Kullat dhe koncesionet, marrëzia e madhështisë!

Kullat dhe koncesionet, marrëzia e madhështisë!

Nga Monitor.al - 18/08/2019

Shqipëria, një nga shtetet me bukuri të pafund natyrore e ujore në raport me sipërfaqen e saj të vogël, pasuri të shumta në naftë, minerale etj., është sot zyrtarisht vendi më i varfër në Europë.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se të ardhurat tona janë mesatarisht sa rreth 31% e mesatares europiane, duke na e kaluar edhe Bosnjë-Hercegovina, që ka pasur probleme më të mëdha nga ne, si për luftëra ashtu dhe konflikte etnike.

Kjo përqindje ka mbetur pothuajse e pandryshuar në raport me një dekadë më parë, në një tregues që vendi ynë ka ngecur në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, ku shtetet më të varfra rriten më shpejt në mënyrë që të kapin brenda disa dekadash mesataren europiane (vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare thonë që për vendet e Ballkanit mund të duhen nga 60 deri në 200 vjet).

Treguesi më i qartë i varfërisë së vendit janë të ardhurat nga puna. Paga mesatare në Shqipëri, prej rreth 50 mijë lekësh (gati 400 euro) është më e ulëta nga të gjitha vendet e rajonit. Më e larta është në Mal të Zi (765 euro), Serbi (644 euro), Maqedoni (591) dhe Kosovë, e parafundit (528 euro).

Edhe në shtet ato janë më të ulëtat. Në shëndetësi, mjekët e infermierët shqiptarë paguhen mesatarisht 50-80% më pak se homologët e tyre në rajon (425 euro paga mesatare në shëndetësi, kundrejt 820 euro në Mal të Zi). Ndaj sot, Shqipëria po përballet dhe me një hemorragji të mjekësve e infermierëve (krahas qindra të tjerëve të profesioneve të ndryshme), duke krijuar një handikap në ofrimin e këtij shërbimi jetësor te popullata.

Dhe jo se nuk kemi pasur rritje ekonomike në dekadën e fundit, por ajo nuk ka qenë e qëndrueshme dhe nuk ka ndikuar në rritjen e pagave dhe mirëqenies së gjithsecilit. Rasti më i freskët është ai i vitit të kaluar, kur gati gjysma e rritjes prej 4% (më e larta e dekadës së fundit) erdhi nga një zhvillim rastësor, që lidhej me reshjet e bollshme të shiut, që nxitën shitjen e energjisë jashtë, një veprim që statistikisht konsiderohej i gjithi si vlerë e shtuar në matjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo ndihmë nga qielli u shua shpejt dhe në pjesën e parë të këtij viti, rritja u përgjysmua në rreth 2%.

Në një situatë të tillë, shqetësimi i parë i çdo qeverie do të ishte një analizë dhe plan veprimi për të nxitur zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë, nxitje të eksporteve, rritje të produktivitetit e vlerës së shtuar, si elementi parësor për të përmirësuar mirëqenien e popullatës. Por, ajo që po shohim, është krejt e kundërta. Ka një mani të shtetit më të varfër të Europës (si për të ardhurat e banorëve të saj ashtu dhe të buxhetit) për t’u përqendruar në disa projekte në dukje madhështore, por që brenda janë krejt boshe, në kuptimin e asaj që do t’i sjellin ekonomisë në afatin e gjatë.

Për pak kilometra rrugë në Milot-Balldren po shpenzohen 300 milionë euro (thuhet se do të jetë një rrugë që ne nuk e kemi parë kurrë, e standardit A. Po çfarë vlere do t’i sjellë ekonomisë kjo, kur rrugë më të leverdishme nga pikëpamja e fizibilitetit janë në gjendje të mjeruar!). Pas zellit për të ndërtuar një teatër të ri, ‘fshihet’ mania për të ndërtuar gjashtë kulla aty rrotull.

Një mani kjo që po bëhet e dukshme dy vitet e fundit, duke mundësuar kanalizimin e të paktën 400 milionë eurove në vit në ndërtime në kryeqytet (sipas të dhënave nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë), shumica e tyre në qendër, në projekte që shënjestrojnë ‘të pasurit’ e Shqipërisë, ata që sipas shifrave zyrtare nuk ekzistojnë, për të justifikuar një marrëzi të tillë pas ndërtimit.

Është normale që bizneset do të rendin pas parasë, teksa qëllimi i parë i tyre është maksimizimi i fitimit. Por shteti ekziston, në radhë të parë, për të maksimizuar mirëqenien e qytetarëve të tij, gjë që nuk po shohim ta bëjnë. Përkundrazi, kjo ‘marrëzia e madhështisë’ rrezikon të kthehet në mallkimin e të gjithë atyre (që ende nuk kanë ikur), që ende kanë shpresë se ky vend i begatë një ditë do t’i shpërblejë qytetarët e tij për atë që ata vërtet e meritojnë!

/Botuar në Revistën Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Higgins21/08/2019 12:24

Bravo per shkrimin, por tani kjo nuk mjafton.
Duhet te mobilizohemi kunder te keqes.
fahatare, punetore, intelektuale te mblidhemi per ta ndalur shkaterrimin e ketij vendi te bukur.
Pse valle zgjedhim gjithmone per te udhehequr shtetin njerez qe nuk e duan kete vend?
Eshte ky nje mallkim? Te lutemi atehere qe Zoti te na e heqe kete mallkim.

Shto koment

Denonco