Ilir Meta, një armik që na duhet

Ilir Meta, një armik që na duhet

Nga Andi Bushati - 07/08/2019

Sa më shumë që po luftohet nga Edi Rama, aq më tepër Ilir Meta po mbështetet tek i vetmi aleat që i ka mbetur: mbrojtja e interesit publik. Këtë ka bërë edhe sot nga zyra e Presidentit, prej nga ka kthyer mbrapsht ndryshimet e Kuvendit në ligjin për koncesionet dhe PPP.

Le të jemi të qartë, me kompetencat që ka, kreu i shtetit as nuk e frenon dot grykësinë, as nuk e ndal paskrupulltësinë e rilindësve. Ai vetëm mund të përdori të gjitha mjetet që ka në dorë, për ta bërë sa më ulëritëse atë.

Kështu ka ndodhur edhe me mosdekretimin e dy neneve (17 dhe 18) që mëtonin të shtynin ende në kohë efektet shkatërruese të ligjit të mësipërm dhe më konkretisht mundësinë për të marrë para publike përmes ofertave të pakërkuara.

Të ndodhur nën presion të madh ndërkombëtar, se po shkatërrojnë buxhetin dhe po thellojnë borxhin, rilindasit u zotuan që vitin e shkuar se do i thonë stop shpërndarjes së milionave me oferta të pakërkuara.

Rasti më flagrant i kësaj praktike ishte marrëveshja mes Edi Ramës dhe kompanisë Fusha për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjes së gjashtë grataçielave me një fitim 200 milionë eurosh.

Ashtu sikurse treguan investigimet për këtë aferë (kryeministri me arkitektin Bjarke Ingels e kishin bërë shumë më parë planin- që në vitin 2016- sesa Shkëlqim Demir Fusha të dorëzonte ofertën e tij të pakërkuar- në 2017 / Pika 3, 5, 11 e shkrimit poshtë), ky lloj ofertimi, nismëtari i të cilit fitonte edhe pikë më shumë sesa konkurrentët e mundshëm në garë, rezultoi një hedhje hi syve për të shpërndarë para pa konkurrencë.

Pikërisht për këtë ndërkombëtarët e fshikulluan dhe pikërisht se i doli boja keq, qeveria Rama u zotua ta kufizojë atë.

Oferta e pakërkuar do përdorej këtej e tutje vetëm për ndërtimet në porte dhe aeroporte dhe bonusi për të do të hiqej.

Por, megjithëse e kishin gati që në janar, socialistëve nuk u bënte zemra ta kalonin këtë ndryshim. Ata e zvarritën dhe sorollatën për katër muaj, deri sa vendosën ta votonin në parlament në 17 korrik.

Por sërish edhe këtu e gjetën një kleçkë.

Një ditë përpara miratimit, shtuan amendamentet e neneve 17 dhe 18, për ta shtyrë edhe tre muaj këtë praktikë të dyshimtë. Qëllimi ishte i qartë: nga njëra anë u thonin ndërkombëtarëve se porosinë tuaj po e zbatojmë, nga ana tjetër shfrytëzonin çdo ditë që u jepej për të bërë para.

Kështu vepruan dhe pikërisht këtë kohëzgjatje absurde nuk ka pranuar të dekretojë Ilir Meta. Ai ka argumentuar se parlamenti ka votuar ndryshime që lënë vend për abuzime.

Ashtu sikurse thamë, ai nuk ka fuqi t’i ndalojë ato. Parlamenti që tashmë është me pushime do të marrë kohë t’i rivotojë sërish ndryshimet dhe afati i hyrjes së tyre në fuqi do të jetë pak a shumë i njëjtë. Qeveria Rama do të ketë mundësi për rrumpallë me oferta të pakërkuara, përsëri, deri në tetor.

Por, pavarësisht se nuk e pengon dot babëzinë, hapi që hodhi Meta është i vlefshëm për tjetër gjë: sepse duke mos e dekretuar, ai po e vë më në dukje anën e errët të këtij ndryshimi.

Në këtë kuptim, ai po ndjek të njëjtën rrugë, sikurse bëri me kthimin pas të ligjit për teatrin, apo me atë për përgjysmimin e dividentit.

Ilir Meta është shndërruar në të vetmin politikan, që nuk po e godet lidhjen Rama- oligarkë vetëm me fjalë, por edhe me akte.

E këtu, në paradoks me mendimin që shumëkush ka për të, ai po i shërben publikut. Pak rëndësi ka nëse këtë po e bën me bindje, apo për shkak të konfliktit politik armiqësor ku është ngërthyer. Edhe kjo e dyta në qoftë, Ilir Meta është një armik që na duhet. Një gur më shumë në barrikadën ndaj makutërisë së Ramës dhe dhjetë klientëve të tij.

/Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

"bejlert"08/08/2019 11:26

"Kemi qenë e mbetemi një vend bejlerësh" shkruan këtu z.Zheji .
Meqë ne shqiptarët ndejtëm diç më shumë se 500 vite nën pushtimin e perandorisë turke, titujt fisnikë të feudalizmit, nuk i patëm dukë, kont, baron, princ e mbretër po "bej".
Edhe heroin tonë kombëtar të para 500 vitesh, e njohim me titullin fisnik Skënder-bej.
"Bejlerë" ishin edhe vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali e deri Ahmet Zogu.
Në gjithë Europën , pa shkuar në kontinentet e tjera, edhe sot e kësaj dite kur shkruhet historia e një kombi, si shenjë krenarie përshkruhen bëmat e "bejlerëve europianë", kontëve, dukëve, princëve e mbretërve.
Ndonëse në historinë e rilindjes shqiptare, figurat më të shquara patriotike ishin bejlerët, gjatë periudhës së diktaturës komuniste-enveriste, fjala "bej" mori kuptimin më pezhorativ të mundshëm, si sinonim i "zengjinit", njeriut të pasur.
Ishte pjesë e ideollogjisë komuniste urrejtja për të pasurit, bejlerët, bazuar në idenë utopike të barazisë shoqërore ku të gjithë njerëzit të shpërblehen njëlloj, si gjeniu edhe budallai..
Padyshim se jo të gjithë njerëzit me tituj fisnikë alla europianë apo turk, kanë qenë vërtetë fisnikë të mirëfilltë. Një pjesë e madhe e tyre i kanë vënë pasuritë në rrugë abuzive e deri kriminale, por duke pasur mundësinë e shkollimit, trashëgimtarët e tyre u bënë liderë e një pjesë prej tyre i sollën shoqërisë njerëzore një evolucion të madh kulturor e ekonomik, e një pjesë tjetër i sollën shoqërisë gjëma e viktima të shumta.
Pra nuk më duket fort realist përgjithësimi pezhorativ, që i bën z.Zheji, të gjithë "bejlerëve"., sepse më këtë përcaktim alla komunist, kemi hedhur poshtë gjithë figurat më të shquara të kombit tonë.

Shto koment

Denonco