Kot spërdridhesh Edi, përgjimet janë varri yt i hapur!

Kot spërdridhesh Edi, përgjimet janë varri yt i hapur!

Nga Red Varaku - 06/08/2019

Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo kur shpalli z. Dako dhe familjen e tij non-grata, në fakt vulosi falimentimin politik të z. Rama. Akuzat për z. Dako i dhanë të drejtë të gjitha pretendimeve të opozitës, e cila pretendon se z. Rama nuk i ka fituar zgjedhjet, por i ka vjedhur ato me ndihmën e krimit të organizuar.

Fjalët, që z. Rama vazhdon të thotë dhe shkruajë përçart, nuk kanë asnjë vlerë. Sepse, sido që ta shikosh, ky vit është një nga vitet më të rëndë politik të historisë së demokracisë, pas vitit 1997. Pas datës 30 Qershor koha ka filluar të ecë në kundërkohë për Shqipërinë .

30 Qershori ishte një datë, e cila nuk ndau përgjysmë vetëm vitin 2019, por ndau përgjysmë edhe gjithë fatin politik, ligjor dhe ndoshta fizik të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ajo çfarë ka bërë qeverisja dhe pushteti para dhe pas 30 Qershorit janë një veçse një përpjekje për të mbuluar skandalin e përgjimeve që zbuloi krimin e vjedhjes së votave.

30 Qeshori e ka futur Edin në spiralen pa kthim të mbulimit të këtij krimi, për të cilin jemi të gjithë të bindur, sepse e kemi dëgjuar me veshët tonë nga BILD dhe Zëri i Amerikës.

Nëse para 30 Qershorit i bëri peshqesh në ‘tepsi’ Shqipërisë gjithë kriminelët dhe trafikantët në qeverisje, kapjen e sistemit gjyqësor, kapjen e institucioneve, në datën 30 Qershor ai hodhi në erë gjithçka.

Pas 30 Qershorit, pushteti në Shqipëri nuk njeh më as presidentin, të vetmin institucion të pakapur nga kryeministri, i vetmi institucion legjitim kushtetues të zgjedhur nga parlamenti shqiptar.

30 Qershori pushkatoi përfundimisht institucionet e shtetit shqiptar, hodhi në erë drejtësinë , mohoi dekretin e presidentit, i bëri qesharakë diplomatët e huaj dhe mbi të gjitha la vendin të qeveriset nga deliri i një njeriu që ka bashkëpunuar më kriminelët më të rrezikshëm dhe që po vazhdon të bëjë gjithçka për të mbuluar krimin e tij.

Kështu, nën makthin e njeriut të dështuar, që kriminalizoi gjithë shoqërinë, Edi Rama ka filluar një fushatë absurde kundër presidentit, një luftë qesharake kundër shezllongjeve, me qellim mbulimin e krimit të shëmtuar të vjedhjes së zgjedhjeve. Ai jo vetëm nuk i lëshoi bashkautorët në krim si Dako, Gjiknuri , Balla, Ulsiu, por i gradoi ata nga hajdutë të zgjedhjeve, në shenjtorë të zgjedhjeve.

Mobilizoi për këtë një makineri të tërë shtetërore. Ministritë me në krye ministrinë e Lleshit, u kthyen në shtabe elektorale dhe të dhënat personale të shqiptarëve përfunduan në kompjuterët e njerëzve që donin të mbulonin masakrën elektorale me vota.

Votues të identifikuar dhe anonimë, votues të blerë, votues të dhunuar nga banditë, nëpunës të trembur të administratës, nëpunës të tredhur të bizneseve private dhe një medie e tërë mercenare, u vunë në rresht në 30 Qershor, por prapë nuk ia dolën.

Dëmi që kishte bërë publikimi i përgjimeve ishte tashmë i parikuperueshëm.

Dalja e rezultateve zgjedhore 30 ditë me vonesë, ku numri i pjesëmarrësve u trefishua më urdhër partie në fund të procesit, dëshmoi ndëshkimin me braktisje që i bënë shqiptarët këtij turpi.

Por, sigurisht z. Rama nuk ishte i shqetësuar për fitoren, sepse zgjedhjet i kishte të fituara, ngaqë praktikisht nuk kishte kundërshtarë.

Atij i duhej me çdo çmim 30 Qershori për t’i dhënë një përgjigje dhe alibi të fortë përgjimeve , pra për t’i amnistuar ato në emër të popullit.

Por, ai nuk ia doli dot. Populli nuk ia fali. Ai thirri në krim Bibën e KQZ dhe e mbylli këtë histori me procedurë. Kur kërkon të mbulosh një krim me një krim tjetër, e thellon krimin.

Mandatet e grabitura publikisht nuk iu njohën as nga raporti paraprak i OSBE/ ODIHR dhe së fundmi morën një goditje fatale nga Sekretari i Shtetit, numri dy i Shtëpisë së Bardhë , Mike Pompeo, i cili akuzoi publikisht krahun e djathtë të z. Rama, z. Vangjush Dako si të korruptuar .

Ky vendim i DASH, dhe deklarata më pas e z. Palmer , i cili në asnjë moment nuk përmendi opozitën, por shigjetoi drejtpërdrejtë numrin dy të socialistëve si të korruptuar, ia ka thelluar ankthin z. Rama.

Pasi mendoi se nëpërmjet dhunës politike dhe institucionale mund të eliminonte kundërshtarin, ai mobilizoi një tufë lakenjsh të tij brenda opozitës për të zhurmuar deklaratën e OSBE/ODIHR, e cila në deklaratën e saj paraprake nuk i njohu si zgjedhje, por si votime, që nuk u zhvilluan në interesin e qytetarëve.

Në sinkronizim të plotë Patozi dhe Jozefina, me urdhër të padronit të ri Rama, sulmuan publikisht Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj z. Basha.

Nuk u funksionoi as kjo, edhe pse disa emra anonimë që hiqen si anëtarë të opozitës në mënyrë të turpshme flasin njësoj si Rama kur i referohen 30 Qershorit, pa i përmendur kurrë përgjimet dhe grabitjet e mandateve.

Ndërkohë kriza ekonomike po bën kërdinë. Edi në vend të merrej me një qasje realiste ndaj situatës dhe të kërkonte një zgjidhje racionale për të lehtësuar barrën e kësaj krize, ka filluar të bëjë edhe njëherë ‘xhonglerin’.

Ka filluar të flasë me zë të ulët dhe në dukje i patrazuar, për një ekonomi që i ka rezistuar krizës, ndërkohë që në vend po bie zija e bukës dhe vendin e kanë braktisur rreth 500 000 shqiptarë. Ka filluar të flasë për rritje ekonomike dhe investime, ndërkohë që ai ka mbytur buxhetin në borxhe me PPP-të dhe nëse nuk mbledh edhe qindarkat e fundit me anë të Braçe socialistit, nuk do të ketë para pas as për rroga.

Shumë vetë nuk e kuptojnë pse ngazëllehet kaq shumë ky njeri me këtë situatë. Ka vetëm një arsye, frika nga përgjimet.

Me logjikën e tij tashmë të verbuar, ai mendon se duke folur për suksese, duke folur për arritje dhe mirëqenie, duke folur për fitore në zgjedhje, dhe mbi të gjitha për mbështetje ndërkombëtare, ka arsye t’i harrohen përgjimet dhe turpi i 30 Qershorit.

Gjithçka që ka bërë e ka bërë me këtë qëllim, mbulimin e skandalit të përgjimeve. Ai ka urdhëruar vjedhjen e mandateve, promovimin e bashkautorëve në krim në majë të hierarkisë socialiste, entuziazmin qesharak për krizën ekonomike, dhe në fund vendosmërinë e tij për një president të Partisë Socialiste, si e vetmja garanci, që ai ka për të pastruar krimin e kobshëm që zbuluan përgjimet.

Ky është bilanci tronditës që shkaktoi mosmarrja e përgjegjësisë për përgjimet. Prej datës 28 Janar, datë kur Zëri i Amerikës publikoi dosjen 339, ky gjashtë mujor ka qenë i gjithi një periudhë kohore që nuk punoi asnjë ditë për shqiptarët, por vetëm për të shpëtuar pushtetin e Edi Ramës nga krimi i zgjedhjeve që ka bërë.

Por, nuk ia doli dot! Përgjimet kanë ngelur ende si varr i hapur që po pret kufomën. Askush nuk ia fal atë krim. Ai nuk e mbulon dot, sado e fortë qoftë propaganda e tij. Rreziku i vetëm është se duke mos e pranuar këtë përgjegjësi, ai dhe kriminelët pranë tij do të vazhdojnë të bëjnë krime të tjera më të rënda për të mbuluar këtë krim, ashtu siç bënë në 30 Qershor.

Kjo, ka për të ndodhur ,sigurisht nëse ne do t’i lejojmë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco