Heshtja e atij që flet për gjithçka

Heshtja e atij që flet për gjithçka

Nga Gentian Çala - 04/08/2019

A ju kujtohen Kadrinjtë, kundërshtarët mediatikë që Rama i pagëzoi me këtë emër?! E kush ishin këta, ai na i tha me emër në një show televiziv të së premtes në një nga kanalet kombëtare. Këta ishin njerëz mediatikë që nxinin dhe shtrembëronin gjithçka, sipas KM. Në fakt ishin thjesht kritikë të tij dhe të qeverisjes.

A ju kujtohen mediat kazan, media benda dhe jashtë vendit, madje disa prej tyre nga më prestigjozet në anën euro-atlantike të botës?! Ato denoncuan situatën në Shqipëri dhe kulmi arriti me të përditshmen gjermane “Bild”, me përgjimet e kupolës rozë. Por, për KM ishin vetëm kazan, ku gatuheshin lajmet dashakeqëse për qeverisjen e tij dhe Shqipërinë.

Ai nuk ka heshtur në asnjë rast, në shumë akuza. Unë kujtoj dy momente heshtje të tij, njëra e përkohshme, si ajo për çështjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi ku u mundua të mos shpërfaqë involvimin e tij. Heshtje, të cilën e theu pas disa javëve duke u pozicionuar në mbështetje të saj. Madje kjo i kushtoi pozicionin e Ministrit të Jashtëm, Z.Bushati.

Por, heshtja ndaj rastit Dako, i futur në listën refuzuese të Departamentit të Shtetit, si një rast korrupsioni duket vërtetë e gjatë. Rama nuk mund të kundërshtojë një vendim të administratës së ShBA-së. Heshtja e tij duket e shëmtuar, po aq sa thirrja nga Prokuroria pas kësaj deklarate. Në fakt, Rama po flet me heshtjen e bashkëfajtorit.

Heshtja e tij duket si larje e duarve, nga një individ që i shërbeu sa mundi dhe që nuk doli në asnjë rast jashtë shinave të Rilindjes. Përdor dhe flak, duket si metodë e punës së një njeriu që nuk mund të ndërtojë marrëdhënie bashkëpunimi me bashkëpunëtorët. Ai ka përdorur vendin, bashkëpunëtorët, partinë dhe postin pa skrupuj, në funksion të qëllimeve të tij.

Dako nuk është thjesht rasti i një administratori publik të korruptuar, i cili duhet të përgjigjet personalisht për ato që ka bërë, por i një funksionari partiak, përgjegjës i një mekanizmi tjetërsimi vote me faktorë të tjerë, i lidhur me fije me krimin, i cili u promovua dhe u mbështet deri dje nga ai që sot ka zgjedhur të heshtë. Sepse KM e di mirë se kur je pranë vorbullës, ndodh që ajo të përpijë edhe ty duke u munduar të shpëtosh dikë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco