Shpulla e fortë e SHBA ndaj ‘opozitës së re’ dhe mercenarëve të Ramës në PD dhe jashtë saj

Shpulla e fortë e SHBA ndaj ‘opozitës së re’ dhe mercenarëve të Ramës në PD dhe jashtë saj

Nga Red Varaku - 26/09/2019

Dje, kaloi pothuajse pa u vënë re një nga deklaratat më të rëndësishme të Ambasadës Amerikane në Shqipëri në lidhje me liderin e Partisë Demokratike z. Lulzim Basha sigurisht jo pa qëllim.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partneri më i rëndësishëm i Shqipërisë, nëpërmjet një statusi në faqen e saj zyrtare në Facebook, rrëzoi dje të gjitha pretendimet e kuzhinës kryeministrore brenda dhe jashtë PD-së, çorba e të cilës prej kohësh mbante të mpirë dhe të çoroditur opinionin publik shqiptar, me tezën idiote gjoja sikur z. Basha është në konflikt me amerikanët ose që nuk e paska mbështetjen ose bekimin e tyre.

Nëpërmjet këtij statusi të shprehur qartë e zeza mbi të bardhë, Amerikanët konfirmuan se z. Lulzim Basha, po bën përpjekje të cilat ‘demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë’ në lidhje me zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për demokracinë, që me fjalë të tjera do të thotë, që Lulzim Basha është sot partneri më i rëndësishëm i tyre dhe se Ambasada Amerikane vlerëson figurën e z. Basha si faktor dhe promotor të zgjidhjes së çështjeve thelbësore, që lidhen me forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike në Shqipëri.

Kjo deklaratë ishte një ‘shpullë’ e fortë për të gjitha spekulimet e mercenarëve të Ramës brenda dhe jashtë PD-së, të cilët e kishin këtë një ndër tezat më të rëndësishme të argumentit të tyre kundër z. Basha. Ambasada Amerikane, duke dëshmuar që z. Basha është një udhëheqës i vërtetë, në fakt shpall, njeh dhe vlerëson të gjithë aksionin politik të z. Basha deri tani si lider i Opozitës, përfshi këtu djegjen e mandateve aq shumë të atakuar nga këta mercenarë.

Kështu që pretendimet e mercenarëve marrin një shpullë shumë të fortë pikërisht atëherë kur mendonin të nisnin një fushatë të sponsorizuar fund e krye nga z.Rama kundër z. Basha, me qëllimin e ulët të zhvendosjes së vëmendjes nga nëntë shpullat e e rënda të Berlinit. Ishte pikërisht kjo deklaratë, që e bëri znj. Jozefina Topalli, që dje të hiqte dorë menjëherë dhe përfundimisht nga sulmet nga brenda PD-së dhe për herë të parë të paralajmëronte krijimin e një force tjetër politike, deklaratë kjo e cila rezononte tërësisht me deklaratat e përfaqësuesve të ‘opozitës së re’ dje gjatë takimit të parë për reformën zgjedhore. Ky rezonim në qëndrim është prova që mercenarët e Ramës në parlament dhe jashtë tij , kanë vetëm një frymëzues dhe financues dhe ai është z.Rama.

Deklarata e djeshme e Ambasadës Amerikane, si asnjëherë tjetër i mbylli gojën edhe tellallëve kryesorë të kryeministrit , mediave dhe portaleve pranë tij, gjenive të mashtrimit dhe manipulimit, të cilët kishin ngritur një tymnajë të jashtëzakonshme për mendjet e pavëmendshme, në lidhje me raportin e z. Basha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata dje heshtën si asnjëherë tjetër, sepse deklarata e djeshme, në fakt jo vetëm godiste mu në zemër mashtrimin e tyre, thelbi i sulmit të së cilit ishte pikërisht z. Basha, por e shpallte atë si të preferuarin e saj.

Gjithashtu, kjo deklaratë demaskoi përfundimisht edhe opozitën e re si një vegël e shëmtuar në duart e Ramës, e cila mban me oksigjen regjimin më të shëmtuar të këtyre 30 vjetëve. Ajo rrëzoi përfundimisht pretendimet e tyre, se ata ishin përfaqësues të vullnetit të ndërkombëtarëve. Pasojat e këtij demaskimi i dhanë frytet menjëherë, kur ‘opozita e re’ u largua në mënyrë demonstrative nga një takim i thirrur pikërisht nga ndërkombëtarët.

Pas kësaj deklarate, nuk besoj se ka njeri në Shqipëri dhe jashtë saj , përveç atyre që paguhen dhe kanë një pakt me z. Rama, që nuk është i bindur se z. Basha jo vetëm nuk është i izoluar nga faktori ndërkombëtar, por është njeriu të cilit i është ngarkuar përgjegjësia kryesore e realizimit të reformave më të rëndësishme për të cilat sot vendi ka nevojë emergjente. Tashmë, nuk ka më asnjë dyshim, që ai është udhëheqësi të cilit i është besuar integrimi i Shqipërisë në BE dhe dhënia fund e tranzicionit politik shqiptar.

Pas kësaj deklarate, edhe më idiotët e dobishëm dhe të padobishëm, e kanë të qartë, që z Basha ka bekimin e ndërkombëtarëve për të qenë shumë shpejt kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gramoz26/09/2019 14:53

Basha ishte ai qe nxorri me shkelma nga parlamenti, horra dhe morra, rrugaçe ordinere, te futur aty nga kryhorri Edver Taqi Zorraxhiu!

Osumi26/09/2019 12:48

Z. Basha eshte lideri i opozites qe cmontoi me themel kete rregjim te ndyre. Vendosmeria e tij shprese per cdo shqiptar te ndershem dhe patriot.

Shto koment

Denonco