14 korriku – Shqiptarët po humbin 30 vite bashkëjetesë me revolucionin francez

14 korriku – Shqiptarët po humbin 30 vite bashkëjetesë me revolucionin francez

Nga Ilir Nikolla - 14/07/2019

Liria, barazia dhe vëllazëria, parimet e larta, nën emrin e të cilave justifikohej edhe dhuna, edhe shpronësimi, edhe vëllavrasja, janë historia që na ka ardhur nga Revolucioni Francez, i cili sot ka 230 vjetorin. Edhe pse mund të duket disi pretencioze dhe larg realitetit, shqiptarët kanë të drejtë që në çdo 14 korrik, të bëjnë një bilanc, se ku janë me treshen e parimeve që Revolucioni Francez i la si trashëgimi botës moderne (bile edhe në disa realitete postmoderne flitet gjithashtu). 

Demokracia shqiptare, gati 30 vjeçare, s’ka pse çdo 14 korrik të mos analizojë a e ka mbrojtur sa duhet lirinë, a e ka forcuar barazinë dhe a e ka shëndoshur solidaritetin, vëllazërinë mes nënshtetasve që i dhanë jetë këtij sistemi 30 vjet më parë (e 200 vjet pas revolucionit). 
Përgjigjet s’kanë nevojë për debat. Ato janë realitete spikatëse, flasin me gjuhën e shifrave. Shqipëria për vite me radhë është në krye të listës së azilkërkuesve në vendet e BE-së, të cilat janë për princip trashëgimtaret e realitetit që prodhoi revolucioni francez. Azilkërkuesi mund të klasifikohet si entiteti që është përzënë nga “Shqipëria Demokratike”, entiteti të cilit i janë mohuar liritë, liria për të folur, liria për të krijuar pasuri dhe liria për të zgjedhur. Numri i azilkërkuesve jashtë mund të shtohet me numrin e njerëzve në paraburgim që janë mbajtur gjatë këtyre 6 viteve në Shqipëri, dhe që shkon afro 100 mijë, vetëm në vitet 2014 e 2015 patëm afro 40 mijë të arrestuar në vit. Ata afërmendsh s’mund të jenë keqbërës, se apriori shoqëria shqiptare nuk mund të çmendet apriori, vrik e vrik, pa ndonjë arsye të veçantë. 100 mijë “azilkërkues” në qelitë e Edi Ramës dhe Sandër Lleshit të radhës, janë një tjetër tregues se ata janë privuar nga liritë për të folur, për të konkurruar në treg e për të krijuar të mira materiale, dhe ç’është më e rëndësishmja, e siç po del tash së fundi në dritë të diellit, janë privuar nga e drejta për të kundërshtuar qeverinë e për të zgjedhur me votë largimin e saj.

Edhe për statistikat e barazisë, shqiptarët kanë pse ta ulin kokën. Kombi shqiptar u mbrujt nga odat e të drejtës zakonore, kanuneve e venomeve, oda që mbijetonin për shkak të barazisë, se çdo përfaqësues ishte i barabartë me tjetrin, si qenie e të madhit Zot, me të drejta të patjetërsueshme nga asnjëlloj beu, bajraktari a kleriku. Edhe këtu 30 vitet e demokracisë po bjerren nga oligarkë që kanë më të drejtë se të tjerët, nga politikanë që e bëjnë tërmet të drejtën e votës dhe s’i japin llogari askujt, nga një kryeministër që vendos taksa personale, sa herë është në hall financa e oborrit dhe e shantazhon popullin se s’ka ç’bën, se atij s’i ngrihet,...pasi merret vesh se ai e ka tredhur triumfin e të drejtës së barazisë para ligjit. Dy ministra të brendshëm që bredhin rrugëve të lirë, edhe pse u vertetuan afiliacionet e tyre me organizatat e narkotrafikut janë më të barabartë para ligjit, sesa mijëra të tjerë që u rrasën në burg (dhjetëra edhe humbën jetën, u vetëvranë apo s’e duruan dot qelinë) se s’kishin asnjë mundësi të paguanin faturën e energjisë elektrike. 

Më i barabartë se të tjerët para ligjit, do të thotë më i barabartë se të tjerët para noterit për të rrëmbyer prona, para gjyqtarit për të intimiduar kundërshtarin dhe para kryebashkiakut për të marrë lejet e ndërtimit apo licencat e biznesit.

Vëllazëria është e drejta që është nëpërkëmbur më së shumti këto vite dhe humbja më e madhe nga thesari që trashëguam. Në fakt, vëllazëria ka qenë një e drejtë kanunore shqiptare, e shekujve, dhe triumfi i revolucionit francez veç na lëvdoi sedrën për këtë të drejtë parake që ne e gëzonim gati në status natyror. Edhe Papa Françesku në vizitën e tij në 2014-n, tha se marrëdhëniet mes komuniteteve fetare në Shqipëri, s’ishin harmonike, por vëllazërore. Kjo vëllazëri shtrihet tek mëhallat, fiset e veriut e të jugut, grupet e esnafëve dhe afërmendsh edhe tek bashkësitë fetare të vendit. Ky solidaritet bënte të mundur që jeta të ishte më e lehtë për të gjithë, ndoshta jo krejt komode, por e mbijetueshme. 

Porse vitin e shkuar, ne hasëm me dhjetëra të pastrehë rrugëve që në dimrin e acartë s’kishin ku të shkonin, ndërsa bashkia thoshte se s’kishte evidencë për ta. Ne asistojmë përditë në komunitete të lëna në mëshirë të fatit, fëmijë nën dhunën e baballarëve, fshatra nën dhunën e më të fortëve dhe tregje të tëra në qytete të mëdha nën dhunën e gjobaxhinjve. 

Si përfundim, vëllazërimi mes nesh ka qenë kurbani i madh i këtyre viteve, ka qenë deviza e një qeverimi që i sheh njerëzit si statistikë dhe që të gjithë faturën e keqqeverimit ja ngarkon atij që më herët e ka humbur edhe lirinë, edhe barazinë. Mund të mbijetohet kur humbet lirinë, edhe kur dikush të bie në qafë, por kur qeveria të vë në kurriz edhe borxhet e veta, s’mund të mbijetohet nëse s’ta jep kush dorën.
Dorën sot qeveria s’ja zgjat askujt që s’paguan, a tek ajo, a tek partia. 

E drejtë e vëllazërimit mund të themi se është asgjësuar dhe ka shumë pak mundësi ta rifitojmë në të ardhmen e afërt. 
Prandaj këtë 14 korrik, ftoj që të meditojmë për të drejtat e lirisë dhe të barazisë, ato i kemi në dorë t’i rikthejmë më shpejt si fitore të vjetra të së drejtës tonë zakonore, si konfirmime të botës moderne që prej Revolucionit Francez dhe si triumfe shqiptare të Lëvizjes Studentore të 1990-s. Kur i kemi pasur qëmoti, kur i kemi rifituar në 1990-n, s’ka pse të mos i rimarrim, nga disa derra të kënaqur që kujtojnë se çifçinjtë shqiptarë përfundimisht s’kanë më takat t’u kundërvihen. 

14 korriku i 1789-s është një datë e madhe për botën moderne. 14 korriku i 2019-s s’ka pse të mos jetë një datë shprese për shqiptarët. Derrat e kënaqur po i vret pesha e vet. Shqipëria s’ka për të mbetur në kënetën që përshkruan Orwelli. E kaluara evokohet kohë pas kohe dhe koha e derrave po ikën. Ora po evokon prapë triumfet e Revolucionit Francez.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku15/07/2019 07:14

Guxim! Çmimi i lirisë dhe i përparimit ka vetëm një emër: "GUXIM". Mjaft me protesta "paqësore" kot fare. Mjaft me "paralajmërime serioze" numër 785", ndërsa zullapi vazhdon avazin dhe dhunën mbi popullin, paralajmërimi bëhet një herë, herën e dytë pason veprimi i guximshëm. Opozita nuk duhet ti japë kamomil dhe opium popullit të rrevoltuar, duhet ti japë red bull e viagra. O djem e vajza, o gra e burra, o pleq e plaka rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri. LIRI

Shto koment

Denonco