Shteti i shtrydhur

Shteti i shtrydhur

Nga SYRI.net Kosova - 09/07/2019

Deri dje ishte i kapur. Tash, edhe më keq. “Do bëhet mirë”. Qe dy dekada, kjo psherëtimë antologjike, përfaqësonte përfundimin e çdo diskutimi. Vërtet mirë po bëhet. Për oborrin, kllounët dhe ata që u shkojnë nga pas. Një kockë herët a vonë, edhe atyre u bie hise.

Pjesës tjetër, zoti u ndihmoftë!

Si dikur në kohën e Perandorisë Osmane, ka një ndarje të ngjashme ky vilajeti i Kosovës. Sanxhaku i Kadrisë, i Ramushit, Fatmirit, Shpendit,Behxhetit...Isa e Albini, me mish e shpirt, po mundohen të marrin sanxhaqet e tyre. Mbi të gjithë këta pashallarë e bajraktarë, qëndron stoik, Hashimi.

Nuanca të vogla i dallojnë, sepse në thelb njësoj janë të gjithë. Pushtetin e kanë qëllim jetësor. Mjete nuk kursejnë. Makiavelistë të egër, oportunistë deri në fund. Edhe kur mbetet një fije shprese, se ka alternativa gjithmonë, ajo që na shfaqet veç e tillë s’mund të konsiderohet.

Një lider partie distancohet dhe përjashton politikanët e zyrtarët e me aktakuza. Një politikan me aktakuzë formon një parti të re. Shpresa e vendit!!!

Politika kosovare mund të shquhet për hipokrizi të thellë, por parime nuk ka. Udhëheqësit politikë, ndjekin moton “tërhiq e mos e këput”. Në njërën anë “godet” bashkëpartiakët e vet të inkriminuar e në anën tjetër, bashkëqeveris me të inkriminuarit e subjekteve që e mbajnë në këmbë qeverinë.

Me rëndësi, biznesi të ecë, oborri të lulëzojë, kllounët ta mbajnë në nivel performancën e tyre. Dhe për sa kohë, kjo trio e ruan ekuilibrin, bir nëne që e rrëzon qeverinë, nuk ka.

As taksa, as dialogu, as vizat, as parimet. Asgjë tjetër nuk e rrezikon pushtetin, përveç pazareve të atyre që qeverisin dhe opozitarëve që i lejojnë të keqqeverisin. Sa të ecë tregtia e pistë me paranë publike, pronat e Kosovës,zhvatja dhe abuzimi, nepotizmi dhe shitblerja e pozitave, oborrtarëve kush një fije floku nuk guxon t’ua prekë.

Secili në sanxhakun e vet është zot. Njëri doganat, tjetri energjitikën, dikush kontrabandën, ca kompanitë publike, të tjerë asfaltin....Për të qenë më rehat, e kanë shtrirë sundimin mbi secilën zyrë policie, prokurorie e gjykate. E natyrisht, nuk mund të harronin noterët, “zemrën” e transaksioneve për të mbuluar paligjshmëritë dhe korrupsionin sistematik.

Për njeriun e rëndomtë të Republikës, zgjidhjet e rrugëdaljet, janë pakësuar. Ose të vuash regjimin e vilajetit e sanxhaqeve, ose t’ia mbathësh. Vetëm shifrat zyrtare tregojnë për mbi dy qind mijë të larguar nga Kosova vitet e fundit. Statistika reale mund të jetë dukshëm më e madhe.

Vendet e punës po pakësohen. Invetimet e huaja kanë rënë në mënyrë drastike. Të marrësh një leje, licencë, garanci nga shteti, duhet të japësh mito.

Të gjesh punë, të duhet krah politik apo ryshfet. Sektori privat, është tkurrur nën peshën e monopolizmit, oligarkisë kriminale dhe haraçit të shtetit.

Shumica e medieve, flasin me gojën e oborrit. E vërteta, megjithatë e gjen rrugën e vet, por sa efekt ka?!

Mund ta pësojë një zyrtar që inkriminohet për dhjetëra euro, sepse ata që përfshihen në afera milionëshe, jo vetëm që nuk dënohen, por shpërblehen me pozita më të larta.

Të jesh i ndershëm dhe i aftë në këtë vend,duket e pabesueshme, por është përjetimi më e rëndë aktualisht. Oborri të linçon menjëherë. Regjimeve autoritare, analfabete dhe kriminale, nuk u duhen njerëzit inteligjentë e të pavarur, profesionistë e kreativë.

Liderët na kanë zhgënjyer njëri pas tjetrit. Pikësynimin kryesor e kanë pasur pushtetin dhe lekun. Shihjauni pak formularët e pasurisë. Ua kanë zili edhe biznesmenët më të fortë në Evropë.

Hendeku social është bërë i frikshëm. Thuajse po zhduket shtresa e mesme. Oborrtarët veç e trashin gushën e shumica mezi ia dalin deri në fund të muajit.

Kapja e shtetit, si term, ka vlejtur deri para ca kohësh. Kjo nuk është më thjesht, kapje. Kosova është bërë si një frut i shtrydhur.

Aq i madh është zhgënjimi, saqë nuk ka më forcë gati kurrfarë reagimi. Së paku në Shqipëri, mbushet sheshi me popullin që kundërshton despotin.

Këtu, në Kosovë, ende vazhdojnë duartrokitjet!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco