Dy oferta pragmatiste nga SHBA, për fatin e Edi Ramës!

Dy oferta pragmatiste nga SHBA, për fatin e Edi Ramës!

Nga Poli Hoxha - 12/06/2019

Ditën e djeshme në një shkrim ekskluziv për SYRI.net një nga ekspertët më të njohur të politikës ndërkombëtare në SHBA, David L. Phillips, shkruante edhe për një plan të detajuar për stabilizimin përfundimtar të Shqipërisë.

. Phillips aktualisht drejtor i Programit për ndërtimin e Paqes dhe të drejtave në Institutin e Universitetit të Columbias për Studimet e të Drejtave të Njeriut, ka qenë një nga këshilltarët kryesor të qeverive amerikane të të dy krahëve politik, demokratë e republikanë. Ka punuar në stafet e punëve të jashtme në DASH gjatë administratave të presidentëve që e kanë pasur vendin tonë dhe Kosovën në fokus të veçantë, si Klinton, Bush dhe Obama.

Ky personalitet me lidhje të shumta mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres dhe Senat, flet për një plan stabilizimi me 4 pika i cili do të shpëtonte përfundimisht Shqipërinë dhe futjen e saj, në hullinë e demokracisë funksionale.

Në pikat 2, 3 dhe 4 flitet për krijimin e një qeverie teknokratike të përbërë nga individë me integritet (pas një marrëveshje shumë partiake) e cila do të kujdeset për çështjet politike dhe ekonomike të Shqipërisë, gjatë një periudhe tranzitore. Gjatë kësaj kohe do të kryhet reformimi total i sistemit zgjedhor, një KQZ e riformatuar me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Zyra e OKB-s për Asistencën Zgjedhore dhe Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut. Në fund ky Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i rinovuar, do të duhej të zhvillonte zgjedhjet lokale dhe ato kombëtare në 30 Qershor të vitit 2020 nën vëzhgimin e rreptë të ndërkombëtarëve, për të garantuar se zgjedhjet do të jenë më në fund të lira, të ndershme dhe për herë të parë të pakontestueshme.

Një ditë më herët një zëdhënës i DASH, menjëherë pas anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga presidenti Ilir Meta dhe pozicionimit luftarak të kryeministrit Rama dhe maxhorancës, deklaronte për “Zërin e Amerikës”, nevojën urgjente të gjetjes së rrugës për të hapur dialogun rreth reformës elektorale. Në të njëjtën linjë, të vendosur edhe si një kusht për Shqipërinë që në takimin e verës së vitit të kaluar (kur refuzuan hapjen e negociatave) janë edhe ministrat e Jashtëm të BE-së, kurse Bundestagu dhe qeveria gjermane e artikulon çështjen e zgjidhjes së “gangrenës- zgjedhje” në vendin tonë, sa herë që flitet për Shqipërinë.

Pra duket qartë se, “thembra e Akilit”, tashmë edhe për SHBA është vota e lirë si e vetmja mënyrë për të shpëtuar Shqipërinë nga elitat sunduese dhe plaçkitëse, që kanë bërë kërdinë këto 30 vite.

Nuk dihet ende nëse ky “projekt amerikan” është thjesht një ide-propozim eksluziv i zotit, David L. Phillips, apo një plan real që po ngjizet në politikën amerikane dhe në Departamentin e Shtetit. Sido që të jetë, e sigurt është që ai nuk ka për të mbetur vetëm mbi skrivaninë e zyrës së zotit Phillis dhe së shpejti në atë formë apo edhe i adoptuar, mund të ofrohet si paketë zgjidhjeje, ndërkohë që kriza në Shqipëri ka arritur temperaturat maksimale të vlimit.

Folëm për  pikat 2-3-4 të këtij plani që sipas burimeve gazetareske dje ka kapur në befasi edhe Lulzim Bashën, por ai nis me hapin nr.1 që mund të konsiderohet, edhe si çelje e portës për realizimin e tij.

Sipas kësaj pakete-projekt, hapi i parë për nisjen e stabilizimit përfundimtar të vendit është ikja e Edi Ramës. Jo thjesht si kryeministër, por të largohet përfundimisht edhe nga politika, pra të lërë të lirë edhe Partinë Socialiste. Phillisps i cili duket i kompletuar edhe me informacione nga agjencitë amerikane dhe DASH, mendon se Edi Rama është në një fazë, në të cilën ka vetëm 2 opsione zgjedhjeje për fatin e tij politik dhe jetësor.

I pari; të japë menjëherë dorëheqjen si kryeministër, në këmbim të një oferte nga SHBA dhe aleatët evropianë, e cila do të konsistojë në imunitet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të mos u hetuar. Pra të hapë rrugë, që ti falet momentalisht gjithçka që ka bërë gjatë qeverisjes 6 vjeçare dhe jo vetëm. Madje vetëm kjo, nuk do të mjaftonte. Edi Rama pasi të largohet si kryeministër dhe të fusë në xhep imunitetin, duhet të nënshkruajë premtimin, se do të heqë dorë përfundimisht nga politika. Ky është edhe një shans që do të përshpejtonte edhe ëndrrën e tij të “një jete të tretë”, për të cilën flet shpesh; piktor, poçar, rrobaqepës... a për kushedi çfarë pasioni tjetër të fshehur që ka; realizuar në ndonjë ishull të izoluar të botës.

Nëse Edi Rama e refuzon, atëherë opsioni tjetër është kalimi në sitën e hollë të organeve hetuese e ndëshkuese të drejtësisë, që sot mund të jenë Krimet e Rënda, nesër SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Hedhja në publik e këtij opsioni tregon që dosja e tij është gati, të paktën nga SHBA.

Duket se Edi Rama është nominuar në pikën nr.1 të planit, pasi amerikanët e dinë shumë mirë se tashmë në rolin e kryeministrit të gjithëpushtetshëm, e dogji detyrimin për të qenë ai i pari që mban përgjegjësi për këtë krizë të rëndë dhe njëkohësisht, për refuzimin ndaj detyrimit që ka çdo qeveri demokratike për të qenë ajo e para që kërkon zgjidhej dhe jep ofertë. Por kjo nuk do të thotë-sipas meje-se kjo ofertë (merre ose lëre) amerikane  me dy opsione pragmatiste, nuk vlen edhe për palët e tjera në këtë krizë.

Shumëkush mund të mendojë se amnistia për Ramën apo këdo tjetër shkon kundër të drejtës themelore demokratike, për drejtësi pa kushte. E vërtetë është, por SHBA e ka përdorur këtë lloj pragmatizmi në shumë vende të tjera të botës. Deri më sot vendet e Ballkanit Perëndimor e veçanërisht Shqipëria kanë provuar variantin amerikan e evropian: “Të lëshojmë demokraci, për stabilokraci”. Tani që janë të qartë se “stabilokracia” e Ramës po çon me shpejtësi në destabilitet, duket se po shkojmë drejt opsionit; Të lëshojmë Drejtësi, për Demokraci!

A është e drejtë?! Për mendimin tim dhe besoj të shumicës së shqiptarëve të ndershëm, jo, nuk është e drejtë. Por instalimi i votës së lirë si e vetmja rrugë për demokraci funksionale, e cila më pas sjell edhe drejtësi e mirëqenie, edhe me këto kushte (besoj momentale) pragmatiste, mendoj se prevalon mbi gjithçka!      

/Shkruar nga Poli Hoxha per SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ceni12/06/2019 14:45

Bravo Poli. Vazhdo te shkruash keshtu

Shto koment

Denonco