Njeriu që po na mban larg nga Europa

Njeriu që po na mban larg nga Europa

Nga Red Varaku - 12/08/2019

Edi Rama, mbase është i vetmi kryeministër, të cilit i përplasen në fytyrë dyert e negociatave për të disatën herë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, edhe pas rekomandimeve pozitive shumë të dyshimta nga Komisioni Europian. Sigurisht, që ka ndodhur që një vendi t’i jetë refuzuar hapja e negociatave disa herë, por kurrë të njëjtit kryeministër.

Kryeministri ynë artist bën sikur nuk e kupton mesazhin që vjen nga Europa, e cila po e thotë prerë, që sa kohë që Shqipëria të ketë këtë kryeministër të korruptuar, që e ka shndërruar Shqipërinë në një Kolumbi të Europës, negociatat nuk do të hapen kurrë.

Në fakt, ky është një dështim i madh për Shqipërinë, por nuk është një dështim për Ramën, sepse vetë Rama kurrë nuk është përpjekur seriozisht për hapjen e negociatave. Përkundrazi, ai ka tentuar ta shkatërrojë këtë proces ,qysh në nisje të tij, duke e përdorur vetëm si kartë për të legjitimuar pushtetin e tij të korruptuar , dhe duke bërë krejt të kundërtën e proceseve që në realitet e europianizojnë Shqipërinë. Madje duke rikthyer praktika të harruara që na kujtojnë regjimin e kaluar, ku poshtërimi dhe dhunimi i kundërshtarit ishte tipari kryesor i qeverisjes.

Vlen të theksohet, se sapo ka filluar të zbardhet edhe skema korruptive, që hedh dyshime të forta në lidhje me praktikat , se si ai i ka marrë këto rekomandime, në një kohë kur dhunohej hapur opozita dhe Shqipëria po kthehej në Kolumbinë e Europës.

Gjithashtu , duhet të qartësohet se si për të siguruar mbështetjen e ambasadores së BE , Romana Vllahutin, Rama do t’i siguronte tenderin e ri të faturimeve një kompanie kroate, që ka të dhëna se ka lidhje pikërisht me zonjën Vllahutin. Një kontratë shumë rënduese , me një faturë 170 milion euro për qytetarët shqiptarë. Ky skandal është vetëm maja e ajsbergut. Skandale të tjera pritet të shpërfaqen muajt në vijim.

Është shumë e rëndësishme që të kuptohet ky mekanizëm, sepse ky është një mekanizëm korruptiv i niveleve shumë të larta, që mendohet se do të hedhë në erë një linjë fort të korruptuar brenda BE. Sepse, në thelb , askush nuk mund ta shpjegojë se si mund të ketë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, kur në fakt nuk është bërë asgjë. Përkundrazi, të dhënat na dëshmojnë se gjithçka është bërë për të shitur iluzionin e hapjes së negociatave si sukses.

Iluzioni i hapjes së negociatave është bërë me qëllim, që ne të gjithë të besonim se artisti e kishte seriozisht futjen e Shqipërisë në Europë.Rekomandimet pozitive ishin justifikimi më i madh në sytë e opininit publik për dështimet spektakolare të Ramës. Rekomandimet , vetëm se i jepnin oksigjen një regjimi kriminal , sepse është e qartë që kur rekomandimet janë pozitive , kjo për publikun është një provë, që e injoron tërësisht kanabizimin, korrupsionin, vjedhjen , krimin dhe dhunën e pashembullt kundër opozitës. Pra, në thelb Edi Rama këtë proces, e ka përdorur vetëm si kartë për të legjitimuar pushtetin e tij të korruptuar.

Pasi Shqipëria arriti të marrë me vonesë në raport me vendet e tjera statusin e vendit kandidat , (kjo për meritë të zgjedhjeve të realizuara nga Berisha, që bënë të mundur një rrotacion paqësor të pushtetit ) , Rama me vetëdije i ndaloi të gjitha përpjekjet e tij për të qenë në anën e Perëndimit. Projekti i i tij i kanabizimit të vendit, i bashkëpunimit me kriminelë, i vjedhjes së pronës dhe pasurisë publike , i dhunimit të opozitës në fakt nuk ka asnjë lidhje me vlerat perëndimore. Përkundrazi, na bën një republikë të denjë për tu bërë pjesë e aleancës anti-perëndimore që po e udhëheq Moska.

Panorama gjashtë vjeçare e Shqipërisë, pas vitit 2013 , vit kur Rama mori pushtetin , është panorama e një vendi krejtësisht anti-perëndimor. Rama shpesh është shfaqur duke kërkuar aleanca të tjera përveç BE-së, duke e servirur këtë edhe si kërcënim për perëndimin. Ai shkoi deri aty sa i doli kundër Kancelares Merkeli dhe Presidentit Macron dhe ishte gati të trafikonte territoret e Kosovës, vetëm për të mbrojtur pushtetin e tij, duke u futur në një kurs përplasjeje të hapur me BE-në për interesat e Moskës. E kemi të freskët vizitën e tij në Stamboll, pikërisht kur Europa dhe BE ndryshoi kurs në raport me të, pas publikimit të përgjimeve dhe turpit të 30 Qershorit.

Prej gjashtë vitesh vendi ka përjetuar një krizë permanente. Historia e Ramës si kryeministër është një histori agresioni dhe dhune të përditshme ndaj opozitës. Që prej ditës së parë në pushtet, ai e ka trajtuar opozitën si armike, duke e sulmuar dhe dhunuar atë barbarisht, qoftë mediatikisht , qoftë fizikisht, duke e detyruar atë të ndërmarrë aktin e fundit, që një opozitë ka në dorë, djegjen mandateve dhe daljen nga institucionet. Një dhunë e tillë kundër opozitës është e denjë vetëm për regjimet autoritare të ngjashme me Moskën.

Pas përgjimeve zyrtare të prokurorisë dhe denoncimeve të Zërit të Amerikës dhe BILD, për të mbuluar skandalin e padëgjuar ku anëtarë të qeverisë, një zinxhir i tërë shtetëror dhe kriminal ishte angazhuar në vjedhjen e zgjedhjeve, ai ndërmori një nga gjestet më anti-perëndimore, që ka bërë ndonjëherë ndonjë kryetar shteti në botë kundër demokracisë dhe opozitës, zgjedhje pa opozitën.

Nuk mjaftoi kjo, por edhe kur presidenti i anuloi këto zgjedhje me dekret, ai vazhdoi në paligjshmëri të plotë. Ai paradoksalisht akuzoi Presidentin si puçist, duke e kërcënuar atë me shkarkim dhe më pas arrestim. Ngriti një komision qesharak hetimor, i cili dështoi qysh në nisje, duke kërkuar të marrë nën hetim presidentin e Republikës. Ndëkohë që ishte ai vetë që po vepronte në paligjshmëri të plotë. Ishte ai vetë që qëllimisht kishte asgjësuar Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese dhe që po injoronte një dekret presidencial.

Rama u fut paturpësisht vetëm në zgjedhjet lokale të Qershorit 2019, zgjedhje të cilat e degdisën mbështetjen për rilindjen në minimum historik , zgjedhje që i bëri vetë, i numëroi vetë, i vodhi vetë. OSBE/ODHIR u skandalizua nga ky gjest dhe nuk i njohu ato që në raportin e parë. Pas kësaj lufte të egër kundër opozitës dhe standarteve të zgjedhjeve në Shqipëri, Ramës iu përplasën në fytyrë dyert e negociatave, këtë Qershor, bashkë me paralajmërimin e fortë se nëse vazhdon me këtë sjellje, ai duhet t’i harrojë negociatat në Tetor. Por, edhe për këtë, ai çuditërisht vazhdon t’ia hedhë fajin opozitës dhe të largojë çdo përgjegjësi nga vetja, ndërkohë që opozita ka dalë jashtë institucioneve dhe është në rrugë dhe nuk ka asnjë përgjegjësi për qeverisjen.

Por, ashtu siç dhe e ka deklaruar vetë disa herë publikisht, Ramës nuk është se i intereson shumë hapja e negociatave. Ai, si asnjë kryeministër shqiptar më parë, është i pari kryeministër që shkon deri aty sa e shikon projektin Europian me dyshim. Zëvendësimi i z. Bushati me një dordolec diplomatik, dëshmon edhe seriozitetin me të cilin ai e shikon integrimin. Shpesh, nuk mungojnë pamjet ngashëryese me lot në konferencat për shtyp, madje duke akuzuar edhe BE-në si të pandershme dhe të padrejtë në raport me Shqipërinë , a thua se për vjedhjen e votave, bashkëpunimin me kriminelët, kanabizimin e vendit, korrupsionin kapilar dhe dhunimin e opozitës ia ka fajin Europa.

Në fakt, për të hapur negociatat me Europën, duhet më pak mundim se ç’ka bërë ai për t’i bllokuar ato. Për të qenë një vend normal evropian mjafton të bësh zgjedhje të lira, të mos dhunosh opozitën, të mos vjedhësh pasuritë publike dhe të dënosh të korruptuarit . Por, ai nuk e do hapjen e negociatave, sepse hapja e negociatave fillon praktikisht me çmontimin e pushtetit të tij.Ndryshe nga çfarë thotë, atij i intereson një Shqipëri larg Europës. Një Shqipëri në BE, jo vetëm që nuk mund të lejojë vjedhjen e votave para syve të milionave shqiptarëve, por nuk do të lejojë mes të tjerash perandoritë financiare të krimit dhe drogës që kanë gjetur parajsën në Shqipëri.

Një Shqipëri brenda Europës, nuk lejon kurrsesi pazare me pasuritë kombëtare, palaçollëqe me paratë e biznesit shqiptar, dhe horrllëqe nga ato që bën kryeministri i degraduar i vendit, i cili ëndërron ta ketë Shqipërinë si një pronë të tij dhe banditëve të tij. Ai e ka të qartë se Shqipëria në Europë do të thotë politikanë me pranga në duar. Ai e ka të qartë që Shqipëria në Europë do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë ëndrrës dhe projektit për rikthimin e Shqipërisë nën pushtetin e thonjve të pisët të trashëgimtarëve të regjimit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp12/08/2019 17:34

Red, ne kushtet kur nuk ka nje pregatitje per "kryengritje pallati"ne PS,ne kushtet kur as ndezja e qirinjve ne çdo faltore dhe lutja qe ta haj mortja Edi Ramen nuk po jep rezultat, ne kushtet kur Revolucioni u squll,a nuk do ishte me vend qe opozita me "turp syve"te adoptonte nje qasje tjeter?.Psh, te ulej ne dialog pa kushte me Edi Ramen.Dhe qe gjithe kjo mos te kishte kosto elektorale, opozita le te justifikohej ,se ashtu si nje te çenduri duhet ti afrohesh me marifet, derisa t'ja heqesh "armen" nga dora, ashtu do veprojme edhe ne me Kryeministrin.Le te shtojne, qe keshtu na kane rekomanduar te gjithe partneret Z.Trump,Znj.Merkel,Makron etj .Te kerkojne zgjedhje te parakohshme dhe ato lokale ne nje periudhe te dakortesuar, te shtrengojne duart dhe te presin ndeshjen e radhes.13 Tetori i Tit Vasilit ka rene ngaqe PD nuk pranoji te futej ne "zgjedhje" dhe Presidenti dhe LSI nenkuptohet kjo, nuk jane gatshme te perfshihen ne etapen e dyte te Revolucionit,pas pushimeve."Te sherojme plaget tha presidenti........"pastaj te tjerat.Pra Presidenti e di dhe e kupton shume mire qe 13 Tetori ka vdekur Nderkohe qe GJ.K,GJ.L po rithemelohen dhe SPAK po lind me operacion, presim edhe filimin e sesionit te ri parlamentar.Dite e re,kismet i ri.

Shto koment

Denonco