Pandryshueshmëria e aksit Uashington-Berlin mbetet garanci për Shqipërinë

Pandryshueshmëria e aksit Uashington-Berlin mbetet garanci për Shqipërinë

Nga Bled Komini - 24/06/2019

Ngjarjet e fundit në vend ka vënë në pikëpyetje (ndoshta me të drejtë!) ekzistencën dhe kohezionin e aksit Uashington-Berlin mbi Shqipërinë. Që në krye të herës i duhet dhënë një përgjigje e shpejtë të gjithë skeptikëve se ky aks jo vetëm që nuk varet mbi atë se çfarë ndodh në vend, por sigurisht, që edhe për ato që ndodhin në Shqipëri, aksi i ka të qarta veprimet dhe angazhimet në rast të ndonjë shkarje drejt destabilitetit të vendit.

E duke qenë se një përgjigje e shpejt u dha, tash duhen parë argumentet përse ky aks është i palëkundur e i qendrueshëm në rastin e Shqipërisë dhe nuk varet aspak nga pengesat apo vonesat e proceseve, qofshin ato të reformës në drejtësi, apo ato integruese e euroatlantike.

Së pari për aksin Uashington-Berlin rëndësi të madhe në rajon, dhe për më tepër në Ballkanin Perëndimor, merr stabiliteti. Si për Uashingtonin ashtu edhe për BE-në rëndësi ka që vendet e rajonit të arrijnë një stabilitet të mundshëm, përpara, ose njëkohësisht me angazhimin e tyre në proceset evropianizuese. Integrimi i Ballkanit Perëndimor sa më shpejt në BE është parë gjithnjë si “thembra e Akilit” për të penguar ndërhyrjet e jashtme, sidomos ato ruse, në këtë rajon të trazuar dhe me shumë probleme të mbartura. Nga ana tjetër, stabiliteti i arritur nga anëtarësimi i disa prej këtyre vendeve në NATO, ka qenë një shtysë për të vazhduar më tej me proceset integruese dhe detyrat e shtëpisë të lëna nga Brukseli.

Kësisoj, paralelizimi dhe ecja krah për krah mes proceseve integruese drejt BE dhe angazhimit në NATO, ka qenë prej dy dekadash pika e ekuilibrit që ka bashkuar aletët evropianë me Uashingtonin për t’u përballur me sfidat e shekullit të ri.

Së dyti, duhet kuptuar dhe mirëpranuar se, ndonjëherë proceset integruese dhe ato stabilizuese apo të sigurisë, që lidhen me NATO-n, jo gjithnjë kanë ecur në të njëjtën valë dhe paralelisht. Kjo më tepër varet prej ecurisë dhe zhvillimit të vendeve të Ballkanit, sesa prej Brukselit e Uashingtonit. Ndodh që disa vende kanë ecur më para me çështjet e stabilitetit dhe sigurisë, duke u anëtarësuar shumë herët në NATO, ndërkohë që nga ana tjetër kanë bërë pak, ose aspak, për të arritur objektivat e tyre integruese drejt BE. Por edhe kjo fare mirë mund të shpjegohet me ngërçin e viteve të fundit që po përjeton Bashkimi Evropian. Diagnoza mund të gjehet edhe tek përplasjet e brendshme mes euroskeptikëve dhe unionistëve (në Bruksel), të cilat tashmë kanë dalë përtej kufijëve të BE-së dhe kanë ndikuar edhe vendet kandidate. Po ashtu, kriza ekonomike që u përjetua dekadën e fundit, si dhe largimi i Britanisë nga BE, kanë sjellur një pështjellim që do ngatërronte edhe etërit e hershëm të Komunitetit Evropian.

Në këtë rrafsh, dozat e drejtpërdrejta të ndikimit të Berlinit mbi vendet e Ballkanit Perëndimor, u ndjenë që me krijimin e të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”, kumbar i të cilit qe vet kancelarja gjermane Angela Merkel. Ky proces nuk ishte gjë tjetër, vetëm se riorganizim i formës së anëtarësimit në një përmbajtje të re. Pra vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor në kushtet e rritjes së forcave euroskeptike në Bruksel dhe një stopimi 5-vjeçar të zgjerimit, deklaruar nga presidenti i Komisionit Jean Claude Juncker, formalizuan një proces që shihet si rruga për ta mbajtur gjallë dialogun politik integrues të tyre.

E duke qenë se një pjesë e këtyre vendeve tashmë janë anëtare të NATO-s, prevalenca e proceseve integruese drejt BE-së mori një rëndësi jetike, në mënyrë që stabiliteti i tyre të ishte plotësisht i barasvlefshëm me arritjen e standardeve të demokracive liberale e të shoqërive të zhvilluara perëndimore. Për këtë arsye, kjo prevalencë ka bërë që roli i Brukselit, por edhe i Gjermanisë si shtet lider i BE-së, të jetë më i madh në jetën politike të këtyre vendeve.

Kjo për disa analistë e gazetarë është parë e cilësuar si një anashkalim i Uashingtonit dhe si një zëvendësim i SHBA-ve me Gjermaninë dhe Francën. Por në fakt nuk është kështu.

Duke qenë se shqiptarët nuk e shohim asnjëherë jetën politike të pavarur prej ndërkombëtarëve, rrekemi që zhvillimet globale t’i shohim me gjyslyket tona dhe anasjelltas, që zhvillimeve brenda vendit, t’i mveshim doza subjektivizmi ndërkombëtarësh. Normalisht që ndërkombëtarët: ambasadorët, si dhe të deleguarit e Brukselit; përherë e kanë hequr vallen sipas qejfit të tyre, e kjo ka ndikuar që optika alla-shqiptarçe e të parit dhe kuptuarit të zhvillimeve të mbetet e gjallë deri më sot.

Së treti, përballë problemeve madhore të shfaqura në dekadën e fundit, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e ndikimit rus në rajon, si dhe faktorëve të tjerë jashtë ballkanik, aksi Uashington-Bruksel dhe Uashington-Berlin, përkundër disa mosmarrëveshjeve të fundit ka funksionuar dhe reaguar me shpejtësi dhe efikasitet. Mosmarrëveshjet e këtij aksi, asnjëherë s’kanë dalë prej linjës së “brendshme” ose të eksportohen tek aleatët e tjerë apo vendet e Ballkanit Perëndimor.

Fakti që SHBA-të kanë kërkuar një angazhim më të madh të BE-së dhe sidomos Gjermanisë e Francës në Ballkan për të përshpejtuar proceset integruese (siç ndodhi me takimin e 29 prillit), tregon se besueshmëria mes tyre mbetet në nivele transparente dhe aspak preferenciale. Njëkohësisht SHBA-të, pavarësisht zërave brenda administratës në Uashington, nuk kanë preferuar që dukshëm të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, duke ja lënë këtë “barrë” BE-së, në mënyrë që të mos i japin shkas Rusisë për të ndërhyrë në favor të Beogradit.

Shpesh, zgjedhjet diplomatike të Uashingtonit ngjajnë si veprime të kithta, por realisht, teksa vendoset të ngrihet haptazi një bazë ushtarake në Shqipëri, në shërbim të aviacionit të NATO-s, zyrtarët në SHBA tregohen të kujdesshëm që veprimet e tyre politike të mos interferojnë në ato të BE-së. Kjo ndodh sepse shuma e tërë këtyre veprimeve nuk është asgjë më tepër ose më pak, se zgjatim i një politike të kujdesshme amerikane në rajon.

Zërat se Berlini po mbështet opozitën brenda vendit, ndërkohë që Uashingtoni preferon ruajtjen e stabilitetit, parë së largu, ndoshta janë të arsyeshëm, por në fund të fundit si stabiliteti ashtu edhe demokracia janë dy anë të së njëjtës monedhë. Pikërisht kjo monedhë tashmë ndodhet në dorë të Brukselit më tepër se sa Uashingtonit që pret integrimin e këtyre vendeve në BE, për të plotësuar binomin stabilitet-demokraci të vendeve të rajonit. Për Berlinin, tashmë që Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, rëndësi ka që demokracia të jetë funksionale dhe sigurisht zgjedhjet të jenë të pakontestueshme. Për këtë arsye, zgjedhjet pa opozitën do të ishin një shkelmim mbi të gjitha angazhimet dhe përpjekjet e BE-së në dekadat e fundit. Ndaj është lehtësisht e kuptueshme përse Merkeli insiston që mes palëve në Tiranë të gjehet një rrugë dialogu për zgjidhjen e ngërçit politik.

Kuadri do të mbetej i paplotë nëse edhe Brukseli nuk do arrinte që t’i integrojë vendet e Ballkanit Perëndimor në sistemin e vlerave demokratike, ngjashëm siç bënë SHBA-të duke anëtarësuar disa prej këtyre vendeve në NATO.

Për këdo që e kupton sado pak politikën botërore, e ka të thjeshtë të kuptojë se sa e vështirë është jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për këdo shtet tjetër evropian që t’i dalë kundër SHBA-ve kur ajo vendos të bëj diçka. Por në këtë rast nuk bëhet fjalë për përplasje me këtyre dy shteteve për “ndikim” në Shqipëri, por thjesht për një shpërndarje detyrash, ku tashmë Brukseli (dhe kur përmendet ky i fundit, nënkuptohet rrjedhimisht Berlini), duhet të tregojë se nuk mund t’i lërë këto vende në mëshirë të fatit apo liderëve autoritarë.

Nëse do ishte kështu, Uashingtoni do e kishte më të kollajtë të merrej vesh me Rusinë, për të arritur një akord mosndikimi në këtë rajon, sesa t’ja linte BE-së çpështjelljen e lëmshit që do krijohej. E që kjo të mos ndodhë, duhet që BE të angazhohet më tepër dhe me më shumë realizëm në këtë rajon dhe të sigurojë një demokraci të vërtetë e të prekshme, se për çështjet e stabilitetit është kujdesur me kohë Uashingtoni.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco