Tek revolucioni i dashurisë së Nënë Terezës, besimi se vështirësive po u vjen fundi

Tek revolucioni i dashurisë së Nënë Terezës, besimi se vështirësive po u vjen fundi

Nga Lulzim Basha - 05/09/2019

"Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” – Nënë Tereza

U mbushën 3 vjet nga ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës, 4 shtatorin e 2016-s. Vatikani caktoi si ditë të së Shenjtes më të re të katolikëve 5 shtatorin, ditën kur ajo më 1997-n, shkoi në amëshim.

Emocionet e shenjtërimit të Nënë Terezës, i kam të gjalla. Atje, në Selinë e Shenjtë pashë krenarinë shqiptare që shfaqej kudo, në rrugë, me flamuj, me besim dhe me energji, një krenari shqiptare për dhuratën që i kishim bërë njerëzimit. Një bijë shqiptare, një gjak prej gjakut tonë ishte bërë shenjtore, frymëzimi ynë dhe i mbarë qytetërimit për t’ju përkushtuar ndihmës dhe shërbimit ndaj të varfërve, të pamundurve, të sëmurëve.

Edhe atë ditë, edhe sot, nuk mund të mos kujtoj vlerësimin e Shenjtit Gjon Pali II për Nënë Terezën. Ishte pikërisht ai, që vetëm dy vjet pas largimit në amëshim, shpalli kundër çdo tradite të Selisë së Shenjtë nisjen e procedurave për lumturimin e Misionares së Dashurisë dhe këto procedura gjithashtu u mbyllën në kohë rekord në vitin 2002, vetëm 5 vjet nga 1997-a.

Kur ishte Papa Gjon Pali II në Shkodër, më 1993-in, ai u tha të gjithë shqiptarëve: “Të dashur, nuk mund mos ta përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dini nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë… Ju falenderoj sot në emër të Kishës Katolike, ju falenderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…”.

Një milion besimtarë ishin në Sheshin e Shën Pjetrit ditën e shenjtërimit të Bijës Shqiptare, ishin atje për të nderuar thirrjen e Gonxhe Bojaxhiut, përkushtimin e saj të përjetshëm në shërbim të të varfërve dhe për të marrë stafetën që ajo i linte njerëzimit, trashëgiminë për t’ju gjendur më të varfrit dhe më të pamundurit.

Sot pas 3 vitesh ndihemi njësoj krenarë si atë ditë, veçse më në vështirësi, më në borxh me trashëgiminë e Nënë Terezës. Sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare. Sepse kur nuk të bëhet më vonë për fatin e një njeriu, nuk të bëhet më vonë për fatin e të gjithëve. Këto vështirësi shoqëria shqiptare nuk i meriton, megjithatë, ne jemi populli i Nënë Terezës, e cila na ka lënë si testament edhe letrat e saj, ku na rrëfen se si duhet të përballojmë dyshimin dhe mungesën e shpresës.

Këmbëngulja dhe besimi se e mira ja del, triumfon mbi të keqen sado me propagandë e maskë tregtari të shitet ajo, gjendet në çdonjërën nga letrat sekrete të Nënë Terezës, të cilat Vatikani, në vendimin e tij për shenjtërim, i dëshmoi si “botëkuptimi i ri, dritarja e re për botën e saj të brendshme, një dritare që tregoi se sa heroike kishte qenë qëndresa e Nënë Terezës në besim dhe në Misionin e saj të Dashurisë”.

“Si vjen paqja? Nëpërmjet punës që e bëjmë me dashuri”, rrëfente Nënë Tereza para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në vitin 1985, në momentin kur përfaqësuesit e Shqipërisë komuniste e braktisën sallën në shenjë proteste. Dhe puna me dashuri na solli krenarinë për Shenjtëreshën që i dhamë botës.

Me dashuri do të përmbushim edhe detyrimin për të dalë nga kohët e vështirësisë ku gjendemi. Me dashuri dhe me frymëzimin që na jep Nënë Tereza. Tek Ajo gjejmë kombin, tek Ajo gjejmë historinë, tek revolucioni i dashurisë që kreu Nënë Tereza në botën tonë gjejmë besimin se ditëve të vështirësisë së pamerituar po u vjen fundi.

Bekimi i Zotit dhe Shën Nënë Terezës qoftë me ne, për të na e lehtësuar rrugën për t’u shërbyer sa më mirë bashkqytetarëve tanë dhe për një të ardhme më të mirë për kombin tonë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

I verteti05/09/2019 08:50

Do te digjeni te gjith ne ferr bashk me te.

Shto koment

Denonco