Organizata e Rilindjes duhet të shkrihet

Organizata e Rilindjes duhet të shkrihet

Nga Armand Shkullaku - 19/06/2019

Përgjimet mbi organizatën e strukturuar të Rilindjes dhe, mbi të gjitha, reagimi i saj pas publikimit të tyre, ka sjellë në rend të ditës si të vetmen rrugëzgjidhje, shkrirjen e organizatës dhe rikthimin tek partia politike dhe rregullat normale të funksionimit të saj.

Manipulimi zgjedhor, që doli në dritë pas audiove të Bild, ishte një dëshmi e qartë se mekanizmi elektoral, që deri dje ka qenë shpesh i dëmtuar nga ndërhyrjet e forcave politike, këtë herë ka funksionuar si një skemë e pastër mafioze, që nga drejtimi direkt i kupolës e deri tek shantazhi i votuesve të thjeshtë.

Sigurisht në Shqipëri janë shënuar raste të rënda të dëmtimit të zgjedhjeve, janë rrëmbyer kuti ditën dhe natën, është përdorur Gjykata Kushtetuese për të shpërndarë mandate deputetësh apo KQZ për të zhbërë rezultate si ai zgjedhjeve në Tiranë në vitin 2011.

Në të gjitha këto raste, përgjegjësit kanë qenë të shenjuar në sytë e të gjithëve dhe partitë e njollosura e kanë marrë faturën e rëndë mbi vete për këto akte të shëmtuara. Por në asnjë rast, asnjë parti e madhe politike, PD ose PS, nuk kishte shkuar në manipulimin dhe deformimin deri në qelizë të një procesi elektoral.

Angazhimi i kriminelëve jo thjesht si mjet presioni ndaj kundërshtarit por si pjesë e procesit, madje duke arritur edhe të zgjidhen vetë si përfaqësues të popullit; përfshirja direkt e kryeministrit dhe ministrave me lloj-lloj personazhesh që kontrollojnë votën; presioni i neveritshëm për bukën e gojës ndaj nëpunësve që paguhen nga taksat e shqiptarëve, blerja e turpshme e votës së nevojtarëve që qeveria i ka lënë në mjerim; përdorimi i policisë dhe mjeteve shtetërore për të penguar kundërshtarët politikë, etj, nuk janë metoda të një partie politike, qoftë edhe në kohën me të errët të saj, por të një organizate të strukturuar që s’ka lidhje me përgjegjësinë ndaj qytetarëve, por me bindjen e verbër ndaj hierarkisë së pushtetit.

Rilindja prej kohësh e ka asgjësuar Partinë Socialiste.

Nuk ka më zgjedhje, nuk ka zëra kundër, nuk ka debat, nuk ka alternativa në përzgjedhjen e kandidatëve dhe përfaqësimi më i lartë politik, siç është qeveria, është katandisur tek disa anonimë, vullnet dhe tekë e kreut të organizatës. Kësisoj organizatës nuk i intereson as cilësia e qeverisjes dhe as përgjegjësia politike para votuesve, por kontrolli i tyre me çdo mjet dhe metodë si e vetmja mundësi për të mbajtur pushtetin.

Kush dëgjon përgjimet e Dibrës, më të drejtë mund të pyesë: ore, po ç’i duhej Edi Ramës me çdo çmim kjo bashki, sa të mobilizonte një strukturë të tërë, nga ministrat e deri te banditët për ta fituar atë? A ia vlente rrisku i një manipulimi të rëndë për Dibrën ndërkohë që kontrollonte thuajse gjithë vendin?

Organizata nuk i bën llogaritë në këtë mënyrë, me ndjeshmërinë e një force politike që ka si qëllim të përmirësojë jetën e qytetarëve. Organizata duhet të tregojë forcë, mbi të gjitha në bastionet e kundërshtarit, për ta frikësuar atë, për ta shantazhuar dhe për t’u ngulur në kokë njerëzve se është ajo dhe vetëm ajo që ka në dorë gjithçka, vetë jetën e tyre. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen dhe ta pranojnë si alternativë të vetme.

Puna, buka e përdirtshme, arsimi, kujdesi shëndetësor, rruga, uji, e ardhmja e fëmijëve, nuk janë çështje që rregullohen nga qeverisjet e mira dhe alternimi i tyre, por nga vullneti i Padrinos. I atij që komandon organizatën.

Nuk është rastësi që në këto përgjime, por edhe në shumë afera e skandale të tjera, nuk dalin të përfshirë emra socialistësh të vjetër. Nuk del Pandeli Majko, Vasilika Hysi, Bashkim Fino, Erjon Braçe, etj. Ata janë tek rregullat politikë të luftës me kundërshtarin. Në organizatë veprojnë ata që kapitalin politik e kanë të lidhur me shërbimin ndaj kreut dhe jo ndaj qytetarëve.

Një parti politike do të reagonte ndryshe pas daljes në dritë të këtyre përgjimeve të frikshme. Pavarësisht procedurave ligjore, përgjegjësia politike do të duhej të prevalonte. Figurat e kapura me presh në dorë, nga shefat e policisë e deri tek kandidatët aktualë për kryetarë bashkish do të duhej të pezulloheshin e shkarkoheshin. Akti moral e ç’tensionon situatën dhe i jep mundësi një partie të kërkojë ndjesën e publikut.

Organizata nuk vepron kështu, nuk veproi as për Durrësin e nuk do të veprojë as për Dibrën. Akti moral për të është dobësi dhe asaj i duhet të tregojë forcë për të mbajtur në këmbë mekanizmin ekstrapolitik që i garanton pushtetin. Reagimi i vetëm që njeh ajo, është mohimi dhe akuza ndaj kundërshtarit.

Mirëpo kjo mënyrë e qeverisjes dhe e kontrollit të shtetit, që eleminon konkurrencën politike, e çon vendin në përplasje. Nënshtrimi ndaj organizatës nuk mund të zgjasë përjetësisht. Prandaj është koha e përgjegjësisë politike. Rilindja duhet t’i hapë rrugë Partisë Socialiste për të rikthyer normalitetin në vend.

Mjafton edhe pohimi i atyre, që i bëjnë fresk qeverisë, se fenomene të tilla kanë ndodhur edhe më parë, për të ndëshkuar ata që po i përsërisin ato. Organizata dështoi në premtimin e saj të madh për të bërë shtet dhe një Shqipëri më të mirë, tani Shqipëria duhet të çlirohet prej saj.

Niçet apo keshët nuk janë as Partia Socialiste dhe as vullneti i qytetarëve. Dhe as Dibra nuk është modeli për të mbajtur përjetësisht pushtetin. Sa më parë të kuptohet kjo, aq më shumë do të largohet konflikti për t’i lënë vend politikës.

/Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

tironci19/06/2019 21:29

Osht nji nga krimet e shumta te Rames dhe shkatarrimi i partis socialiste.Sapo te iki Rama kjo parti do shkerrmoqet si e kriminalizume ne palce. Aq i madh ka qene presioni i krimit ne ket parti sa eshte bo cerdhe krimi dhe askush nuk pipeti.

socialist apo demokrat "t ndershm"19/06/2019 18:07

Ka vërtetë shumë shqiptarë me bindje të majta që e kanë kuptuar se kreu i partisë së tyre nuk ka asgjë të përbashkët me kauzën e një partie të majtë të modelit europian, kauzën për politika sociale me qytetarët.
Por me çfarë po shohim , nuk kemi parë deri tani ndonjë deputet të PS që të dalë hapur me ndonjë kritikë për Ramën apo ti kërkojë ndjesë shqiptarëve për maskarallëqet që janë bërë në zgjedhjet lokale të Dibrës e të Durrësit.për zgjedhjet kombëtare.
Po përmend këto dy qytete që kanë lidhje me përgjimet e publikuaraa, por akoma ka qindra audio apo edhe video të pa transkriptuara e publikuara të cilat mund të nxjerrin këtë maskaradë në gjithë Shqipërinë.Sigurisht që më agresivët për ti justifikuar janë Rama, Balla, Ndreu , Gjiknuri e ca sharllatanë servilë si Spiropali apo Peza. Por cili deputet tjetër e bile ish deputet apo ish ministër socialist ka dalë që me gojën plot ti dënoje veprimet e të parëve ?
Shiheni gazetaren Anila Basha si hidht përpjetë në çdo televizion duke bërtitur e zhurmuar cilindo që kritikon Ramën.
Shihni emisionin e Eni Vasilit ku e para ajo e mandej ca Dudushër e karabushër sëbashku me deputetë socialistë , në vënd që të akuzojnë ata që kanë bërë maskarallëqet, qahen e akuzojnë ata që i kanë denoncuar këto maskarallëqe.
I them Alfred Pezës që të shohë në YouTube videot e emisioneve televizive, ku ai në mënyren më të neveritëshme bën mimika kundërshtie tepër të shëmtuar e qesharake gjatë kohës që dikush kritikon Ramën, e sapo e sheh veten me kameran e drejtuar tek ai, që ta shohë shefi. A ka dinjitet ky farë gazetari që për tu treguar servil ndaj shefit bën palaçollëqe si ndonjë plakë arrixhofkë e matufepsur ?
Nuk mjaftojnë këto palaçollëqe të mbulimit të m... me sh......, por na del edhe një debile që flet në emër të partisë demokratike se "do të paguaj me rrogën time xhamat e thyera të një shkolle prej "banidtëve". antikomunistë .
E kush e thotë këtë ?
E bija e heroit të demokracisë që e vranë shokët e këtyre me të cilët është bashkuar në Kuvend. Paratë e pamerituara si deputete moj Rudinë, merja e shpërndajua mijra familjeve të të persekutuara që regjimi diktatorial i Ramës ju ka futur djemtë e vajzat e tyre në burg e mbrojnë shtëpitë e tyre.
Paçin mallkimin e gjithë shqiptarëve të masakruar nga diktatura komuniste, që këta bijtë e tyre banditë kriminelë, me paratë e pista të drogës, duke shfytëzuar cektësinë e intelektit të kësaj vajze , po e përdorin për të mbuluar pisllëqet e tyre.
Përse na dolën 100 vota kundër dekretit të presidentit ?
Sepse ky dekret ju a pret rrogën e deputetit gjithë renegatëve të opozitës që vepruan njëlloj si shitësit e votave të tyre bandave kriminale të Ramës..

Petro19/06/2019 16:50

Rama?
Me mire shikoni e shkruani per ata qe e nxisin , osbe,disa ambasada . Duket qe jane keto qe e versulin km tashme te kafshezuar mbi popullin “bageti “.
Turp,turp historik .

Askushi 19/06/2019 16:24

Si eshte e mundur qe socialistet e vertete te pranojne gangesterin Rama te shkaterroje shqiperine. Distancohuni o njeres nga kjo bande qe ka kapur shtetin, shqiperine dhe partine socialiste. Shqiperija e para, familja jone e para, femijet tane te paret. Femijet tane nuk jane as socialist, as demokrat, jane nje soj te gjithe dhe meritojne nje te ardheme qe ne po ja u prishim. Femijet tane nuk jane armiq, nuk jane bandit. Gangesteri Rama po i shkaterron te ardhemen e tyre. Zgjohuni o njeres, ngrihuni mbi interesat e ngushta te nje bande-shtet.

Shto koment

Denonco