Si ta lexojmë daljen e Ramës pas 'bombës' për Dakon

Si ta lexojmë daljen e Ramës pas 'bombës' për Dakon

Nga Artan Cena - 31/07/2019

Pasi ishte bërë qesharak gjatë një muaji nëpër Shqipëri duke kërcënuar shqiptarët si një kryekonsull se do i linte pa dalë jashtë shtetit nëse prekin zgjedhjet, kryeministri arriti deri aty sa u tha laçjanëve se 'skifterët' nuk do mund të shkojnë në Itali.

Për ironi, pas mbarimit të palo-votimeve, të vetmit 'skifter' që i është ndaluar dalja jashtë vendit,  është krahu i djathtë i Ramës, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Më mënyrë paradoksale kjo tregon se kryeministri ose nuk është i informuar ose nuk kupton fare nga politika dhe diplomacia më e fuqishme botërore, ajo amerikane.

Dakos po i ndalohet hyrja në SHBA pasi ka informacione të besueshme nga Departamenti i Shtetit për përfshirje në korrupsion domethënës. Fakti që është i lirë në Shqipëri, i thotë të gjitha për shtetin që ka ndërtuar Edi Rama.

Por prapë mbetet ironike se si Dako endet i lirë, kurse Rama krenohet se ka mbyllur disa restorante qyqarësh që mezi mbajnë frymën gjallë gjatë sezonit turistik. Jo vetëm kaq, por lajmi për Dakon doli kur Rama u zotua se do ngrejë një njësi speciale për të arrestuar të fortët e lagjeve.

Sa qesharak duket kur ringjall këto histori të viteve 90. Shqipëria e ka problemin me banda të krimit të organizuar dhe jo me ndonjë pijanec që 'leh' ndonjëherë para pallateve. Këto banda nuk janë aspak rrugeçër lagjesh.

I trazuar ndjeshëm nga ajo që ndodhi pas publikimit të lajmit për Dakon, Rama nxitoi të shkonte tek konstituimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke habitur këdo që merr vesh nja dy gjëra nga politika e demokracia. Por qëllimi i tij ishte i qartë.

Se pari, me këtë vizitë ai po u tregon njerëzve se ai është i fuqishëm dhe i ka në duar të gjitha pushtetet.

E dyta dhe më e rëndësishmja, po u thotë vendorëve të tij që të mos tremben pas asaj që i ndodhi Dakos. Kjo pasi me Dakon nuk ka rënë një kryebashkiak, por modeli i Ramës.

Dako akuzohet për ato gjëra që akuzohen të gjithë të tjerët, nga Rama e në vazhdim: për korrupsion, betonizim të qytetit, shkatërrim të trashëgimisë historike, për manipulim zgjedhor.

Rama tentoi t'i qetësonte, edhe pse e dinë se në vend të Dakos mund të ishte secili prej tyre, me Ramën në krye.

Modeli 'Rama' ka rënë, tani kanë nisur të bien edhe kokat një e nga një.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco