Pak mëshirë, për këtë Shqipëri të gjorë!

Pak mëshirë, për këtë Shqipëri të gjorë!

Nga Poli Hoxha - 17/07/2019

Kam shkruar rreth 3 vite më parë, për një histori që më ka mahnitur gjithmonë. Ja vlen që ti rikthehemi, sepse fundi i saj tregon për një mbret 5 ditor të shqiptarëve, 106 vite më parë, i cili e bëri vendin katrahurë, thesarin e shtetit `rrush e kumbulla`, por në fund fare kur iku natën nga ‘pallati mbretëror’, nuk mori asgjë me vete.

Ja vlen ta ritregojmë edhe në kujtesë të deklaratës së ambasadorit austriak në Tiranë, i cili së fundmi i tërhoqi veshin Voltana Ademit duke e kthjelluar atë edhe ne, se Shqipëria është në vitin 2019 dhe jo në atë të mbrapshtin 1913!

Ja vlen mbi të gjitha për të vëmë përballë dy kllounë prej vërteti, të cilëve u ka rastisur në kohë të ndryshme që të mbretërojnë në Shqipëri. Kuptohet së bashku me parinë e vendit, që i mbajtën e i mbajnë në fron. Për të parë gjithashtu, se edhe mashtruesit më të mëdhenj në historinë e këtij vendi nuk kanë qenë kaq të ligj dhe makutë me Shqipërinë e ngratë, sa këta të sotmit që na kanë futur përdhunshëm në grusht të tyre.

 Historiografia shqiptare për më shumë se 100 vjet, (madje edhe sot), nuk ka guxuar që të trajtojë historinë e një ‘mbreti të shqiptarëve’, i cili në vitin 1913 realizoi një nga mashtrimet më të mëdha që i janë bërë këtij populli dhe klasës udhëheqëse të tij. Ka ndodhur kështu, sepse ndoshta nuk ka ende fakte të mjaftueshme, por më shumë sepse kjo histori është e turpshme për racën shqiptare.

Faktikisht në atë kohë, pak ose gati aspak, dokumentoheshin zullumet që bënte paria e vendit. Por për ato që ndodhin sot 106 vite më pas, nuk ka asnjë shans që të humbasin në harresë, sado që të jesh i rrethuar nga trukierë të mirë-paguar si ata që ka grumbulluar Endri Fuga në Pallatin e Kongreseve.

***

Otto Witte ishte një gjerman i lindur në vitin 1872, i cili gjithë jetën e tij ja kushtoi cirkut si ‘akrobati, me mustaqe të jashtëzakonshme’. Ky aventurier, i dhënë pas femrave dhe pijes është një nga karakteret më të jashtëzakonshëm të historisë evropiane. Dhe për këtë meritën e ka klasa politike shqiptare, aq sa ishte e tillë në vitin e trazuar 1913. Historia e Otto Witte, pak a shumë është kjo:

Ai ishte i dashuruar pas trukeve dhe mashtrimeve dhe për këtë ju përkushtua karrierës si klloun në cirk, që në moshën 8 vjeçare. Shumë shpejt ai u bë i njohur si një tregimtar i zoti, duke rrëfyer aventurat e tij imagjinare. Si për shembull, kur u hoq si magjistar dhe arriti të fitonte një titull nderi nga një fis xhuxhësh në Afrikë, apo se si një herë u përpoq të arratisej me vajzën e perandorit të Etiopisë. Por të gjitha këto aventura imagjinare, ai do ti tejkalonte me një eksperiencë reale në Shqipëri gjatë vitit 1913, e cila do të bënte bujë në Europë dhe vazhdon e përmendet edhe sot e kësaj dite.

Në atë vit, sipas versionit të treguar prej vetë atij (botuar në gazetat e kohës, por të vërtetuar edhe nga dëshmitarë), kur Otto punonte në Budapest një koleg i cirkut i tregoi për një artikull ku flitej për ndarjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Shkrimi theksonte se paria e shqiptarëve ishte në kërkim të një princ turk, i quajtur Halim Eddine, të cilin kërkonin ta kurorëzonin mbret.

Këtu, i shkreptiu ideja gjeniale dhe mori jetë plani i tij. Ai gjeti një foto të këtij princi, me të cilin kishte ngjashmëri të mjaftueshme dhe së bashku me kolegun e cirkut Max Schlepsig, nisën udhëtimin drejt Shqipërisë, vendit që kërkonte një mbret që ti vinte nga jashtë.

I veshur rëndë, me një shpatë të madhe, ai u prit me salltanete dhe pasi e kurorëzuan, i dhanë ‘çelësat’ e vendit. Ai e quajti veten ‘Mbreti Otto i Parë i Shqiptarëve’ dhe gjënë e parë që bëri me shokun e tij ishin festat dhe orgjitë, në haremin me 25 vajza të reja. U dha të gjithë feudalëve të mëdhenj nga një vend në kabinetin e tij, shpalli amnisti të përgjithshme dhe e çmendi popullin duke urdhëruar një javë të tërë pushim, gjatë së cilës, vetëm do të hahej e do të pihej. Paria e vendit e ndoqi pas dhe ju bashkua, pasi ai ju premtoi se do ta lulëzonte dhe zmadhonte mbretërinë, por veçanërisht pasurinë e tyre. Duket i pabesueshëm naiviteti që treguan, por ka edhe një variant tjetër sipas të cilit atyre ju pëlqeu ky mashtrim i madh. Nuk u interesonte edhe aq, nëse mbreti i tyre ishte i vërtetë apo i rremë. Rëndësi kishte që ata të ishin në qeverinë e tij dhe popullit do ti flisnin e do ti bënin çfarë të donin, në emër të tij.

Plot 5 ditë vazhdoi ky mashtrim, i cili vetëm në një vend si Shqipëria mund të realizohej. Pjesa më e bukur e kësaj historie është se edhe pse dyshohej fortë që ishte mashtrues, mbretin Otto nuk e hoqën vetë shqiptarët, por dha dorëheqjen sepse e kuptoi në kohë që zullumi ishte trashur. Pasi kishte bërë rrush e kumbulla atë pak thesar të shtetit dhe pasi i shpalli luftë Malit të Zi, ai së bashku me mikun e tij arritën t`ja mbathnin, pak përpara se të zbulohej nga Fuqitë e Mëdha që po merreshin me çështjen e koklavitur shqiptare. Thuhet se deri ditën që vdiq, fiks 40 vjet pasi ishte shpallur mbret i shqiptarëve më 13 gusht të vitit 1953, policia e Berlinit e lejoi të mbante në dokumentet e tij të identitetit, mbishkrimin; ‘Mbret i Shqiptarëve’.

***

Është e gjitha e vërtetë apo jo kjo histori, ka ose jo elementë që deri tani janë vërtetuar nga historiografia, pak rëndësi ka. Ja vlen për ta rikthyer sepse ashtu si Shqipëria e vitit të mbrapshtë 1913, ku gjeti terren një mashtrues gjerman, është sot Shqipëria e Edi Ramës, ku larvat e tranzicionit shqiptar janë shndërruar në mostra jashtë kontrollit. Vendi po vidhet dhe po thithet deri në palcë, me një dekor cirku ku kryekllouni shpik përditë truke të reja. Kurse shqiptarët-spektatorë të hutuar, e vështrojnë të ngrirë si mumje të konservuara pa kohë!

Pra portretin dhe aventurën e klouni të cirkut Otto Ëitteer në Shqipërinë e vitit 1913, edhe pse i ndajnë 106 vite, e gjen në një formë edhe më të degraduar dhe të dhimbshme në Shqipërinë e sotme. Themi që mbreti-klloun i sotëm është edhe më i keq se ‘Otto i Parë’, sepse historia e tij kishte edhe ca elementë romantik brenda. Ai bëri amnisti të përgjithshme dhe i nxori të gjithë pa dallim nga qelitë, të fajshëm e të pafajshëm.

Kurse në Shqipërinë e sotme burgjet janë kapicë me demonstrues politikë dhe prapë të gjithë ‘vrasin mendjen’, se ku janë kokat e krimit të organizuar; ata që bëjnë rrugë të florinjta; kush e ka shndërruar vendin në bazë operacionale ndërkombëtare të drogës; pse ikin shqiptarët, si tufat e zebrave në savanë kur mësyhen nga tigrat grabitqarë; nga burojnë miliardat e kullave, që mbijnë çdo ditë?!

‘Otto i Parë’ vërtet i futi duart te paratë e thesarit të shtetit e i bëri ato rrush e kumbulla me femra apo nëpër festa e gosti, por nuk morri asgjë me vete kur ja mbathi për në Berlin. Në Shqipërinë e Rilindjes çdo vit mungojnë në buxhetin e shtetit qindra milionë euro, por nuk ju dihet fare destinacioni. Kllouni i cirkut të paktën e shpalli një luftë me Malin e Zi që kishte zaptuar në atë kohë troje të tëra shqiptare, kurse kllouni ynë kryeministër ndërkohë që thur plane për të shitur Kosovën, bën luftë me plakat nga fshati që shesin presh e  radhiqe në trotuaret e qyteteve.

Nëse ‘Otto i Parë’ e kuptoi shpejtë se shqiptarët nuk janë edhe aq budallenj sa duken, ‘Rama i Parë’, që mbretëron për herë të dytë është i bindur se shqiptarët jo vetëm që janë budallenj, por edhe kokulur, madje-madje edhe njësoj si ai ‘miku’ që nuk ngrihet dot.

Nëse aventurieri gjerman kur e nuhati se Fuqitë e Mëdha e zbuluan, por edhe paria e Shqipërisë e kishte kuptuar se cili ishte në të vërtetë, vendosi që t`ja mbathë, ky i yni  ka vendosur që të vazhdojë ankandin për të blerë edhe ata që ende nuk i kanë në thes.

Duket se është në fazën finale. Në atë pikë, kur rojet e Cirkut me hunj në duar rrethojnë publikun dhe ju kërkojnë, që ta pranojmë shfaqjen e shefit të tyre e tyre si reale e normalitet. Jo si mashtrim dhe truk, por si shtet, ligj, drejtësi, Europë, SHBA. Që lakuriqësinë makabre të asaj që ofron, pra grabitjen pa mëshirë që po i bëjnë këtij vendi, ne ta quajmë ‘Reformë në Drejtësi’ dhe dhimbje për të bërë shtetin ligjor. Të besojmë se pas ca `aksidenteve` të opozitës, shoqëruar me nja 10 `rrëmuja` 6 mujore si pasojë e revoltës së `sindikatës`; ca marrëveshje `për hir të vendit`, BE-së e SHBA-së`, shoqëruar me ca aktorë të `rinovuar` që ringjiten në skenë, Cirku i gjithhershëm do ti kthehet punës në normalitetit. Dhe të gjitha gjasat, janë se kështu po ndodh!

Kjo ishte pra historia e klounit Otto, përball asaj të `mbretit` Rama i Parë. Otto simpatiku, i cili u bë vetëm për pesë ditë mbret i shqiptarëve; vërtet e bëri rrush e kumbulla thesarin e shtetit, por të paktën tregoi aq dinjitet sa që nuk morri asgjë me vete kur ja mbathi!

Fatkeqësisht edhe pse kanë kaluar 106 vite, edhe pse ambasadorët e Fuqive të Mëdha që vizitonin Shqipërinë në atë kohë nuk janë të rrethuar me ushtarë, por të veshur me kostume ‘demokratike’; edhe pse ‘paria’ e vendit hiqet si më e zgjuar, më e shkolluar e më perëndimore, një kloun ku e ku më i lig dhe i rrezikshëm se ‘Otto i Parë’, mbretëron në këtë vend. Bashkë me parinë që ka qenë përreth tyre gjithmonë, por që herë futet në luftë e herë bën paqe!

Ku ta gjemë pak mëshirë, për këtë Shqipëri të gjorë?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

Kuti18/07/2019 17:07

Pergjigje pyetjes se pyetjes se fundit te shkrimit, nuk ka meshire por duhet drejtesi. Drejtesia ne ate qe, te shkojne ne burg e ti sekuestrohen parate e vjedhura. Ose te eliminohen. .ps ndoshta nuk e publikoni, por jeni dakorde.

Loni nga fieri17/07/2019 23:08

Mos harroni ,dhe thirrini kujteses Jo te larget .Ne kemi pas goxha mbreter ,Rrapush Xhaferi ,Suden,Vehbiun ,Kamberin Drizen ,dhe tani kemi Rami super Suden .Pershendetje autorit per shkrimin I shkelqyer.

Tiku17/07/2019 21:09

Lexoje mire shkrimin Bob komentuesi dhe kuptoje ironine dhe sarkazmen. Artikulli perle 106 vite paria makute e keti vendi e bere kete vend dhe ata qe e popullojne, per meshire, se tjeter gje ska mbet.

Bobi17/07/2019 18:52

Shqiperia nuk do meshire o gazetar, Shqiperia do vetem DREJTESI! E ka thene Migjeni i madh ketu e 80 vjet me pare.

ylli17/07/2019 16:22

Bravo shoku

Shto koment

Denonco