Rama sapo kishte katapultuar Arta Markun, prokuroria ‘harroi’ akuzat e para dhe paraqiti në gjykatë vetëm me një akuzë ndaj gazetari-milioner: “deklarimit të rremë të pasurisë” dhe duke fshirë me shkopin magjik, hetimet e kryera deri atëherë nga prokuroria e Përgjithshme për “Fshehje të të ardhurave” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.

Me këto akuza qesharake, Marku i dha mundësinë gjykatës që të shpallte të pafajshëm Alfred Pezën. Por edhe pas kësaj siç e theksuam më lartë, prokuroria ‘harroi’ që të bënte apelimin.

Pasi e futi në një borxh të madh për pasurinë e shpëtuar dhe burgun e larguar, Rama, nuk priti që të shuhej jehona e këtij skandali, por e emëroi Sekretar për Marrëdhëniet me Median në Partinë Socialiste. Pasta ai hapi median e tij dhe u atashua, në çdo studio të rëndësishme televizive.

Prandaj askush nuk ka pse të habitet që Peza sot hedh në eter e sponsorizon shkrime, për mbylljen dhe burgosjen e armikut më të madh publik të Edi Rama, ‘Syri. Net’.

Me atë borxh ku e ka futur Rama, askush të mos çuditet kur Peza ndonjë ditë të kërkojë, edhe varjen me litar në mes të ‘Sheshit Skënderbej’ të kundërshtarëve mediatik e politik të shefit të madh!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Tiku27/09/2019 08:56

Jeni portal i shpejte dhe plot info, por ndonjehere beheni partizan, deri ne 'fshatare'. Gjithsesi keni aty brenda nje pene te holle dhe plot klas qe prodhon shkrime perla, si ky per Peze kokeboshin, hipokritin dhe mashtruesin qe shitet si gazetare. Bravo Syri!

Shto koment

Denonco