Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Fundi i një shteti

Fundi i një shteti

Nga Gentian Çala - 16/08/2019

Vend i pajetueshëm, hë?! Ikte, fliste me vete dhe tundte kokën një i moshuar, me vijat e rrudhave të cilit mund të endje një shami të tërë. Unë e kundroja dhe nuk po e kuptoja se për çfarë e kish fjalën. Ai kish jetuar gjatë dhe parë shumë ndoshta, e pyeta dikë nga shokët dhe më tha se jetonte vetëm, kish tre fëmijë, që të gjithë larg. Teksa mu tret nga pamja, me hapat e ngadaltë, vazhdoja të mendoja se përse e kishte fjalën. 

E nisëm diskutimin nën aromën e kafes që pinim ngadalë dhe secili kish mendimin e tij. Dikush insistonte që fundi i një shteti është rrudhja e popullsisë (nga emigracioni, rënia e natalitetit dhe plakja e popullsisë), dikush tjetër mbronte tezën se sistemi që kemi ngritur ka dështuar, dikush shante Ramën e Rilindjen, fliste për kapjen e shtetit dhe rrënimin e ekonomisë, etj. Diskutimi u zgjat dhe plaku na kishte futur në një bisedë që e kishim bërë shpesh, e që gjithmonë mbyllej me frazën e shëmtuar “ky vend nuk bëhet”...

Si çdo pasdite u ula të shkruaj dhe dëgjova të njëjtën fjali që ma thotë bashkëshortja sapo më sheh para tastierës apo me telefon në dorë: “Prapë po shkruan?!”. Unë nuk heq dorë, kurse asaj i duket një përpjekje e kotë. Fundi i një shteti - shkruajta titullin. U ktheva dhe e pyeta: “Çfarë quan fundin e shtetit?”, ajo mu përgjigj: “anarki, kur nuk funksionon asgjë, shkatërrim”. Ajo sapo u bë pjesë e shkrimit tim, mu duk se hoqi dorë nga ideja që të mos shkruaj.

Ne po prekim fundin e një shteti butë e shtruar. Ca e kuptojnë dhe ulërasin, disa të tjerë ngrenë supet, kurse një pjesë e mohojnë realitetin. Thuajse një pjesë dërrmuese rri spektator dhe pret çdo të ngjasë. Fundja, spektatorët që në kohët antike, kanë qenë gjithmonë shumica dhe ata që luajnë vetëm një apo disa duzina njerëzish. Po mua më brengos indiferenca. Më duket se ma ze frymën dhe ma mbyt shpresën. Ata që rrinë e vështrojnë, në shumë raste janë ata që po ikin. Ata që nuk besojnë te ndryshimi kanë ulur kokën dhe heshtin.

Fundi i një shteti nuk mund të jetë ndryshe: institucione jofunksionale, autokraci, pa organe drejtësie, paligjshmëri, zgjedhje pa garë, njerëz pa meritë e karrierë, korrupsion e pastrim parash, krim dhe politikë në një tryezë, qafirë dhe yzmeqarë, sejmenë dhe halldupë, gjithçka, por vetëm shtet jo. Ca përpiqen ta bëjnë të duket i tillë, por sa i fusin pak makiazh, shtetit i bien të brendshmet dhe del cullak. Ambasdorët dhe të huajt çuditen e qeshin me ne. 

Fodullë me njëri-tjetrin, po aq sa të nënshtruar me të huajt, rrimë dhe presim gojëhapur të na bëjnë shtetin ata, të huajt. Ne që nuk i kemi lënë kusur pa i bërë vetes e vendit, presim si guakë, zgjidhjen nga qielli. Fundi i një shteti?! Bah, sa mllef dhe sa trishtim, të përzjera brenda vetes. I keni parë që ka disa që fundin e quajnë suksese?! Po, po, sukses dhe arritje?! Të vjen të qeshësh me të madhe, por e qeshura nuk del nga shpirt i vrerosur. 

Kush e di sa vjet kishte plaku i vrerosur, nga fundi i tij i vetmuar. Kush e di sa kish punuar e luftuar për çfarë, që të jetonte ditë si këto. Kush e di si do të jetë pleqëria jonë?! Së paku, unë shkrova atë që mendoja. Një mesazh e kam: mos e lejoni ti vijë fundi këtij shteti, se kjo është dega ku rrimë apo vijmë një ditë të gjithë. E djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja jonë është e lidhur me të.

© Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ervin17/08/2019 16:47

Problemi me i madh i Shqiperise eshte militantizmi.
Sipas meje nuk ka vija te kuqe tek militantet. Pranohet hajduteria ,dhuna ndaj kundershtarit ,korrupsioni me tendera e vende pune. Une si votues i thjeshte ngel me....zgjidhe vete....ne dore. Me keqardhje shikoja shoke simpatizante te PD-se dje e te PS-se sot te kenaqeshin kur ja ''fusnin'' kundershtarit politik.
Ne kete batak ka rene edhe gjithe elita e Shqiperise e cila eshte vija e pare e rezistences. Ndryshim bejne vec pak emra qe kane qene gjithnje kritike ndaj qeverive duke i matur ato me rezultatet e prekshme ne jeten e perditshme te qytetarit. Pra ambienti i pashprese qe thoni ju vjen nga menyra si eshte ngritur shteti qe nga 1992 e ketej ,si nje organizate mafioze. Qe te mbijetosh ne kete vend duhet te kesh mentalitet e te vesh ne zbatim praktika mafioze ose te besh nje revolucion por ama revolucion si ai francez ku ''mbreterit'' qe kane qeverisur gjate tranzicionit te dalin ne gjykate speciale e te denohen per krime kunder njerezimit e tradhti ndaj atdheut...dhe denimin zgjidheni si te doni ,varje ,gijotine ,pushkatim,si te doni.

Shto koment

Denonco