Rama si Çome ‘lehësi’...

Rama si Çome ‘lehësi’...

Nga Agim Xhafka - 26/09/2019

Dje nga New Yorku kryeministri përcolli tek televizionet dhe gazetat shqiptare një foto dalë me presidentin Trump. Me diçiturën se në atë takim 3 sekonda Trump i paska thënë që Shqipëria ia ka dalë.

Nuk saktësohet në se i ka thënë që ia ka dalë me emigrimin,me ekonominë më të dobët në Evropë,me parlamentin monist, me shuarjen e Gjykatës Kushtetuese, me mbylljen e mediave opozitare, me investimet e huaja zero, me çmimin 20 milionë euro/km të autostradës, me vjedhjen e votave, me mungesën e ujit, me koncesionet gjakpirëse, me... Shkurt ia ka dalë për gjithçka të zezë.

Këtë foto, me siguri si të tjerat,do e ‘ziejë’, do i hedhë shumë sheqer e do na i japë si hashash në zgjedhjet e radhës. E me një foto me Trump pandeh se do mbushë kutitë e votimit.

Po ç’lidhje ka ky njeri me Çomen, fqinjin tim të hershëm?

Çomja, në fakt quhej Thoma, qe oficer kufiri. Një të shtunë kryeministri i atyre moteve, Mehmet Shehu, shkoi për gjah asaj ane. E morën dhe Çomen të lehte si qen e të nxirrte derrin në pritë. Leh e leh Çomja deri sa u dëgjua një shkrepje. Mehmeti e palosi derrin dhe kaq u lumturua sa me Çome ‘lehësin’ bëri një foto.

Por dhe Çomja me atë foto bëri gjuetinë e vet. E shumëfishoi dhe e vendosi në zyrë, në shtëpi, te puna e gruas dhe ia pa hajrin. Pandehën të gjithë se Mehmeti e Çome qenë shokë. Sa herë fliste do e përmendte kryeministrin.

Më mori në telefon, ia niste, më tha mos u lodh kaq shumë në punë, o Çome. Më tha që do më ftojë te dasma e djalit, që do të më marrë me punë në Tiranë, po nuk më iket nga ky qytet ku kam lindur.

E kështu një ditë e bënë komandant divizioni, gruan drejtore shkolle, çuni studioji për mjekësi, morën shtëpi tre dhoma e një kuzhinë. Çomja në delir, foton e mbante me vete, kudo.

Brenda te xhepi i brendshëm i xhaketës, kuptohet majtas, nga ana e zemrës.

Deri sa...Mehmeti ia hoqi vetes.

Atë minutë Çomja grisi gjithë fotot, në ato korniza vendosi fytyrat e pleqve e tij, por qytetarët nuk e harronin që hiqej orë e minutë si vëllamë me Mehmetin.

E çuan Çomen kapter te bunkerët e aty ngeli disa vjet.

Dhe si për çudi ia harruan fare emrin, e thirrnin me përbuzje: ‘O qen i Mehmetit!’

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco