Vjosa dhe Etildat shqiptare

Vjosa dhe Etildat shqiptare

Nga Gentian Çala - 25/08/2019

Protagonizmi i femrave në politikë, është një lajm i mirë që po i ndodh politikës shqiptare, por modelet janë të ndryshme. Duke qenë se gjatë ditës së sotme portalet ishin mbushur me lajme për dy femra në politikë, njëra andej dhe tjetra këtej kufirit, unë do të doja të fokusohesha te modeli i tyre dhe karrierat, për të bërë një krahasim.

Vjosa, një zonjë e edukuar në perëndim, njeh disa gjuhë të huaja, deputete e LDK-së në Kosovë, duket se është një nga më të votuarat në zgjedhjet e fundit parlamentare (gjë kjo e matshme për shkak të sistemit zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura). Ajo ka dëshmuar integritet, duke dalë kundër lidershipit të partisë për koalicionin e panatyrshëm me kundërshtarin e kahershëm politik PDK.

Tashmë Vjosa mund të jetë kandidate për Kryeministre nga partia që duket më e kuotuar për të fituar zgjedhjet në Kosovë. Gjithësesi, ajo mbetet një zonjë që nuk i është kacavjerrë kryetarit të rradhës të partisë, por qëndrimet, korrektesa dhe gara po e çojnë drejt një kulmi politik. Madje Kryetari aktual i partisë, nuk shihet si kandidat për Kryeministër duke i dhënë mundësinë një figure të pakonsumuar dhe me energji të reja.

Nga ana tjetër ne kemi disa protagoniste në politikën shqiptare si Etilda, Elisa, Belinda, etj., të cilat janë shquar për shërbimin ndaj Kryetarit të partisë dhe Kryeministrit aktual. Ato janë gjetur në poste të rëndësishme pa karrierë dhe pa kontribute, janë bërë pjesë e listave të kryetarit dhe të kabinetit të tij. Ato nuk kanë treguar integritet, por vetëm përulësi dhe mbrojtje të verbër ndaj dikujt që kanë arritur ta krahasojnë edhe me Heroin tonë Kombëtar, në mënyrë krejtësisht servile.

Modelet kontrastojnë fort, ato përcaktohen nga sistemi, por janë produket edhe i lidershipit politik. Rama shpesh i përdor femrat duke i veçuar, duke i promovuar, por ai vazhdimisht i ka zhveshur nga integriteti i tyre duke i lënë pa gojë dhe pa opinion. Ato janë kthyer në ingranazhe të mekanizmit qeverisës, duke lejuar të bëhen pjesë dhe të ndoten shpesh me aferat korruptive të qeverisë dhe të Kryeministrit. Nëse nuk do ti shërbenin atij nuk do të ishin aty ku janë sot.

Vjosat do të doja të shtoheshin në politikën shqiptare në të dyja anët e kufirit. Vjosa ende duhet të na dëshmojë aftësitë e saj për ta qeverisur vendin, por së paku premisat duken të mbara. Ndaj unë i uroj suksese në rrugëtimin e saj dhe të gjitha atyre që janë si ky model.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco