Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

Dekriminalizimi si kastrimi kimik i Rilindjes

Dekriminalizimi si kastrimi kimik i Rilindjes

Nga Gentian Gaba - 09/09/2019

Duket se nuk ka paqe për Rilindjen pas 30 qershorit. Nuk mjaftoi pjesëmarrja e ulët në votime, apo fakti që parti e dytë, dolën fletët e votimit në të cilat ishin vizatuar forma falike në shenjë rebelimi ndaj kushtëzimit për të shkuar në një garë pa rivalë.

As që votat e gjetura ishin më të shumta se votuesit, apo që Vangjush Dako (kreu i shtabit elektoral për qarkun e Durrësit edhe në këto zgjedhje) u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Andrallat e vërteta nisën kur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nisi ofensivën ndaj atyre që dolën ‘fitues’ në zgjedhje që nuk morën në konsideratë interesat e zgjedhësve shqiptarë, sikurse pohohet në raportin e OSBE-së.

Deri në këtë moment, viktimat e shquara kanë qenë Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku. Të dy të rënë pre e ligjit të ‘Dekriminalizimit’. Por, me sa duket, kjo listë shumë shpejt do të zgjatet. Sigurisht një ngjarje e kobshme kur kemi parasysh fjalën e urtë ‘të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore’.

Sepse nuk mund të bëhet më fjalë për gabime njerëzore, kur pas një beteje kaq të gjatë të opozitës për të imponuar pastërtinë e figurës në politikë, vijon këmbëngulja djallëzore e Rilindjes për të vendosur mujsharët në krye të listave dhe qyteteve. Emrat e dalë këto javë, të cilave do t’u shtohen edhe kryebashkiakë të tjerë, tregojnë së paku dy gjëra.

E para është vërtetimi nëpërmjet kandidimit të elementëve me prejardhje kriminale edhe në gara pa kundërshtarë, i projektit politik të Rilindjes për të fituar dhe mbajtur pushtetin me çdo kusht. Një vullnet që do të ekzistojë derisa brenda Partisë Socialiste të mbizotërojë ai që thuri të ashtuquajturën ‘aleancë të qelbësirave’. Si një simbiozë, ose një bashkëjetesë e vazhdueshme ndërmjet dy grupimeve llojeve të ndryshme, politikanë dhe kriminelë, që u sjell dobi të ndërsjellë.

Një simbiozë që do të kishte ‘sakatuar’ opozitën nëse do të ishte futur në garën e 30 qershorit, sikurse ndodhi në zgjedhjet e pjesshme të Dibrës dhe në të përgjithshmet e vitit 2017, për të cilat përgjimet e Bild janë prova të patjetërsueshme.

E dyta, dhe më e rëndësishmja, është fakti që ligji për ‘Dekriminalizimin’ po shërben si kastrimi kimik ndaj Rilindjes dhe gjithë të fortëve. Të cilët, në bashkëpunim me politikën, kanë përdhunuar dhe po përdhunojnë gjënë publike duke iu diktuar shoqërisë shqiptare me muskuj dhe para, në gara që do të duhet të ishin festivale idesh dhe vlerash. Rënia e njëpasnjëshme e të përzgjedhurve nga bota e krimit, duke nisur nga ata që Rama futi në Parlament dhe në bashki në mandatin e tij të parë, tregon se dobia publike e Dekriminalizimit është një vlerë absolute që i duhet njohur opozitës dhe liderit të saj.

Ky ligj, i shpikur ad hoc për ndaluar xhindet që Rama nxori nga shishja, është arma më e fortë në arsenalin e opozitës. Jo vetëm simbol i një beteje politike të fituar me zgjuarsi dhe sakrificë, por edhe i një mjeti me anë të të cilit po u tregohen shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ngjyrat e vërteta të kryeministrit.

Jo si e pikturon propaganda e tij, por si mercenari i të fortëve në politikë. Njeriu që krijoi precedentin e rrezikshëm të amnistimit të kriminelëve nëpërmjet legjitimimit dhe integrimit të tyre në jetën politike, u hoqi zinxhirët e trashë dhe i mbathi me kostume dhe kollare.

Por, asnjë krim nuk mbetet pa ndëshkim. Kush mbjell erë, korr furtunë, dhe kush prej krimit erdhi në pushtet prej ‘Dekriminalizmit’ do të ikë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ajo09/09/2019 18:25

Faleminderit Z. Gaba!
Vertet qe me kishin munguar shkrimet e tua, mencuria jote dhe sensi i realitetit qe perconi tek lexuesit. Mbase dua t’ju falenderoj qe nuk po shfaqni me pikepamjet tuaja tek Politiko.al. Kjo tregon se jeni njeri me integritet. Para nja dy muaj po cuditesha pse Politiko.al i Alfred Leles, nga nje portal opozitar me qeverine ( plotesisht e drejte duke patur parasysh se kush na qeveris) papritur e pakujtuar gjithe baterite e sulmit dhe sarkazmat i drejtoi kunder PD-se dhe Z. Basha ne vecanti? Me sa di une Z basha dhe PD, as nuk kane ndryshuar ideologjine e tyre dhe as kane hequr dore nga qellimet e tyre, te cilat pak muaj me pare Z. Lela i pershendeste dhe i aprovonte. Atehere cfare ndryshoi? Pse Z. Lela pas muajsh “ opozitarizmi te forte “ ndaj Rames dhe opozitarizmit te vertete ndaj Bashes doli me ne fund hapur kunder Z. Basha? Askush nuk e kish permendur emrin e tij, as Basha dhe as ndonje eksponent tjeter i Pd-se, si “ armik” te tyre. Pas muajsh kunjash dhe ironie ndaj Bashes, si dhe reklamim te “ lideres” te se ardhmes se gafemadhes dhe mendjepaktes Hajdari, Z. Lela, kujtoi se eshte shume i rendesishem ne skenen mediatike shqiptare ( vertet?) doli hapur se pse eshte kunder Bashes, kur ne fakt nuk dha asnje argument serioz. Mbase mungesa e arsyeve te vertea te luftes qe i ka shpallur Bashes shpjegon me se miri se perse kaperceu ylberin dhe ra ne prehrin e Rames, kinse duke bere nga pak opozite ndaj ti. Prandaj ju falenderoj perseri Z. Gaba qe u distancuat ( ashtu shpresoj) prej nje tjeter sahanlepiresi te Rames. Tek te rinj si ju une kam shpresen se Shqiperia nje dite do behet. Shpresoj qe te rinj inteligjente si ju te kene dhe karakterin e forte dhe atdhedashurine e duhur per te bere ndryshimin e madh. Sot per sot kete rol po luan Z. Basha prandaj dhe sulmet ndaj tij jane kaq te medha nga te gjitha anet. Ligji i dekriminalizimit eshte nje merite personale e Z. Basha dhe e PD qe po jep vertet rezultate ne luften kunder krimit shteteror. Reforma ne Drejtesi eshte thjesht nje mbulese per kapjen e cdo qelize te shtetit nga Rama. Deri me sot vetem ligji i dekriminalizimit eshte garancia e vetme qe Rama mos kape gjithshka lehte dhe pa pasoja.

Shto koment

Denonco