Ata dhe ne

Ata dhe ne

Nga Gentian Çala - 24/06/2019

(pjesa e dytë)

Dikotomia e përdorur nuk ka aspak për qëllim përçarjen, por veçimin e krundeve, duke e kundruar problemin në esencë si raporti me demokracinë, me të drejtat e njeriut dhe lirinë.

Ne nuk jemi ndonjë vend me tradita në këto aspekte, madje as nuk ka vend për tu krenuar, megjithëse kemi pasur përparime në dy dekadat e fundit. Sot, jemi duke bërë hapa pas.

Në një vend ku shumica dërrmuese e sistemit të drejtësisë duket e përlyer, ke mundësi të mbash shërbëtorët, sepse procesin e ke në duar. Reforma për drejtësi të pavarur u shndërrua në reformë të Ballës e Ulsiut. Vetingu kap ata që nuk janë me ata!

Ne nuk jemi si ata! Ne nuk fshihemi pas imunitetit, policisë apo rojeve, apo pas të fortëve të krimit. Ne jemi ata që burgosemi, se po pengojmë ata të bëjnë zgjedhje pa garë, tendera pa garë, që të vjedhin pa hesap.

Ne nuk jemi ata që nuk respektojmë shtëpinë e zotit, sepse kemi frikë nga mëkati, kurse ca cipëplasur si ata nuk e kanë për gjë ta përdhosin. Ne nuk jemi si ata që e hedhin flamurin dhe e shkelin me këmbë, sepse ata nuk e kanë për gjë të bëjnë pazare kufijsh.

Ne nuk jemi si ata, sepse mendoj që ndër ne ka më shumë skrupuj dhe njerëz që mund ta nxjerrin vendin nga bataku dhe depresioni ku gjendet. Ne nuk kemi hallin e së nesërmes, sepse presim që ajo të jetë më e mirë, kurse ai që ka shpërdoruar e shkelur ligjin e pret me frikë.

Ne nuk jemi Rilindja, ku njëri flet dhe të tjerët mbajnë ison. Ne nuk jemi ata të fasadës pa thelb, të shkeljes së ligjit me karton, të fushatës pa zgjedhje. Turp dhe vetëm turp për një sekt shpërdoruesish, të pangopur dhe llafazanë.

Ne nuk jemi si ata që blejnë media dhe armatosin militantë me adresa fallco për të sharë atë që nuk pëlqen shefin e tyre, apo Rilindjen mavi. Ne nuk jemi si ata që pasi ju vrasin çdo ditë, në mbrëmje ju dalin tu thonë në ekrane se sa shumë ju duan dhe se gjithë fajin e kanë ata, pra ne, opozita.

Pas disa ditëve ata duan të mbajnë zgjedhje, kurse ne do të luftojmë që kjo mos ndodhë, se duhet të ketë garë idesh, alternativash, individësh. Ata nuk mund ta vrasin garën, ata nuk kanë vende në burg për të gjithë ne. Ne do ti pengojmë, sepse gara është demokraci.

Ne nuk mund të emërojmë të zgjedhurit vendorë! Kjo është thjesht marrje peng e vendit, puç politik dhe autokraci!

Ndërkombëtarët janë diku, por kjo duhet zgjidhur nga ne, në mënyrë që mos kemi nesër ca të tjerë që sillen si ata!

Ne dhe ata nuk është përballje ndërmjet shqiptarëve, por ndërmjet tiranisë dhe lirisë, ndërmjet arrogancës dhe përgjegjshmërisë, ndërmjet autokracisë dhe demokracisë, ndërmjet atyre që duan këtë vend dhe të atyre që nuk e kanë dashur kurrë!    

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco