Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Diplomacia dyfytyrëshe e liderëve ballkanikë dhe shkaqet e saj!

Diplomacia dyfytyrëshe e liderëve ballkanikë dhe shkaqet e saj!

Nga Enver Bytyçi - 17/08/2019

Autoritetet e Beogradit njoftuan të martën e shkuar se agjencitë e huaja të zbulimit po përgjojnë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç si dhe familjarët e tij. Ky lajm i përhapur me aq zell në Serbi dhe proklamuar si skup nga disa media shqiptare kishte si objektiv të rritë autoritetin dhe prestigjin e kreut të shtetit serb në elektoratin përkatës, por njëkohësisht duhet trajtuar edhe si një fenomen që lidhet me sjelljen dhe performancën e liderëve politikë të Serbisë e të Ballkanit Perendimor.

Nëse studiojmë këto sjellje, në tërësinë e tyre ato mund të përmblidhen me një fjali – Janë sjellje me shumë fytyra, janë sjellje prej servilësh, hipokritësh dhe shtetarësh që bashkëpunojnë me shumë partnerë, ortakë e padronë, me llogari specifike për secilin prej tyre. Dhe ky lloj diskursi po zhvillohet edhe në Prishtinë, debat i cili ka evidentuar sjelljet servile të shumicës së kastës politike dhe jo servile të ndonjë politikani.

Në kategorinë e jo servilëve veçohet kryeministri në largim, Ramush Haradinaj. Ndërsa në kategorinë e servilëve trajtohen presidenti Thaçi, Kadri Veseli e të tjerë politikanë.

Po në Tiranë?!

Etalon i shumë fytyrësisë në marrëdhëniet me aleatët perëndimorë është dhe mbetet kryeministri Rama. Jo thjesht për marrëdhëniet e ngushta të tij me presidentin autokrat të Turqisë, por më së shumti kjo lidhet me akrobacitë dhe megalomaninë e tij politike e diplomatike. Këto akrobaci të kryeministrit të Shqipërisë janë të njohura, të shpallura publikisht, përmes preferencave të tij në marrëdhëniet me krerët e shteteve tjera, sidomos në rajon. Janë shpallur gjithashtu përmes ideve dhe nismave destabilizuese rajonale e shumë aspekte të tjera. Ajo që bën përshtypje ka të bëjë me një praktikë kontradiktore në qëndrimet politike përballë publikut dhe ndërkombëtarëve.

Rasti i taksës për mallrat serbe e boshnjake është vërtet trishtues. Ndërsa në takimet me personalitetet ndërkombëtare, si Rama dhe Thaçi pajtohen me heqjen e taksës, në deklarimet publike janë të tërhequr e madje, sipas Thaçit, taksa prej 100 përqind duhet të ruhet. Samiti i Berlinit i 29 prillit të këtij viti ishte dëshmi e një shëmtie deri në absurd, kur kreu i ekzekutivit të Shqipërisë dhe kreu i shtetit të Kosovës iu bashkuan ankesës së presidentit të Serbisë para Merkel e Macron për heqjen e taksës në fjalë dhe sulmuan ashpër kryeministrin e Kosovës, duke e lënë atë të vetëm në këmbënguljen e tij për ruajtjen e saj deri në njohjen nga Serbia.

Një hulumtim i sipërfaqshëm i këtij qëndrimi hipokrit të udhëheqësve ballkanikë çon në përfundimin se shkaqet e dyfytyrësisë së liderëve politikë e shtetërorë ballkanikë lidhen me disa faktorë. Së pari me shkallën e korrupsionit dhe implikimin e tyre në vepra kriminale. Të korruptuarit dhe inkriminuarit si Rama, Thaçi dhe Vuçiç nuk ushtrojnë pushtet sipas parimeve.

Të tillë udhëheqës bëhen autoritarë dhe sundojnë me dorë të fortë. Prodhojnë armiq, jo kundërshtarë. Kësisoj shkojnë drejt demonizimit të autoritetit dhe pushtetit që kanë, me qëllim që duke qenë faktorë në vendet që drejtojnë të imponojnë mbështetjen ndërkombëtare. Kur hasin në kritikat e Perendimit ata u tregojnë derën e Lindjes, pra mundësitë dhe marrjen në mbrojtje psh nga Turqia ose nga Rusia.

Të kësaj kategorie tipike janë Rama dhe Thaçi, ndërsa Vuçiç përveç përfitimeve prej pushtetit, përdor gjithashtu nacionalizmin ekstrem serb si mundësi dhe urë lidhjeje me Rusinë. Fakti i publikuar për përgjimin që atij i bëhet ka lidhje lidhjet e ngushta që ai ruan me Rusinë e Putinit. Serbia është një vend që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Por ndërkohë ajo dëshiron të ruajë lidhje e marrëdhënie strategjike me Rusinë.

Në këto kushte është në interes të BE-së dhe SHBA-ve të njohin shkallën e lidhjeve serbo-ruse, me qëllim që të mos sjellin në bashkësinë perendimore një vend satelit të Moskës. Së dyti, dyfytyrësia ose shumë fytyrësia e Vuçiç nuk lidhet vetëm me implikimin e tij në korrupsion, por dhe me bindjet dhe idetë nacionaliste që ai dëshiron t’i ruajë në raport me aleatin tradicional të Serbisë, Rusinë.

Ndërsa Rama dhe Thaçi kanë vendosur që në planin strategjik të mbrojnë korrupsionin dhe krimin antishqiptar të tyre përmes kërcënimit të Perendimit me një aleancë tradicionale me autokratin turk, Rexhep Tayip Erdogan.

Kësisoj dy liderët shqiptarë kërcënojnë Brukselin dhe Uashingtonin, njësoj siç bën Vuçiç me presionin e lidhjeve të tij me Moskën. Ndërsa të tre këta me metodën e servilizmit para ndërkombëtarëve në sy dhe bashkëpunimit me udhëheqës lindorë autoritarë shndërrohen kësisoj në rrezik për paqen e stabilitetin rajonal.

* Nga Enver Bytyçi, shkruar për Syri.net
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp17/08/2019 18:45

Profesor,une mendoj qe SHBA dhe BE, duihet te mos reshtin perpjekjet, per ta perfshire Serbine ne BE dhe ne NATO, dhe nuk eshte realiste te themi qe Serbia eshte nje vend teresisht satelit i Rusise.Bile e kunderta duhet te jete e vertete.Influencat e perendimit mund te jene me te larta,se ato te Rusise.Ashtu sikurse edhe ne shqiptaret e kuptuam me vonese se vendi jone duhet te jete në, e me perendimin dhe se sistemi demokratik me vlerat qe mbart, perçon dhe zhvillon ,eshte me progresiv se çdo regjim autokratik,po ashtu edhe populli serb, do te kuptoje dite pas dite, se nacionalizmi eshte e shkuara dhe nje rruge pa krye dhe jo e ardhmja.Kufijte e Republikes se Kosoves jane definitiv.As Z.Thaçi, as Z.Rama qe ju e etiketoni si armik dhe pazarxhi trojesh, nuk kane asnje mundesi, as ti fusin ne thes e t'ua len ne plër serbeve teritoret.Bile une dyshoj edhe nese do ta benin kete edhe po ta kishin ne dore kete mundesi.Une e kuptoj qe lufta politike i presupozon çdo lloj retorike dhe te angazhuaret ne kampe poliktike te ndryshme, zor se do pranojne argumentat e kunderta.E verteta eshte qe pushtetaret edhe ne pamundesi praktike per ta mbartur dheun, matrapazojne pasurite ,te tundshme e te patundshme,private,shteterore dhe publike.Disa kafshe pylli, qeshin me shakate e Luanit(mbret i pyllit) per t'ju servilosur,gomari qesh pas nje ore, e kupton shakane me vonese, si i trash qe eshte.Luani, jo ky i pyllit, ka filluar ne Shqiperi nje "eksperiment" ekzemplar ne lloin e vete, qe do pak kohe per tu zhvilluar dhe per te nxjer perfundime.Atehere shume politikane dhe jo vetem te ne,jo vetem ne Ballkan, por shume me tutje, do kuptojne, se mundi u ka shku kot.Se popujve mund t'ju hedhesh hi syve per nje kohe,per shume kohe, por jo pafundesisht.

Shto koment

Denonco