Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Grepi i ri dhe i sofistikuar, që Rama i ka hedhur Bashës!

Grepi i ri dhe i sofistikuar, që Rama i ka hedhur Bashës!

Nga Poli Hoxha - 16/08/2019

Fiks një vit më parë, kulmi i debatit politik në vend ishte propozimi dhe projekti i Lulzmi Bashës, që ashtu si në Drejtësi, të niste urgjentisht edhe vettingu për politikanët. Pas spërdredhjeve të shumta gjatë gjithë verës së shkuar, në shtator të vitit 2018,  Edi Rama, e nxori kokën dhe u deklarua edhe vetë personalisht, se ishte kategorikisht kundër vettingut në politikë. Justifikimet e tij dhe të një vargani `rilindësish` që dilnin çdo ditë në media, vërtiteshin rreth alibisë se; “e kemi një vetting në drejtësi dhe pas tij do të spastrohet, edhe politika”.

Të njëjtën lojë, Edi Rama, e kishte bërë edhe në periudhën e projektit të Bashës për “ligjin e dekriminalizimit”, të cilin pas trysnisë së fortë ndërkombëtare u detyrua që ta pranojë, edhe pse me dhimbje. Efektet e tij u panë kur në rrjetën e këtij ligji, ranë një vargan deputetësh e kryebashkiakësh të Rilindjes, të cilët rezultuan të lidhur me krimin.

Por vettingun për politikanët, Rama, duke shfrytëzuar edhe shumicën absolute që kishte siguruar në parlament, pas zgjedhjeve tashmë të njollosura (siç rezultoi pas publikimit të dosjeve 339 dhe 184) e hodhi poshtë me arrogancë.

Në atë periudhë, Lulzim Basha, madje prezantoi jo vetëm projektin ligjor-kushtetues, por edhe mënyrën konkrete se si do të kryhej ky “vetting për politikën”, me qëllimin që të ishte jo vetëm i besueshëm, por edhe efikas në synimin për të spastruar njëherë e mirë politikën shqiptare nga krimi i katapultuar apo infiltruar brenda partive dhe pas kësaj, brenda gjithë institucioneve.

“Vettingu do bëhet nga përfaqësues jo politikë. Vettingu bën të mundur ndërprerjen e mandatit, ndërsa SPAK-u të çon në burg. Nuk do ketë në këtë proces hapësirë nga institucionet e kapura që t'i ofrojnë alibinë Edi Ramës. Nuk do ta bëjnë vartësit e Edi Ramës dhe as të opozitës...Vettingu në politikë s'duhet të lërë asnjë shteg për politikanët e lidhur me krimin dhe që nuk justifikojnë pasuritë”, prezantonte projektin Basha më 18 shtator të vitit 2018.

Por menjëherë pas kësaj, në  të njëjtën ditë, Edi Rama, i përgjigjet kreut të opozitës me cicërima ironike nga Twitter.

“Ai krimineli është shoku i burrit të motrës së kundërshtarit tim. Mamaja e tij ka lidhje me tre komshi kriminelë. Krushku i njërit është trafikant që del i lidhur me kundërshtarin tim. Shans për të marrë pushtet me zgjedhje unë s'kam. Prandaj dua Veting për lidhjet e tij me krimin”. 

Kështu shkruante, Edi Rama, më 18 shator të viti të kaluar duke tentuar siç e ka zakon që këtë projekt jetik për vendin (Dhënies fund më në fund, të sundimit dhe batërdisë që kanë bërë një grusht politikanësh të lidhur me krimin e organizuar e ekonomik), ta paraqiste vetëm si një manovër politike  të Bashës, meqenëse qenka i pa zoti që të vijë në pushtet me vota.

Por sot pas një viti, i ngecur cullak (për të shumtën herë) në skandalin e ish-trafikantit të drogës, Valdrin Pjetri, të cilin tentoi ta  infiltronte si kryetar të bashkisë së Shkodrës `çuditërisht` ka vendosur që të kthejë pllakën 100% vetëm pas një viti dhe të na prezantohet, si partizan i vettingut në politikë.

“Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale... Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje...Është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal”.

 Kështu shkruante ditën e sotme, Ed Rama, në disa cicërima rresht në twitter, kushtuar albisë së tij për të shpëlarë veten nga përgjegjësia për katapultimin e Pjetrit, jo vetëm si kryebashkiak por edhe si drejtues politik i PS-së për veriun e vendit.

Çfarë halli e paska kapur tani, Edi Ramën, që të detyrohet të rrëmbejë kauzën e Lulzim Bashës dhe opozitës, të cilën një vit më parë e talli dhe e refuzoi prerë; është apo nuk është i njëjti, që një vit më parë ishte kundërshtar i betuar i vettingut në politikë?!

Natyrisht që ai Ramë i vjetshmi është, vetëm se sot ka kuptuar që ka mbetur i vetëm në kënetën që krijoi me makutëri dhe ligësi gjatë këtyre 6 viteve. Kur themi qeveri-themi Rama; kur themi parlament-kuptojmë Rama; kur themi prokurori-na frikëson ose na qetëson Rama; kur themi president-sytë nga Rama; kur themi biznes e pasuri në Shqipëri-rroftë Rama...

Apo mos ndoshta po e detyron kapja me “presh në duar”, me rastin e Valdrin Pjetrit?!

As që bëhet fjalë: Ky skandal që sot po duket si i madh është asgjë, nëse krahasohet me atë vargan njerëzisht të krimit që Rama futi në politikë, parlament, pushtetin lokal, në strukturat e administratës së lartë e deri në nivelet më të ulëta. Por e vërteta është, se vetëm një pjesë e këtij ajsbergu është zbuluar. Kujtojmë se edhe ata deputetë e zyrtarë të lartë që u kapën në rrjetën e “ligjit të dekriminalizimit”, nuk u zhdukën nga qarkullimi brenda radhëve të Rilindjes, por edhe sot e kësaj dite vazhdojnë punë si `komisarë` politik të Rilindjes, veçanërisht në kohë zgjedhjesh. Janë po ata që kontrollojnë  PS-në në rrethe dhe njëkohësisht bëjnë emërimet në administratë e bashki. Madje as denjojnë, që të maskohen.

Ajo që duket qartë në rastin “Pjetri” është se ky skandal ishte edhe pika e fundit, në gotën e mbushur plotë të Ramës. Tashmë edhe ndërkombëtarët e kanë kuptuar dhe vërtetuar, se Rama ka ardhur në pushtet dhe më pas e ka mbajtur dhe fuqizuar atë, vetëm nëpërmjet një skeme, të para dhe mirë menduar. Skema nga buroi dhe shkëlqeu për mbërritur në këtë rrënim (pak e shohin momentalisht, por ai vetë e di) karriera pushtetore e pasurore e Ramës është lidhja që në burim me krimin e organizuar dhe madje, edhe atë ordiner. Në fillesë i duhej për të ardhur në pushtet. Rrugës, pasi e katapultoi në parti, qeveri, parlament, pushtetin lokal, administratë e “biznes strategjik” e ka shndërruar në vetë qenësinë e Rilindjen. E për fat të keq, edhe të vetë Partisë Socialiste.

Tani që pika “Pjetri” e derdhi përfundimisht ujin e gotës prej kohësh plot dhe hoqi edhe fijen e fundit të rrjetës mashtruese që mbulonte të vërtetën, Rama, për të shpëtuar veten dhe sa të mundet nga trashëgimia e tij, rrëmben kauzën e Lulzim Bashës. Qëllimi, nuk do shumë inteligjencë.

Edi Rama sot hapi fushatën për vetting në politikë, duke shpresuar edhe njëherë, për herë të fundit, se do të fusë sërish Lulzim Bashën në një qorrsokakë paktesh, meskinë e malinjë, si me rastin e post “revolucionit” të Çadrës në vitin 2017. Është e vetmja shpresë për të kapur amnistinë e tij të fundit individuale; fijen e barit, që të mbyturit i duket varkë shpëtimi.

Kjo periudhë kur Bashën po e sulmojnë fortë (ca hapur, por shumica të kamufluar) edhe brenda kampit të vet politik e mediatik, duke u përpjekur që ta komleksojnë si `humbës recitivist i madh`, duket se është e duhura për Ramën, që të shfaqet me një ofertë dialogu duke shfrytëzuar pikërisht një `armë` të kreut të opozitës.

E ku do të kishte “sebep” më të madh për të justifikuar futjen në lojë të Ramës, tashmë të mbytur e të vetëm, se sa kauza e madhe e vettingut të klasës politike e cila vitin e kaluar e ndante me Bashën, e tani ` e bashkon`?!

A sa bukur: Hajde zoti Basha (jo Lul artisti) të realizojmë dëshirën e gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe kauzën tënde të madhe. Nuk do?!-epo e paske pasur mashtrim, lojë politike për të marrë pushtet pa votë, do ta bëjë vetë!

Ky duket se është `grepi` më i ri dhe i sofistikuar që, Rama, ka bërë gati për Bashën dhe na e prezantoi sot. Nëse funksionon, do të ishte hera e parë në historinë globale të gjuetisë kur peshku që përpëlitet më kot në rrjetë, kap peshkatarin!

* Nga Poli Hoxha, shkruar për Syri.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco