PANiku

PANiku

Nga SYRI.net Kosova - 15/08/2019

Mjaftoi një takim i dy liderëve opozitarë, për ta nervozuar Partinë Demokratike të Kosovës.

PDK e di fare mirë, se goditjen përfundimtare mund t’ia japë një partneritet LDK-VV, prandaj ushtria e Kadri Veselit e vërshoi internetin duke ‘mallkuar’ Isa Mustafën e Albin Kurtin.

I pari ka më shumë mëkate, ndërsa i dyti nuk është bash krejt parimor, por së paku i korruptuar jo. Kësisoj, Albini konsiderohet një alternativë e paprovuar dhe këtë e ka të qartë kryetari i LDK-së. Shumë vota do të rrjedhin andej, nga planifikon të hyjë në qeveri Isa Mustafa.

Pak rëndësi kanë inati dhe urrejtja, gazi lotsjellës dhe molotovi. Mbi të gjitha, vlen pushteti. Lëvizja Vetëvendosje, përfundimisht ia ka mësyrë qeverisë duke e parë LDK-në si partnerin e natyrshëm opozitar.

Zbutja e marrëdhënieve mes Albin Kurtit e Isa Mustafës, e ka egërsuar PDK-në. Një nga figurat politike të kësaj partie, thoshte së fundmi se PDK-ja, do të jetë njëra ndër fitueset e zgjedhjeve! Çfarë injorance!

Zgjedhjet i fiton një parti apo koalicion, që zgjedh pastaj se me kënd do ta bëjë qeverinë ardhshme.

PAN-i, që mori fund  me dorëheqjen e Ramush Haradinajt, dalëngadalë është shndërruar në panik të subjekteve qeverisëse. Nëse pretendojnë se qeverisja PAN-iste ishte e suksesshme, atëherë do të duhej ta rikërkonin mandatin kështu siç janë.

Por gjërat kanë ndryshuar thellësisht në raportet mes liderëve të PAN-it. Interesi i kishte bashkuar, interesi i ka ndarë. Taksa është alibia. Lekët janë arsyeja!

Një gjë është e sigurtë. Kush ka ngjyer me PDK-në, nuk mund të rrijë kryelart e ta mbajë flamurin kundër korrupsionit dhe nepotizmit, kundër kriminalitetit dhe degradimit.

Një koalicion i mundshëm parazgjedhor LDK-VV, është tragjik për PDK-në. Sa më shpesh do të takohen Isa Mustafa me Albin Kurtin, aq më i rëndë do të jetë vreri i njerëzve të Kadri Veselit e Hashim Thaçit.

PANiku, është në rritje, sepse askush nuk dëshiron më që në pushtet të rrinë politikanët e inkriminuar që janë bërë milionerë mbi kurrizin e kosovarëve të varfër.

Ka shumë dilema, edhe për besueshmërinë e një qeverie të shpresës, siç e quajnë LDK e VV, bazuar sidomos në të kaluarën qeveritare të Lidhjes Demokratike, megjithatë, kjo është zgjidhja më e mirë, në këtë ambient të kontaminuar politik.

PANiku, është paralajmërim i daljes më në fund, në opozitë të Partisë Demokratike, e stërkonsumuar dhe stërkequr në pushtet.

PDK është tashmë buzë greminës politike. Mjafton një e shtyrë elektorale, për të shpresuar në ç’kapjen e shtetit.

SYRI.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp15/08/2019 18:10

Albin Kurti Kryeminister dhe nje koalicion LDK-W eshte shpresa se per gjithe hapsiren shqiptare ne Ballkan, fryjne "era te ngrohta",apo siç i quan populli "ere gjethi".Albin, leri retorikat patriotike dhe perqendrohu te vlerat e demokracise dhe te qeverisja e mire.Per te tjerat pyet 'Autoritetin' siç jemi mesuar ta quajme, partnerin strategjik SHBA.

Shto koment

Denonco