Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Qeveria e ka braktisur arsimin, e gjithë vëmendja tek PPP e rradhës

Qeveria e ka braktisur arsimin, e gjithë vëmendja tek PPP e rradhës

Nga Luçiano Boçi - 15/09/2019

Mes kaosit politik dhe etheve për hapje negociatash, nesër merr udhë nisja e vitit shkollor në arsimin parauniversitar.

Mijëra janë ato fëmijë që do të ulen për herë të parë, për t’iu bashkuar të tjerëve drejt përpjekjes për të ndërtuar përmes dijes të ardhmen e një jete më të mirë. Por ngjarja madhore e ditës së parë të shkollës ka humbur shkëlqimin e dikurshëm dhe atmosferën e prag fillimit. Gjithçka ngjan e vakët dhe e zymtë me tek-tuk oaze privatësh që përpiqen të ndezin optimizmin.

Arsimi sot i ngjan një terreni të shpartalluar pas një luftë shkatërrimtare. Nga prioritet ai është shndërruar tashmë në një plaçkë për kompensim propagandistik.

Inercia e asgjë tjetër, lëviz qerren e tij përpara. Pasiguria dhe rastësia janë buajt që e tërheqin atë me një monotoni kërcitëse drejt hiçit.
Po shteti?
Po ministria?
Po kryeministri?

Asgjë. Do bëjnë nesër ritualin me buzëqeshje hipokrite, urime shabllon, me skenarë hollivudianë me fëmijë të lumtur, mësues të zbukuruar e prindër të gëzuar, për t’i shpërndarë si ushqim për popullin, nëpër mediat me lajme të sforcuara.

Shteti, ministria e kryeministri do të rrahin gjoksin për lëmoshat e librave të përdorura, për ndonjë qokë rikonstruksioni, ose do të përkëdhelin mes fjalimeve bajate, live, ndonjë nxënës.

Do shpërfaqin mrekullisht injorancën brilante e do të vetëkënaqen me fjalë uruese e lavdëruese.
Kaq dhe gjithçka do mbyllet me togfjalëshin refren “arsimi që duam”, që në fakt është arsimi që nuk duhet e që nuk duam.
Drama Arsimit përpiqet të mbulohet kështu me mijëra marifete, në një ditë.
Por ajo është aty mes nxënësve, mësuesve e prindërve.

Braktisja është ulëritëse. Mijëra nxënës janë larguar për arsye emigratore nga sytë këmbët nga Shqipëria e shkolla e tyre e dashur.

Të tjerë në pamundësi ekonomike, nuk do mund të ulen më me shokët e tyre. Ne tragjikisht jemi duke humbur limfën e jetës së kombit e shteti nuk bëzan.

Familjet shqiptare të rrënuara progresivisht këto vite, janë nën e ethet e pamundësisë financiare për të përballuar kostot e larta të rritura arsimore. Qeveria i ka braktisur.

Paketat e librave kushtojnë çdo vit e më shumë. Shkojnë deri në 80.000 lekë në arsimin 9-vjeçar e deri në 110.000 në atë të mesëm.
Rrjeti i godinave shkollore ka pamjen e një post bombardimi.
Infrastruktura shkollore është e rrënuar.

Godina të reja shkollore dhe të rikonstruktuara të kap syri vetëm me gishtat e dorës. Për laboratorë, TIK, e biblioteka nuk e ve kush ujin në zjarr.

Klasat kolektive dhe klasat fiktive kanë shtrirë dominancën e tyre kudo.

Struktura ligjore arsimore, është një mish-mash vendimesh e ligjesh të rastit që kundërshtojnë njëri-tjetrin e kanë eleminuar rregullin, parimin dhe institucionet brenda një ministrie ku sundon padija dhe butaforia.

Po mësuesit?

Mësuesit do marrin ndonjë lule nga nxënësit, se Kryeministri e qeveria i ka dhënë brrylin.
I kanë shkelur me këmbë mësuesit me dhunë politike. I kanë mbytur me letra i kanë shfytyruar misionin.

Me udhëzimin e fundit 13, i kanë futur në një kacafytje permanente me njëri-tjetrin, për vendin e punës e bukën e gojës.
Financiarisht i kanë braktisur deri në mohim.

E drama vazhdon...bashkë me ditën e parë të shkollës.

Parlamenti ndërkohë do miratojë koncesionin e radhës.

Krimi do rrisë përfaqësimin e tij në politikë dhe në ekonomi.

Ministrja do shfaqë video-regjistrimin urues me pompozitet qesharak.

Ndërsa Kryeministri me siguri do ngërdheshet diku, me urim-batutë, duke u përpjekur të eglendisë turmën e sejmenëve që i bëjnë fresk...
E askush nga këta nuk do t’ia dijë për lëngatën e arsimit...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco