Trego për 200 milionë $ e parë, të të them si po i bën miliardat!

Trego për 200 milionë $ e parë, të të them si po i bën miliardat!

Nga Poli Hoxha - 02/08/2019

Ka një metamorfozë të pabesueshme të Edi Ramës ndër vite, në lidhje me qëndrimet dhe veprimet e tij për `Qendrën Historike` të Tiranës.

Për shumë njerëz ajo është e pashpjegueshme dhe më shumë lidhet me ‘humorin e paqëndrueshëm’ të tij, si për shumicën e gjëra që ka bërë në këtë jetë. Të tjerë mendojnë se, Rama, i cili kur ishte ministër Kulture inicioi edhe ‘Kthim në Identitet’, më pas ndryshoi mendje si pasojë e manisë për të lënë shenja të forta në historinë urbane dhe arkitekturore të Tiranës.

Besojnë se rruga që kishte zgjedhur për këtë, do të ishte ajo e një qyteti vertikal me rrokaqiej që kulmojnë në qendrën e tij, të firmosur nga arkitektë të huaj bashkëkohorë e me emër të madh. Sipas tyre, ndoshta nuk e ka keq idenë dhe synimin, që qendra e Tiranës të shndërrohet në një mini-Manhaten shqiptarë!

Fakti është se ato kulla që po mbijnë me shpejtësi, do të ishin seli ideale për investitorë vendas e të huaj, të mëdhenj. Por çfarë biznesesh, industri, financë, etj, ka Shqipëria?!

Isha së fundmi (për herë të parë) në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubljanë, dhe pashë që zonën historike të qytetit e mbanin me përkujdesjen dhe përkushtimin e prindit të lumtur që ishte i tillë, ndaj një foshnje të porsalindur. Edhe pse ndërtesat, shtëpitë e urat ishin disa qindra vjeçare, e shpesh kishin rrezikuar të shembeshin. Kulla nuk kishte, por ndërtimet bashkëkohore ku sistemohen bizneset ishin të gjitha në periferi. Turistët, turma-turma, ‘të shkelnin me këmbë’ kurse njerëzit që shëtisnin në atë zonë që restaurohej çdo ditë shfaqnin me të gjithë qenien e tyre; paqen e një jete normale. Dhe është ajo Slloveni te e cila ne porosisim, edhe prodhimin e fletëve të votimit sa herë bëjmë zgjedhje, sepse ‘biznesmenët e mëdhenj’ të Ramës që paskan emergjencë për ambiente pafund në qendër të Tiranës, as kaq gjë nuk e bëjnë dot.

Gjithmonë kam menduar, se nëse këta të ashtuquajtur biznesmenë do ti nënshtroheshin Bursës (që enkas nuk ekziston këtu) si në çdo vend perëndimor, të gjithë do të falimentonin. Në fakt, ai që do të falimentonte do të ishte shteti, që i mbulon me miliarda të taksapaguesve! 

Në vijim të shpjegimit këtij ‘fiksimi’ të Ramës, për të shndërruar qendrën e Tiranës në një mini-Manhaten, ka edhe të tjerë që shfaqen me një variant ndryshe. Ata pretendojnë, se janë më brenda ‘historikut’ të evoluimit të jetës pushtetore dhe pasurore të tij.

Gjithçka lidhet me ‘mjaltin’ që Edi Rama zbuloi pak kohë pasi u bë për herë të parë administrator i një kryeqyteti, që po mësyhej nga shumica e popullsisë së vendit. Ky mjaltë që rridhte nga kosheret e biznesit kaotik të ndërtimit, do të ishte edhe ‘Eureka’ e tij. Kundërshtarët politikë dhe mediatikë të Edi Ramës, aktualisht e shohin atë si një mbret të korrupsionit në postin e kryeministrit të plotfuqishëm. E denoncojnë për qindra milion euro të munguara në buxhetin e shtetit, të cilat i delegon te një grusht ortakësh oligarkë, nëpërmjet PPP-ve dhe koncesioneve të famshme në çdo fushë të ekonomisë shqiptare.

Rrjeti tashmë funksionon nëpërmjet ‘bizneseve’ afatgjata të cilat e kanë fitimin të sigurt nga thesari i shtetit dhe të kopsitur në mënyrë të tillë, që asnjë qeveri e mëvonshme nuk i zhbën dot. Vetëm nëse do të bënte autogol vetë-shkatërrues. Kjo sepse të gjitha kontratat, edhe pse e kanë ‘të shkruar në ballë’ që janë klienteliste, pa garë, pa logjikë të ekonomisë së tregut dhe me shumë shkelje; janë kopsitur nga ana juridike dhe procedurale, për fitore të sigurt edhe në Gjykatën e Strasburgut.

Por kjo që po ndodh gjatë këtyre 6 viteve të Ramës kryeministër është vetëm shpërthimi i një simfonie shumëvjeçare, të nisur me ‘mjaltin’ e firmës së kryetarit të Bashkisë. Nëse i referohemi të famozit raport konfidencial të OSBE-së, të publikuar në kohën kur Rama ishte ende në opozitë, pasuria e tij llogaritej në rreth 200 milion dollarë. Ndërkohë vetë ai, deklaronte rreth 3 mijë dollarë dhe një shtëpi modeste. Gjithashtu ky raport theksonte se kjo pasuri përrallore ishte sistemuar, edhe me ndihmë e të vëllait, në offshoret e Amerikës. Por si mund ti ketë bërë gjithë këto para, Edi Rama, vetëm si kryetar Bashkie?!

Përgjigjen e jep vetëm 20% i famshëm për çdo leje ndërtimi, por edhe futja në skema madhore të pastrimit të parave që në atë kohë. Ka pasur akuza jo vetëm nga politikanë të rëndësishëm për këtë çështje, por edhe denoncime konkrete nga biznesmenë. Unë i ftojë kolegët e mi gazetarë investigativë me të cilët kam pas bashkëpunuar në terren, që të gërmojnë në prokurori sepse ndoshta ende ekzistojnë dosje për këtë çështje, të cilat do ti shërbenin shumë SPAKUT. Këtij ‘gogoli’ të cilin Edi Rama ua tregon kundërshtarëve politik, me gisht çdo ditë.

Por të kthehemi te çështja; përse Edi Rama kur ishte ministër Kulture mburrej se së bashku më kryeministrin e asaj kohe, Ilir Meta, jo vetëm do ta `konservonte`, por edhe do ta `kthente në identitet` qendrën e Tiranës kurse sot përveç Teatrit, të cilin e ka në plan që ta rrafshojë, njësoj projekton të bëjë, edhe me Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Historik, Galerinë e Arteve, Akademinë e Arteve, etj, çfarë ka mbetur?!

Në vitet që pasuan, Rama, nga mbështetës pa kushte (servil në fakt) i Metës, Nanos, Majkos (sipas radhës në karrige) sa ishin kryeministra, pasi u bë kryetar Bashkie dhe pasi bleu drejtimin e Partisë Socialiste pati një metamorfozë të plotë, jo vetëm për Teatrin Kombëtarë. Që atëherë ju kishte vënë syrin gjithë hapësirave më të çmuara, me ndërtime apo jo, në zemër të Tiranës dhe priste me durim që të bëhej kryeministër, për të përsëritur në mënyrë spektakolare historinë e ‘mjaltit’, kur ishte në krye të Bashkisë.

Sërish pyesim; Po përse i njëjti individ që dikur mburrej në studion e Blendi Fevziut si pionier në mbrojtjen e Qendrës Historike të Tiranës ku përfshihej edhe Teatri Kombëtar, por edhe për faktin se ishte iniciator i projektit ‘Kthim në identitet’, u shndërrua në planifikuesin dhe sot në zbatuesin e shkatërrimit të saj?!

Për këtë përgjigjen mund të na e japin vetëm ata që e mësuan me ‘mjaltin’ e ndërtimit, kur ishte kryetar Bashkie. Mund të na e thonë edhe ata që kanë miliarda shqiptare dhe ngado nëpër botë, të cilat ju duhet ti pastrojnë njëherë e mirë. Edhe librat që shpjegojnë, se përse mafia italiane, ajo në Amerikë dhe kudo në botë, e ka shumë ‘për zemër’, pikërisht sektorin e ndërtimit.

Me pak fjalë: Më trego si bëre 200 milionëshin e parë në dollarë, të të them si po i bën miliardat në euro!

Kjo pyetje retorike vlen për këdo, pavarësisht nga shifra.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

proletar04/08/2019 08:14

Ke te drejte...

Skrapari02/08/2019 17:34

Z. Poli! Ne nje pike nuk jam dakord me Ju, kur shpreheni se klientela e Edvinit i ka kopsitur nga ana juridike dhe procedurale kontratat per projekte te ndryshme, megjithqe ato e kane te shkruar ne balle qe jane koruptive. Opozita neser ne pushtet ka premtuar qe do ti anulloje, sigurisht qe ajo ka nje baze reale per ti anulluar. Nese flet kot per politike turpi i mbetet asaj. Une jam besimplote se lideri i opozites nese ka bere nje premtim eshte pikerisht mbajta e premtimit per anullimin e gjithe koncensioneve te oligarkeve te lidhur ngushte me krimin dhe kriminelin Edvin Sumqirin.

Tiku02/08/2019 17:04

Bravo, ky eshte thelbi i asaj cfare po ben mafia nderkombetare ne shqiperine-lavatrice. Jo teatrin, por edhe shtepite e qytetareve, po te jene ne zone me vlere do ti marrin!

Shto koment

Denonco