Ramushi për Edin është vetëm një 'gomar'

Ramushi për Edin është vetëm një 'gomar'

Nga Arben Vata - 20/07/2019

Rama nuk ka heshtur, ka quajtur Ramushin gomar

- A është shpëtuese formula Kurti, Kryeministër e Haradinaj President?!

1- Ramushi për Edin është vetëm një "gomar ".

E vërteta është se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka heshtur ndaj dorëheqjes së homologut të Kosovës, Ramush Haradinaj. Në një takim të dy qeverive të mbajtur në Pejë më 26 nentor 2018, Rama në fakt e quajti "gomar" Haradinajn dhe këdo tjetër që cilësonte si tradhëtar Hashim Thaçin në projektin e përbashkët për shkëmbimin e kufijve me Serbinë. Që prej atij monenti, dy homologët shqiptarë nuk janë parë më përzemërsisht, madje kanë uruar largimin e njëri-tjetrit nga politika. Ramushi nuk ka pasur asnjë mjet apo mundësi për ta larguar Ramën nga zyra në Tiranë. Kurse ky i fundit, sigurisht që nuk ka lënë ti shkojë kot asnjë mundësi për ta parë "gomarin" jashtë politikës, e pse jo, edhe në Hagë.

2- Gafa e hershme e Ramës me Rambon

Pavarësisht nëse flet apo jo Rama, e pavarësisht se çfarë do të thotë, në të vërtetë ai nuk ndjen asnjë keqardhje apo simpati për Ramushin. Kjo, për arsyet që tashmë dihen. Për ata që iu kujtohet, Rama ka shënuar incidentin apo gafën e parë politike në arenën mbarë shqiptare, pikërisht me Ramushin e bash me praninë e tij në Hagë. Pak muaj pasi u bë kryetar i PS (vjeshtë 2005), Edi Rama nëpërmjet stafit të kabinetit të tij, dërgoi një letër zyrtare në selinë e AAK-së në Prishtinë, nëpërmjet së cilës kërkonte një takim me kryetarin Haradinaj, i cili realisht ndodhej në...Hagë. Ky skandal ndoshta është harruar, por ndoshta tregon shumë për lidhjet "e forta " të Ramës atëherë me Kosovën e Haradinajn në veçanti. Megjithatë, gazetarët e oborrit dhe një pjesë e propagandës, kanë nxituar ta interpretojnë dorëheqjen, si akt i pastër politik për të fituar vota në zgjedhjet e mundshme të parakohëshme.

3- Haradinaj, një kryeministër i dështuar, por i domosdoshëm

Them i domosdoshëm, sepse nëse në vend të tij do të ishte dikush tjetër, me siguri që nuk do ti rezistonte presionit ndërkombëtar dhe të Presidentit e qeverisë shqiptare, për një marrëveshje shkëmbimi territoresh me Serbinë. A është ky qëndrimi që duhet apo jo, ky është një tjetër diskutim, por shumica e shqiptarëve e kanë mbështetur.

A ka qeverisur mirë Haradinaj në këto vite? ASPAK, sa i takon zhvillimit ekonomik, hapjes së vendeve të reja të punës, luftës ndaj krimit, korrupsionit etj.

4- Kurti-Haradinaj, dyshja që mund të shpëtojë Kosoven ?

Për arsyet e përmendura më sipër, por edhe për të tjera që shqiptarët e Kosovës i dinë më mirë, nuk ka logjikë politike që Haradinaj të zgjidhet sërish kryeministër. Aq më tepër se nuk duhet harruar se serbët do të ndikojnë sërish që ai të thirret prapë në Hagë me pretekste të ndryshme. Dhe sërish do të kishim një kryeministër që jep dorëheqjen dhe sërish zgjedhje...Po një President në formatin e Ramushit, a do ta preferonin shqiptarët në Kosovë, si garant iKushtetutës dhe i ruajtjes së tërësisë territoriale? Unë nuk do të isha kundër, edhe për faktin se AAK (edhe për shkak të dorëheqjes) do të shtojë kuotat e saj elektorale. Votat në favor do të rriten shumë këtë radhë, edhe për VV e Albin Kurtit, i cili ka profilizuar vit pas viti kandidaturën e tij për kryeministër. Ka shumë mundësi që kombinimet politike pas zgjedhjeve, të mundësojne një koalicion VV-AAK, çka për shumë shqiptarë në Kosovë e jashtë saj shihet pozitive. Albini njihet për notat e forta atdhetare e në bashkëpunim me një President të mundshëm si Haradinaj, Kosova do të ndihej më e sigurte e politika nuk do të harxhonte aq shume kohë e energji për këtë çështje, sa shpenzon sot. Një President që ndoshta do të ishte sërish në hetim për krime lufte, mund të dorëhiqet, por kjo nuk e çon Kosovën në zgjedhje të parakohëshme.

5- Pse kaq mbështetje për Ramushin?

Ka një keqkuptim të madh në këtë rast. Shqiptarët po shfaqin simpati për Ramushin jo si kryeministër, por si njeri, për aktin e tij politik; dorëheqjen. Një akt në fakt më i shpeshtë në Kosovë sesa në Shqiperi. Po u vjen keq, jo se ka qeveris mire, por se po hakmerren ndaj tij, pikërisht sepse ai u tregua burrë shteti, patriot e se vendos Atdheun mbi politikën. Por edhe nëse bën politikë, nuk është mëkat. Jo për aq kohë sa nuk dëmton interesat e qytetarëve. Kur ta bëjë këtë, do të marrë ndëshkimin që meriton. Por kurrë atë si TRADHËTAR 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco